1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

50 vjetori i Filarmonisë së Berlinit

Klaus Gehrke / E. Xhani20 Tetor 2013

"Cirku Karajan“ e quajnë berlinezët Filarmoninë e re për shkak të organizimit të veçantë të ambientit. Para 50 vjetësh u inagurua ndërtesa ndoshta më e famshme e Hans Scharoun, megjithë skepticizmin e madh të kritikëve.

https://p.dw.com/p/1A2fP
Filarmonia e Berlinit
Fotografi: Rostrot Medien

Uvertura Nr.3 e operas së vetme të Bethovenit "Leonore", një simbol muzikor për lirinë, nuk ishte zgjedhur rastësisht nga kryedirigjenti Herbert fon Karajan me rastin e inagurimit të ndërtesës. Pasi vepra orkestrale mjaft dramatike i jepte atij mundësinë të inskenohej si duhej për një pjesë të madhe të publikut, në kuptimin e vërtetë të fjalës: shumë spektatorë mund ta shihnin gjatë koncertit fytyrën e fon Karajanit dhe të ndiqnin mimikën e tij. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Ndarja nga traditat

Që prej shfaqjes së kulturës muzikore borgjeze në shekullin e 19-të, të gjitha sallat e rëndësishme të koncerteve ndërtoheshin sipas të njëjtin koncept: në formë drejtkëndëshi, me një podest të ngritur për orkestrën në një skaj dhe me një plate për spektatorët në nivelin e tokës. Një model përfaqësues është salla e Shoqatës Vjeneze të Muzikës, në të cilën ende sot mbahen koncertet e vitit të ri. Edhe Filarmonia e vjetër e Berlinit, e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte ngritur sipas asaj skeme. Planet e paraqitura nga Hans Scharoun në vitin 1956 për një ndërtesë të re në forumin e ri të kulturës në lagjen berlineze Tiergarten, kishin një koncept krej tjetër, që parashikonte një braktisje të traditave të vjetra: në vend të një salle të gjatë ai projekton një objekt asimetrik me të ashtuquajturën 'arkitekturë tekstili' dhe e vendos skenën, deri tani të izoluar të orkestrës, në mes të platesë së spektatorëve, si një lloj arene me një sipërfaqe qendrore shfaqjeje dhe radhë karrigesh në ngjitje për publikun.

Dirigjenti Herbert fon Karajan
Dirigjenti Herbert fon KarajanFotografi: picture-alliance/dpa

Polemikat për ndërtesën e re

Scharoun, datëlindja 1893, në vitet 1920 bën pjesë në radhën e përfaqësuesve më të rëndësishëm të "arkitekturës moderne", punon ndër të tjera me arkitektin Ludwig Mies van der Rohe dhe projekton kryesisht ndërtesa banimi. Me Filarmoninë e Berlinit për herë të parë ai prezanton plane për një ndërtesë aktivitetesh kulturore. Planimetrinë e saj të pazakontë arkitekti e shpjegon kështu: "Me siguri nuk është rastësi që njerëzit sot si dhe në të gjitha kohërat mblidhen menjëherë në një rreth, sapo diku dëgjojnë muzikë të improvizuar. Ky proces krejt i natyrshëm, i cili është i kuptueshëm për këdo nga aspekti psikologjik dhe muzikor, duhej të shprehej edhe në një sallë koncertesh. Muzika duhej të ishte në qendër, si në aspektin hapësinor ashtu edhe në atë optik."

Filarmonia e Berlinit
Impozante edhe nga jashtë - Filarmonia e BerlinitFotografi: picture-alliance / akg-images

Shefi i Filarmonisë Herbert von Karajan entuziasmohet nga ideja e Scharoun, të tjerë si kompozitori Paul Hindemith janë skeptikë. Kritikë e ashpër vjen nga kritiku i muzikës Werner Oehlmann, të cilin e shqetësojnë mjetet ndihmëse akustike: "Jo çdo spektator në koncert ka dëshirë të kujtohet nga 'një konstruksion i dukshëm', se mrekullia e dëgjimit është një proces fizik i drejtuar nga shkenca, po aq pak sa një spektator në një shfaqje teatrale dëshiron të ketë para syve në mënyrë të dukshme projektorët."

Innenansicht der Philharmonie in Berlin, aufgenommen am 21.11.2007. Die Berliner Philharmonie am Kemperplatz im Stadtteil Tiergarten ist einer der wichtigsten Konzertsäle in Berlin und die Heimstätte der Berliner Philharmoniker. Die Philharmonie wurde 1960 bis 1963 von Hans Scharoun erbaut und gehört heute zusammen mit dem Kammermusiksaal und anderen Gebäuden zum Kulturforum Berlin am Potsdamer Platz. Foto: Soeren Stache dpa +++(c) dpa - Report+++
Arkitekti Hans Scharoun ndjek rrugë të reja - ambjente të brendshme të FilarmonisëFotografi: picture-alliance/dpa

'Kontruksioni i dukshëm' i kritikuar nga Oehlmann është një reflektor gjigant zëri, të cilin bashkëpunëtori i Scharoun, mjeshtri i akustikës Lothar Cremer, e ka tendosur si një tendë diellore mbi sheshin e orkestrës. Reflektorë të vegjël zëri të vendosur në anët e saj duhet të shpërndajnë në mënyrë të njëtrajtshme tingujt në sallë. Rezultati i këtij konstruksioni e habit publikun dhe kritikën por nuk bind plotësisht. Cremerit i duhet të punojnë edhe ca kohë me Karajanin për përsosjen e akustikës së sallës. Për prodhimin e disqeve dirigjenti dhe muzikantët e filarmonisë vazhdojnë të përdorin deri në fillim të viteve '70 Kishën e Jezu Krishtit në Dahlem. Vetëm pas kësaj kushtet akustike dhe teknike i përgjigjen kërkesave të maestros. Në atë moment projekti arkitektonik i Scharounit kishte kohë që shihej si një kryevepër tejet e arritur, që frymëzonte jo pak arkitektë.

Salla e muzikës së dhomës ndërtuar në 1987
Salla e muzikës së dhomës ndërtuar në 1987Fotografi: picture-alliance/akg

Më e preferuara nga yjet ndërkombëtare

Veç kësaj deri sot një numër i madh solistësh të shquar dhe orkestra vijnë me shumë dëshirë në "Arenën" e "Cirkut Karajan": krahas akustikës së shkëlqyer, ata vlerësojnë në veçanti shfaqjen në mesin e publikut. Filarmonia e re nuk mbeti e vetmja ndërtesë që Scharoun projektoi dhe ngriti në sheshin Kemperplatz: në 1967 ai filloi me ndërtimin e bibliotekës shtetërore të Fondacionit Prona Kulturore Prusiane. 15 vjet pas vdekjes së arkitektit, Edgar Wisniewski realizoi në 1987 sallën e muzikës së dhomës pranë Filarmonisë. Të dy ndërtesat janë dëshmi të idesë së Scharounit "ndërtesës organike". Me filarmoninë e Berlinit ai krijoi një vepër arkitektonike me vlera botërore.