21 përqind e gjermanëve duan më shumë futbollistë të bardhë
6 Qershor 2024Për dokumentarin e televiziv „Unitet dhe drejtësi e shumëllojshmëri", që transmetohet në kuadër të serisë me emisione „Sport Inside", stacioni publik gjerman WDR, i pati kërkuar Institutit për studimin e pikëpamjeve publike, Infratest dimap, të kryente një studim përfaqësues. 1304 personave të zgjedhur rastësisht iu kërkua në fillim të muajit prill të venë kryqin në një nga këto pohime me të cilin janë dakord:
- Unë mendoj se do të ishte mirë që sërish në kombëtaren gjermane të luajnë më shumë lojtarë të bardhë
- Unë mendoj se është mirë që ndërkohë në kombëtaren gjermane luajnë shumë futbollistë që janë migrantë
- Unë mendoj se nuk është mirë që kombëtarja gjermane ka aktualisht një kapiten që është me prejardhje turke
21 përqind e të pyeturve i vunë kryqin thënies së parë, 65 përqind nuk e prekën, pra nuk ishin dakord. 66 përqind mendojnë, se është mirë që në ekipin gjerman luajnë ndërkohë shumë futbollistë që janë migrantë. 17 përqind e të pyeturve janë dakord me pohimin 3 që ka të bëjë me origjinën e kapitenit Ilkay Gündogan, 67 përqind nuk janë dakord.
Për çfarë bëhet fjalë në sondazhin e WDR?
Në dokumentarin televiziv të sipërpërmendur, ish-lojtari i kombëtares Gerald Asamoah tregon mes të tjerash për armiqësirat me bazë raciste që ka hasur: „Mua më kanë sharë me sharje shumë të poshtra, me fjalë që nuk do doja t'i përmendja. Edhe fjala nazist është përmendur me mijëra herë. Kjo gjë ishte e zakonshme."
Kampioni botëror i 2014, Shkodran Mustafi kujton se si vëzhgoheshin ai dhe kolegët e tjerë të ekipit: „Kush e këndon bashkë me ne himnin kombëtar? Kush nuk e këndon? A je i integruar, a je i paintegruar? A je mirënjohës që luan për Gjermaninë apo jo?"
Në ndeshjet e fundit të kombëtares gjermane zhvilluar në tokën e vet për Kampionatin Europian, ekipi i përbërë nga Antonio Rüdiger, Jonathan Tah, Waldemar Anton, Benjamin Henrichs, Ilkay Gündogan, Aleksandar Pavlovic, Leroy Sane, Jamal Musiala dhe Deniz Undav kishte nëntë lojtarë që vijnë nga migracioni.
Si duhet vlerësuar rezultati i sondazhit?
Ajo që për shumë vetë tingëllon shokuese, nuk është ndonjë çudi e madhe po ta vëresh me kujdes. Sipas emisionit që përcakton tendencat në ARD, emisionit "Po të zhvilloheshin zgjedhje ditën e dielë", më 31 maj 18 përqind e të pyeturve u përgjigjën po ashtu për Infratest dimap, se do t'ia jepnin votën AfD, partisë pjesërisht ekstremiste të djathtë. Pesë përqind votuan për Ligën e Sahra Wagenknechtit (BSW).
Mes mbështetësve të partive të ndryshme, sondazhi për kombëtaren gjermane pati ndryshime të dukshme: Mes mbështetëseve dhe mbështetësve të Ligës së Sahra Wagenknechtit, 38 përqind dëshirojnë të kenë kombëtare „më të bardhë", ndërsa mes përkrahësve të AfD gati një në dy vetë (47 përqind). Vlerat tek mbështetësit e Unionit ishin 18 përqind, tek socialdemokratët 14 përqind dhe Të Gjelbërit 5 përqind.
Kur dëgjon tregimet e Gerald Asamoahut me përvojën që ka pasur me racizmin, 20 vjet më parë, e kupton se nuk kemi të bëjmë me një fenomen të ri.
Si reagon kombëtarja ndaj sondazhit televiziv?
Joshua Kimmich tha në fushën e trajnimit të kombëtares në Herzogenaurach: "Futbolli është një shembull shumë i mirë për të treguar si mund të bësh bashkë kombe të ndryshme, ngjyra të ndryshme lëkure dhe fe të ndryshme. Kjo është çështja."
Atë „do e merrte malli për shumë lojtarë, po të mos kishin qenë këtu," thekson ai. Për rezultatet e sondazhit televiziv ai thotë se kjo gjë është „absolutisht raciste".
Përveç kësaj është „absurde të shtrosh një pyetje të tillë," thotë Kimmich, kjo është "kontraproduktive". Në ndeshjet që zhvillohen në Gjermani për Kampionatin Europian, çështja kryesore e kombëtares është „që i gjithë vendi të bëhet një dhe të gjithë bashkë të arrijmë diçka". Për këtë duhet „që të gjithë njerëzit në Gjermani të na mbështesin neve". Në ekip „nuk është folur për sondazhin".
Trajneri i kombëtares, Julian Nagelsmann, reagoi me irritim në një konferencë shtypi, me sa duket jo për shkak të rezultatit se sa me vetë sondazhin: "Unë shpresoj të mos jem i detyruar të lexoj sërish një sondazh të tillë të ndyrë," tha Nagelsmann. "Unë u shokova kur pashë çfarë pyetjesh shtrohen, dhe kur pashë se njerëzit japin përgjigje për to, po ashtu."
Shefi i redaksisë së sportit të WDR, Karl Valks shpjegoi për kritikat që erdhën se: „Reporteri ynë Reporter Philipp Awounou u konfrontua me pohime sipas të cilave në sheshin e futbollit ndodhen shumë pak gjermanë „të vërtetë" me lëkurë të bardhë. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të mos e tregojmë një gjë të tillë si barcaletë, por të mbështetemi tek të dhëna me bazë."