Çështja Airigona mbërrin në parlamentin austriak
11 Tetor 2007Kur në fund të shtatorit u detyruan të kthehen në atdhe i ati dhe katër motra e vëllezër pas shtatë vjetësh qëndrimi në Austri, vajza u largua pa gjurmë. Arigona i vuri autoritetet nën trysni me një video ku kërcënonte se do të vriste veten dhe kërkonte të arrinte të drejtën e qëndrimit për veten dhe familjen. Madje me temën e së drejtës së azilit dje u mbajt një seancë e posaçme e parlamentit austriak.
Të rejat mbi rastin Arigona
Ajo qëdnroi e fshehur për dy javë. Tani 15 vjeçarja Arigona Zogaj është rishfaqur. Videoja ku kërcënonte se do të vriste veten në rast se kthehej në Kosovë si i ati dhe motrat e vëllezërit e tronditi publikun austriak. Aq më i madh ishte lehtësimi kur kryeministri i Austrisë së Epërme Jozef Pyringer tregoi se është takuar me vajzën: 'I premtova se do t'i vëmë në dispozicion priftit që kujdeset për të gjithë ndihmën e nevojshme, para së gjithash ndihmë psikologjike për vajzën.'
Pühringer tha se gjatë gjysmëorës së bisedës me Arigonën ajo kishte qarë shpesh, por tani ajo gjendet në kujdesin më të mirë. E ëma ka dalë tashmë nga spitali ku ishte shpënë pas kolapsit nervor si pasojë e largimit të të shoqit dhe fëmijëve.
Prej ditësh çështja e familjes Zogaj mbizotëron në kryetitujt e mediës
Babai kishte ardhur në Austri shtatë vjet më parë pas luftës së Kosovës dhe kishte kërkuar azil, por pa sukses. Megjithatë ai e tërhoqi më vonë familjen ilegalisht. Integrimi ishte i suksesshëm, prindërit punonin, fëmijët ndiqnin shkollën, për vite me radhë, megjëse pa leje qëndrimi. Deri në ditën e dëbimit.
Nga këndvështrimi i të gjelbërve austriakë rasti Zogaj nuk është rast i veçuar, por është shembull i një politike të gabuar kundrejt të huajve, e nisur prej Partisë konservatore Popullore dhe e mbështetur ndërkohë në heshtje prej partnerit më të madh në koalicion, Partisë Socialdemokrate. Në hapje të seancës së jashtëzakonshme të parlamentit për temën e azilit kryetari i të gjelbërve Aleksander fan der Belen nuk e fshehu aspak opinionin e vet: '
Për mua kjo politikë nuk është humane, por johumane
Duke iu drejtuar Partisë Socialdemokrate them: kjo formë politike nuk është sociale, por asociale. Dhe duke iu drejtuar Partisë Popullore them: kjo politikë nuk është miqësore ndaj familjes, ajo është armiqësore ndaj saj dhe jo në përputhje me fenë e krishterë.'
Me këtë opinion të gjelbërit nuk janë të vetëm. Organizatat Karitas, Xhakoni, Emnësti Intërneshënëll, komisariati i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët dhe kisha katolike - të gjitha e kritikojnë kodin austriak për të huajt dhe kërkojnë ndryshime. Por Partia Socialdemokrate e kancelarit Alfred Guzenbauer është marrë vesh me Partinë Popullore që ligji të rishikohet me frymë kritike në vitin 2009.