1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do ta fitojë Bosnjë e Hercegovina ndaj Serbisë e Malit të Zi?

Esat Ahmeti14 Mars 2006

Në Tribunalin e Hagës vazhdon procesi gjyqësor i filluar më 27 shkurt lidhur me aktpadinë për genocid që Bosnjë e Hercegovina ka ngritur kundër Serbisë dhe Malit të Zi.

https://p.dw.com/p/Arhn
Varrezat e Srebrenicës
Varrezat e SrebrenicësFotografi: AP

Në seancën e fundit, përfaqësuesi i Unionit Serbi Mali i Zi, Ian Braunli, deklaroi se pushteti në Beograd, nuk ka patur nën kontroll liderët ushtarakë dhe politikë të serbevë të Bosnjës, andaj nuk ka bazë që aksionet e ushtrisë së Republikës serbe t'i mvishen Republikës të atëhershme socialiste të Jugosllavisë.

Braunli, po ashtu tha se, pala boshnjake nuk ka sjellë asnjë dëshmi që autoritetet jugosllave apo ndonjë grup brenda qeverisë ka planifikuar gjenocid ndaj joserbëve të Bosnjës. Në këtë kontekst, ai veçoi raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të datës 15 nëntor 1999 me titull 'Rënia e Srebrenicës' në të cilin nuk përmendet askund ekzistenca e ndonjë plani të qeverisë së Beogradit për organizimin e genocidit.

Braunli ka theksuar gjithashtu se ish- Armata Popullore e Jugosllavisë, është tërhequr më 19 maj të vitit 1992 nga territori i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Serbe nga 28 shkurti i 1992-ës ka filluar të paraqitet si shtet i ndarë dhe se autoritetet në Beograd nuk kanë patur kontroll ndaj tij.

Për dallim, përfaqësuesi i Bosnjë e Hercegovinës në këtë proces, Fon van den Bizen ka theksuar më parë se oficerët e Ushtrisë së Republikës serbe, të cilët janë dënuar apo akuzuar nga Tribunali i Hagës për gjendocid në Srebrenicë, gjatë tërë kohës së luftës së Bosnjës, kanë qenë oficerë të Ushtrisë Jugosllave. Bizen ka përmendur shembullin e gjeneralit, Radislav Krstiq të cilën Tribunali ndërkombëtar e ka dënuar me 35 vjet burgim nën akuzën për ndihmën e dhënë në gjenocidin e kryer ndaj civilëve në Srebrenicë. Po ashtu, ai ka veçuar rastin e kolonelit Vink Pandureviq, i cili akuzohet për gjenocid dhe pritet të dënohet nga Tribunali i Hagës.

Sipas fjalëve të Bizen dokumentet e qendrës së kuadrove të Ministrisë së mbrojtjes të Republikës Socialiste të Jugosllavisë, përmes së cilës janë paguar oficerët e Ushtrisë jugosllave, dëshmojnë se Krstiq ka qenë në shërbimin aktiv të ushtrisë jugosllave dy muaj para gjenocidit të kryer në Srebrenicë.

Bizen ka cituar nga dëshmia në procesin kundër Millosheviqit të presidentit të atëhershëm jugosllav, Zoran Liliq se Këshilli i mbrojtjes së Republikës socialiste të Jugosllavisë ka formuar në nëntor të vitit 1993 Qendrën e 30 kadrovike përmes së cilës ka paguar oficerët e ushtrisë jugosllave dhe ka rregulluar statusin e tyre.

Implikimin e qeverisë serbe në gjenocidin e Srebrenicës Bizen e ka argumentuar edhe me dëshminë e gjeneralit amerikan Vesli Klark, në gjykimin e Millosheviqit. Klark pat pyetur Millosheviqin në gusht të vitit 1995 se 'përse ka lejuar që Ratko Mlladiq të vrasë të gjithë ata njerëz' ndërsa Millosheviqi i është përgjegjur se citoj:"I kam thënë të mos e bej këtë por nuk më ka dëgjuar". 'Kjo tregon se Millosheviqi e ka ditur më parë se çfarë do të ndodhë në Srebrenicë', ka thënë Bizen.

