1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ketë vërtetë pajtim? Irlanda e Veriut krijon qeverinë e vet

Ralf Borchert8 Maj 2007

Pas gati pesë vjetësh të stanjacionit politik Irlanda e Veriut do të ketë nga e marta një qeveri të vetën. Kryetari i partisë protestante të unionistëve, Ian Paisley, do të zgjidhet kryeministër.

https://p.dw.com/p/AqWB
Ian Paisley dhe Gerry Adams
Ian Paisley dhe Gerry AdamsFotografi: AP

Si zëvendës i tij është parashikuar ish-luftëtari i lëvizjes ilegale IRA, Martin McGuines i partisë katolike Shin Fejn. Në ceremoninë festive të marrjes së postit në Stormont marrin pjesë edhe kryeministri britanik, Toni Bler, dhe homologu i tij irlandez Berti Ahren.

Gjatë gjithë jetës së tij, Ian Paisley ka thënë jo. Kështu theksoi ai edhe në vitin 2003 si shef i partisë protestante: asnjëherë nuk do të bisedojë me partinë katolike Shin Fejn. Ndërsa tani ai po e bën këtë. Pas zgjedhjeve në Irlandën e Veriut në fillim të marsit ish-oratori i zjarrtë Paisley u ul në një tryezë me armiqtë e betuar të tij katolikë. Fillimisht e bëri këtë për të pozuar para kamerave të televizionit me shefin e Shin Fejnit, Xheri Adams, dhe më pas në takimet me dyer të mbyllura me numrin dy të Shin Fejnit, Martin McGuines.

"Ishte mjaft interesant", shprehet për takimin McGuines me një farë ngërdheshjeje. "Paisly dhe unë kemi biseduar me pesë persona të tjerë dhe i kemi shkruar Peter Hanit, ministrit britanik për Irlandën e Veriut. Secili pjesëmarrës në tryezën e bisedimeve donte të kishte një kopje të kësaj letre historike, si kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta."

Qysh nga e marta (08.05) Paisli dhe McGuines do të qeverisin së bashku në Irlandën e Veriut, kjo pas dhjetëvjeçarëve të urrjetjes, luftrave civile dhe vrasjeve nga të dyja palët si dhe pas afrimit të vështirë të arritur me marrëveshjen e së premtes së madhe të vitit 1998.

"Ky është fillimi i një të ardhmeje krejtësisht të re për njerëzit në Irlandën e Veriut", thekson kryeministri britanik Bler. Ky fillim i ri është meritë edhe e Blerit, thotë historiani Timothi Gartën Esh: "Eshtë një nga arritjet më të rëndësishme të Blerit. Ai është angazhuar dhe ka konsumuar vërtetë energji për këtë. Si rrjedhojë situata nga ndryshuar."

Krahas Toni Blerit në ceremoninë e promovimit të qeverisë në Belfast merr pjesë edhe kryeministri irlandez Berti Ahren. Bashkimi është lehtësuar përmes inxhenksioneve financiare nga Londra dhe Dublini, miliona investime janë bërë për infrastrukturën në Irlandën e Veriut. Sado që vlerësohet ndarja e pushtetit mes protestantëve dhe katolikëve ka edhe dyshime, nëse ajo do të mund të funksionojë në praktikë. Paul Bev nga Universiteti Queen i Belfastit: "Çështja është, a do të arrihet vërtetë në pajtim? Apo mos do të kemi vetëm një ndarje të ministrive dhe të sferave të influencnës dhe politikanët do të vazhdojnë të qeverisin secili sipas interesave të veta?

Ndërkohë që qytetarët do të vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin, madje edhe me rrezikun, që sërish mund të ketë trazira. Qeveria britanike beson, se vetëm krijimi i strukturave të përbashkëta politike do të reflektojë pozitivisht. Por nuk duhet të harrojmë atë që luhet në zemrat e politikanëve. Ndaj jemi ende larg pajtimit të vërtetë."

Ja se si i përshkruan Ian Paisley raportet e tij me Martin McGuinesin: "Unë nuk do të shkoj t´i vë shqelmin McGuinesit. Por unë u përmbahem strikt pikëpamjeve të mia."

Kështu shprehet në mënyrë shumëkuptimshme Paisley. Kjo mund të kuptohet, se nga jashtë po vuloset pajtimi, por nga brenda duhet ende një rrugë shumë e gjatë.