328 ditë nga revolucioni tek marrëveshja shtetërore
Pushteti i masës dhe një lapsus me pasoja të mëdha: bashkimi i Gjermanisë i konsideruar prej kohësh si i pamundur mori jetë brenda natës më 11 Nëntor 1989 dhe u bë realitet pas 328 ditësh. Stacionet e një revolucioni.
"...tani, pa vonesë."
9 Nëntor: Pak orë pas fjalëve të famshme të Schabowskit ( "...sipas dijenisë sime....kjo është tani, pa vonesë."), në masë njerëzit duan të kalojnë në anën perëndimore të Berlinit. Miliona u vunë në lëvizje duke imponuar hapjen e kufirit. Policia e RDGJ-së e lejoi këtë E kjo vetëm se anëtari i byrosë politike, Günter Schabowski, përmendi lirinë e udhëtimit vetëm rastësisht - e jo të plotë.
Shpëtimtar pa mbështetje
13 nëntor 1989: Hans Modrow, kryetari i partisë SED për qarkun e Drezdenit, duhet të shpëtojë, ç’mund të shpëtohet. Katër ditë pas rënies së Murit të Berlinit Asambleja Popullore e zgjedh atë kryeministër. Por ai ndodhet në një post pa vlerë, sepse deputetët hoqën dorë nga besnikëria pa kushte ndaj partisë SED deri në atë kohë e plotfuqishme.
Helmut Kohl merr iniciativën
28 Nëntor: Në tre javët e para pas rënies së murit Helmut Kohl paraqet në Bundestag "planin dhjetëpikësh" që bie si bombë. Ministri i Jashtëm francez, Roland Dumas shprehet se gjermanët po tregojnë "një arrogancë në rritje". Vërtet askush tjetër nuk u konsultua më parë. Ky dokument është një plan veprimi për bashkimin - por me një afat kohor pesë deri në dhjetë vjet deri në bashkim.
Garda e vjetër tërhiqet
3 Dhjetor: Gjermanolindorët vazhdojnë të dalin në rrugë. Byroja politike kapitullon, dhe komiteti qendror - të dy institucionet japin dorëheqjen, bashkë me Egon Krenz që ishte përpjekur të shpëtonte shtetin me kompromise ndaj lëvizjes qytetare.
Toni i zgjedhur dhe fjalët e duhura
19 Dhjetor: Në këtë sfond dalja publike e kancelarit para rrënojave të kishës së Zonjës së Mirë në Drezden është një moment kulminant emocional. Kohl gjen fjalët e tonin e duhur dhe prek zemrën e dhjetëra mijëra gjermanëve. Ai bën fjalë për qëllimin e tij për bashkimin e vendit në paqe dhe liri. Bota e jashtme është e impresionuar, masa e entuziazmuar.
Qendra e Stasit vihet nën kontroll
15 Janar 1990: Viti i ri nuk nis i qetë. "Tryeza e rrumbullakët" ku marrin pjesë përfaqësues të sistemit të vjetër me drejtues të lëvizjes qytetare konfrontohet me monstrën Stasi (sigurimi i shtetit në RDGJ). Ndërkohë disa zyra të Stasit në disa zona janë nën kontrollin e lëvizjes qytetare. Zënia e ndërtesës së Stasit ishte edhe ora e lindjes së autoritetit gjerman për hapjen e dosjeve të Stasit.
Zgjedhje të lira me përfundim surprizues
18 Mars: Popullsia e RDGJ-së para votimit historik, zgjedhjet e para të lira. Kancelari Helmut Kohl del në ture elektorale duke mobilizuar miliona njerëz. Ekspertët parashohin një fitore të socialdemokratëve. Por rezultati sjell sensacionin: Aleanca qytetare e Kohlit fiton bindshëm, socialdemokratët dalin më pak të fuqishëm, partia pasuese e SED-së, PSD fiton vetëm 16% të votave.
Marka Gjermane në qarkullim edhe në Lindje
1 korrik 1990: Bashkimi duket si një punë e përfunduar, ekonomia e tregut do të futet edhe në Lindje. Në Bon nënshkruhet një union ekonomik, valutor dhe social që hyn në fuqi më 1 korrik. Qytetarët e lindjes marrin marka perëndimore në dorë. Me këtë fillon edhe rendi i ri i ekonomisë gjermano-lindore.
Gorbaçovi i thotë po bashkimit
15/16 Korrik: Në politikën e jashtme përkatësia në NATO e një Gjermanie të bashkuar është një sinjal alarmi për Moskën dhe pengesa më e madhe për bashkimin. helmut Kohl ka marrë mbështetjen e presidentit të SHBA George Bush për anëtarësimin e të gjithë Gjermanisë. Kohl në një vizitë private, por historike, tek Gorbaçovi arrin të marrë bekimin rus për anëtarësinë e Gjermanisë së bashkuar në NATO.
Troket ora e bashkimit edhe në asamblenë popullore
23/24 Gusht: Procesi i bashkimit merr udhë. Deputetët e parlamentit të RDGJ-së vendosin më 23 gusht për aderimin në Republikën Federale. Në koordinimin me qeverinë e Bonit vendoset si datë 3 tetori. Një ditë më vonë me ligj vendoset ndalimi i shkatërrimit të milionave dokumenteve të Stasit.
Detajet e fundit para nënshkrimit të marrëveshjes
12 Shtator: Në fund bëhet fjalë për para. Qeveria e Bonit i ofron Bashkimit Sovjetik 12 miliardë marka gjermane si kompensim për shpenzimet e tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe nga Gjermania lindore. Shumë pak, mendon Gorbatçovi. Kohl në fillim kundërshton, por ofron më pas edhe 3 miliardë marka të tjera, si kredi pa normë interesi. Me këtë hapet rruga për nënshkrimin e marrëveshjes "2+4".
Dita e parë e një Gjermanie të bashkuar
2/3 Tetor: Në Nju Jork ministrat e Jashtëm të fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore heqin dorë nga të gjitha të drejtat e posaçme që kishin pas kapitullimit të ushtrisë gjermane në vitin 1945. Parlamenti lindor mblidhet për herë të fundit. Pak më parë RDGJ largohet nga Traktati i Varshavës. Në minutën 00:00 të 3 tetorit në Berlin ngrihet flamuri gjerman.