Ndërkohë që në Tribunalin e Hagës procesi vazhdon gjithnjë e më tepër dëgjohet pyetja se çfarë janë gjasat për sukses të kësaj aktpadie.

Lidhur me këtë, Herwig Roggeman profesor i njohur gjerman i të drejtës ndërkombëtare dhe njëri nga njohësit më të mirë gjerman të rrethanave politike dhe juridike në ish-territorin e ish-Jugosllavisë, thekson se Gjykata e drejtësisë në Hagë ndodhet para një detyrë të vështirë. Profesori Roggeman sqaron se ky është rasti i parë në përvojën e kësaj gjykate të Kombeve të Bashkuara të themeluar 60 vjet më parë, që një shtet ta akuzojë një tjetër për gjenocid. Por ai vlerëson se padia e Bosnjë e Herecegovinës ka gjasë për sukses.

"Eshtë shumë i rëndësishëm vërtetimi i ngjarjeve dhe vlerësimi i tyre juridik, pra vërtetimi i fakteve se a ka vepruar dhe në çfarë mase ka vepruar qeveria e atëhershme kundër së drejtës ndërkombëtare në përgatitjen dhe kryerjen e aktiviteteve militare dhe paramilitare në Bosnjë e Hercegovinë", sqaron Roggeman.

Për vërtetimin e këtyre fakteve, profesori Roggeman vlerëson se gjykata mund të mbështetet në prova materiale të cilat i ka mbledhur një gjykatë tjetër e Kombeve të Bashkuara që është e themeluar për krimet e luftës të kryera në hapësirat e ish-Jugosllavisë, poashtu me seli në Hagë.

"Atje janë mbledhur prova materiale mjaft voluminoze, jo vetëm dëshmi dhe dokumenta por edhe qindra deklarata të dëshmitarëve në veçanti në rastin kundër Milloseviqit dhe Sheshelit, edhe kundër të tjerëve por në radhë të parë kundër këtyre dyve. Me këtë gjykata ndërkombëtare mund të mbështet punë e saj", thotë Roggemann.

Bosnjë e Hercegovina me siguri që do ta fitoj procesin e aktpadisë për gjenocid kundër Serbisë e Malit të Zi të ngritur në Tribunalin e Hagës.

Kështu të paktën shpreh bindjen e tij juristi Francis Bojl i cili është edhe autor i preambulës së parë të kësaj aktpadie në bazë të së cilës më 27 shkurt në Hagë ka filluar procesi gjyqësor. Kjo aktpadi praktikisht për një kohë të gjatë ka qenë në bunker, thotë profesor Bojl. Në një bisedë me Deutsche Vellen ai thekson se kjo aktpadi ka qenë e mundur të vihet në rendin e ditës së gjykatës edhe para shtatë vjetësh:

"Ky gjykim është është dashur të bëhet që në vitin 1999 ndërkohë që kemi patur një numër përpjekjesh që kjo aktpadi të vritet krejt. Më është dashur që edhe vet të udhëtoj për Bosnjë e Hercegovinë dhe të intervenoj që ajo të vazhdoj të ekzistoj. Gjendja tani është e tillë që edhe pse procesi ka mundur të filloj në vitin 1999, tani jemi këtu ku jemi andaj marrë parasysh të gjitha vështirësitë duhet të jemi të kënaqur".

I pyetur nëse në këtë shtyrje kaq të gjatë i ka të përziera duart edhe politika, Bojl pa u hamendur përgjigjet:

"Natyrisht që po. Presionet kanë ardhur edhe përmes Riçard Hollbrukut, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe asaj të Britanisë së madhe por më vonë edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Verën e kaluar në Sarajevë, gjatë kohës së përkujtimit të Srebrenicës, një gjë të tillë ka provuar ta bëj edhe Xhek Strov, ministër britanik i punëve të jashtme", thotë profesor Bojl.

