1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë na thotë Karli i Madh sot pas 1200 vjetësh?

Andreas Noll / Auron Dodi28 Janar 2014

Evropiani i parë, barbar, luftëtar kristian - ka shumë etiketa, që e shoqërojnë Karlin e Madh. Ai vdiq 1200 vjet më parë. Kohë e përshtatshme për të sqaruar njërin ose tjetrin mit.

https://p.dw.com/p/1AyZ3

Për ta thënë hapur: Para Karlit të Madh Evropa Perëndimore ishte një rrip toke i trishtuar, një njollë e bardhë në hartë, që kishte rënë në pikëpamje të civilizimit dhe atë kulturor shumë pas asaj që kishte krijuar antikiteti. Edhe më impresionuese duket ajo që la Karli i Madh si amanet: kur ai vdiq më 28 janar 814, 1200 vjet më parë në rezidencën e tij të preferuar, në pallatin perandorak të Ahenit, ai kishte krijuar prej popujve në luftë me njëri-tjetrin një perandori, i kishte dhënë vrull ekonomisë, pati ndërtuar një administratë funksionuese dhe pati nisur një ofensivë arsimore.

Më shumë pyetje, se sa përgjigje

Prandaj vjen natyrshëm pyetja: kush ishte ky burrë që arriti gjëra me sa duket të pamundura? Elementët personalë që dihen janë të paktë. E sigurtë është dita e vdekjes, por jo datëlindja, përkatësisht viti i lindjes. Studiuesi gjerman i Mesjetës, Johannes Fried ka shkruar një biografi që ka tërhequr shumë vëmendjen për Karlin e Madh. Ai përmend 2 prillin e vitit 748 dhe shton "me disa gjasa". Ku ka lindur, kjo nuk dihet saktë. Historiani i dytë që ka shkruar një libër për 1200 vjetorin e vdekjes së Karlit të Madh është Stefan Weinfurter. Ai thotë se mund të ketë lindur në manastirin Prüm në Eifel, ose në Düren, jo larg Ahenit ose në Quierzy, në Francën e veriut. Ajo që dihet me siguri: nëna e Karlit ka qenë Bertrada, një bijë konti nga Laoni, babai i tij ka qenë Pippini i Ri, i lindur në Saint Deniss pranë Parisit, dhe që prej 751 mbret i Frankëve.

Po frankët çfarë ishin? Gjermanë, francezë? As gjermanë, as francezë, ose të dyja. Bërthama e Karolingasve, e dinastisë së Karlit të Madh ishte midis Ahenit dhe Metzit. Gjyshi i Karlit kishte bashkuar të dyja pjesët e perandorisë franke: Neustria ishte në Perëndim dhe shtrihej nga Parisi deri në Soissons, dhe nga Tours deri në Nantes. Austria ishte pjesa Lindore, e cila shtrihej brenda një katërkëndëshi prej Tournai-t, Këlnit, Metz-it dhe Fuldas. Brenda kësaj perandorie jetonte një përzierje popujsh me traditat dhe normat e veta: "Ishin romanët, visigotët, langobardët, alemanët, bavarezët etj," thotë historiani Stefan Weinfurter.

Porträt - Historiker Stefan Weinfurter
Stefan Weinfurter, hisotorianFotografi: Piper Verlag

Nevojitej një kordon bashkues

Pra nuk ishte trashëgimi e lehtë ajo që mori Karli kur mbushi 20 vjeç. "Për Karlin nuk ishte e thjeshtë që këtu të krijonte një bazë të detyrueshme për të gjithë. Kjo bazë ishin ligjet kishtare-kristiane. Ato ofronin normat dhe vlerat për të gjithë rendin e shoqërisë në Perandorinë e Karlit", shpjegon Stefan Weinfurter.

Ato që nevojiteshin ishin standarde të detyrueshme për të gjithë perandorinë franke dhe norma juridike. "Në unifikim bënin pjesë edhe masat dhe monedhat e njësuara, për të krijuar në njëfarë mënyre një hapësirë ekonomike të njësuar". Denari i argjendtë i futur nga Karli është në njëfarë mënyre paraardhësi i Euros. "Karli krijoi veç kësaj një sistem efikas komunikimi, një sistem me korrierë. Një korrier mund të përshkronte brenda pak ditësh distanca të largëta", shkruan Weinfurter.