Sipas tij, presionet do të vazhdojnë dhe kërkesat që Bosnjë e Hercegovina ta zgjidhë me rrugën e ashtuquajtur "Marrëveshje gyjqësore mes palëve" këtë konflikt gjyqësor me Serbinë e Malin e Zi, do të intensifikohen. Sido që të jetë, Bojl thekson se Bosnjë e Hercegovina mund ta fitojë këtë konlikt gjyqësor. Në këtë mënyrë do të sigurohej e drejta e kërkimit të pasurisë së tundshme dhe të patundshme nga Bashkësia shtetërore Serbi Mali i Zi, në vlerë prej rreth 100 miliardë dollarëve amerikanë.

Ndërkohë opinioni në Serbi nuk beson në gjenocid.

Në emisionin 'Klopka' të televizionit BK para ca ditësh është bërë një anketë ku është shtruar pyetja: Kush ka gjasa më të mira në Gjykatën ndërkombëtare. Mbi 70 përqind e pjesëmarrësve në anketën telefonike shprehën bindjen se Serbia dhe Mali i Zi do të dalin fitues nga ky proces, për shkak se sipas tyre nuk është kryer gjenocid. Për më tepër, sipas komenteve dhe deklaratave zyrtare në Serbi është i mundshëm zhdëmtimi material i familjeve të viktimave të luftës dhe vet shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Këtyre kalkulimeve i bashkangjitet edhe akademikja Smilja Avramov, e cila ka qenë mbrojtëse e flaktë e regjimit të Millosheviqit. Ajo thotë se është e mundur që Serbia të futet në një borxh të madh për zhdëmtim dhe si shembull përmend se si Gjermania është dashur t'i paguaj Izraelit:

"Edhe Gjermania ka pranuar, ka kohë që ajo ka paguar 72 miliardë dollarë shtetit të Izraelit i cili atë kohë as që ka ekzistuar".

Tregimi i pamjeve filmike të xhiruara në vitin 1994 në afërsi të Sarajevës kanë bërë nervoz kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Pamjet filmike tregojnë atë gjatë një vizite pozicioneve të njësive të ushtrisë së Republikës Srpska. Pamjet filmike flasin më shumë sesa komentet për qëndrimin e tij ndaj luftës. Bëhet fjalë për një pozicion prej nga shihet Sarajeva e shkatërruar ndërkohë që Koshtunica mendon me zë për kohët e ardhshme me ndihmën e pjesëtarëve të formacioneve të armatosura serbe në vendosmërinë e të cilave siç e pranon edhe vet ka besuar:

"Këtu shihet në të vërtetë më së miri se si duhet të duken territoret, se si duhet të duken kufijtë e Serbisë së ardhshme. Kur them "Serbisë së ardhshme" mendoj në Serbinë nga kjo dhe ajo anë e Drines dhe si duhet të duket rregullimi i saj kushtetues".

Sikur këtë Koshtunica ta thoshte në një vend tjetër ndoshta nuk do të kuptohej si mbështetje për idenë e Serbisë së Madhe. Koshtunica, tani kryeministër i Serbisë nuk e ka ndjerë veten mirë kur është pyetur nga gazetarët se si e komenton sot atë incizim:

"E shoh si një dëshmi më shumë që aktpadia është mbi një bazë prej rëre. Nëse kjo është një prej dëshmive atëherë ajo është në këmbë të pasigurta".

Koshtunica e mohon që në Bosnjë e Hercegovinë është kryer gjenocid duke theksuar se aktpadia është edhe formalisht e pabazë për shkak se për të nuk është marrë pëlqimi i përfaqësuesit serb në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

Procesi i nisur në Hagë mund të zgjas disa muaj ndërkohë që vendimi mund të mirret në fillim të vitit 2007.