Buchcover - Karl der Große von Stefan Weinfurter
Kopertina e librit "Karli i Madh - barbari i shenjtë"Fotografi: Piper Verlag

Shteti fetar

Karli vendosi rregull për kishën dhe Perandorinë, krijoi ushtri efikase dhe nisi një ofensivë gjigande arsimore. Shkolla e detyruar për të gjithë, edhe për vajzat, ishte ajo që dëshironte Karli. "Lidhja e politikës, shkencës dhe arsimit luante në kohën e atëhershme një rol të tillë, sa disa shkencëtarë arrijnë sot në përfundimin se në Evropë nuk ka ekzistuar asnjëherë një ofensivë e tillë arsimimi, si atëherë."

Atje ku ka dritë, ka edhe hije

"Karli ishte trupmadh, masiv, ai ishte një kokë më i gjatë se shumica e bashkëkohësve të tij", shkruan historiani Johannes Fried. Dhe nuk shquhej për delikatesë ndaj kundërshtarëve të tij. Vetëm në dy vjet, nga 46 vjet të sundimit të tij ai nuk bëri luftë, nganjëherë luftoi madje në disa fronte. Por lufta kundër saksonëve konsiderohet më e përgjakshmja. Vazhdimisht kishte grindje kufitare dhe përleshje të vogla me këtë popull në kufirin lindor të Perandorisë. Në vitin 772 për mbretin u mbush kupa: "Karli donte ta eleminonte njëherë e përgjithmonë rrezikun që vinte nga saksonët", informon Johannes Fried. Pasuan 33 vjet luftë. Në fund, saksonët ishin të dekurajuar, të nënshtruar dhe të konvertuar me detyrim në besimin e krishterë.

Karli ishte mizor dhe fetar njëkohësisht: festën e Krishtlindjeve të vitit 800 ai e festoi në Romë, së bashku me Papën Leo. Për atë që ndodhi më 25 dhjetor ekzistojnë versione të ndryshme. Fakt është: Papa Leo e kurorëzoi Karlin si Perandor.

A donte të bëhej ai Perandor? Karli donte me siguri, në ambjentin përreth tij atë e trajtonin prej kohësh si Perandor, thotë Stefan Weinfurter. Edhe nëse pas kësaj pati probleme të mëdha me Perandorin e Bizantit, i cili e shihte veten si pasardhësin e vetëm legjitim të perandorisë romake.

Luftëtar i besimit, perandor kristjan, modernizues: çfarë mbetet sot nga të gjitha këto? Ai ishte Karli i Madh sundimtar "i mirë" apo "i keq"? Kësaj pyetjeje, çdo epokë i dha përgjigje të ndryshme. Napoleoni e instrumentalizoi, e përdori për synimet e tij. Edhe nazistët. Po sot, si konsiderohet Karli?

"Ai nuk është më figura e madhe simbolike për bashkimin politik dhe shoqëror të një kontinenti", mendon Weinfurter. Aq më tepër kur shteti i unifikuar karolingas, me fenë e tij shtetërore nuk ka të bëjë fare me Evropën e sotme transkulturore dhe jofetare. "Rëndësia e Karlit për ne sot qëndron në faktin, se ai ka krijuar një bagazh dijesh, i cili luan një rol jo vetëm në Evropë, por edhe përtej saj. Ai mori dijetarët më të mirë në oborrin e tij, përmes të cilëve neve na u përcoll kultura antike." Ata vunë bazat për kalendarin tonë dhe për shkrimin tonë. "Ky shkrim e ka origjinën në kohën e Karlit të Madh dhe nuk është një "shkrim latin", siç na kanë mësuar humanistët, por një shkrim karolingas."

Times New Roman është shkrimi që i ngjan më shumë shkrimit minuskël, që u përdor në Perandorinë e Karlit. Qoftë kalendari, qoftë shkrimi i kompjuterave: trashëgimia kulturore e Karlit të Madh është në vitin 2014 shoqëruesi ynë i përhershëm.