1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ketë një treg të përbashkët serbo-kroat?

24 Nëntor 2010

Presidenti i Serbisë Tadiç gjendet për vizitë dyditore në Kroaci, ku një prej temave kryesore, do të jetë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. Serbia edhe më tej ka një bilanc negativ në shkëmbimin e mallrave me Kroacin

https://p.dw.com/p/QGqj
Flamujt e Serbisë dhe Kroacisë
Flamujt e Serbisë dhe KroacisëFotografi: DW

Më shumë se 200 sipërmarrje kroate gjenden në tregun e Serbisë, ndërkohë që në Kroaci ka vetëm pak më shumë se dhjetë përfaqësi të sipërmarrjeve serbe. Dragolub Rajiç nga Unioni i punëdhënësve të Serbisë për Deutsche Wellen thotë se qeveria serbe nuk ka bërë shumë për depërtimin e mallrave serbe në Kroaci.

„Me vite të tëra kemi dëgjuar vetëm një retorikë të thatë dhe më shumë jemi grindur politikisht me njeri-tjetrin se sa që kemi punuar në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik", pohon Rajiç.

Sipas tij, qeveria kroate dhe presidenti Ivo Josipoviç kohët e fundit kanë sinjalizuar gatishmëri për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik. Vetë vizita e presidentit Tadiç në Kroaci kushtuar kësaj çështjeje tregon se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Rajiçi angazhohet për një lloj tregu të përbashkët, me shpjegimin se tregu kroat dhe ai serb janë shumë të vegjël për të mundur të konkurojnë në suazat e Bashkimit Evropian, apo dhe në Rusi, me të cilën Beogradi ka nënshkruar një marrëveshje për tregti të lirë.

Dragolub Rajiç medon se gabojnë ata, të cilët thonë se kapitali serb nuk është i mirëseardhur në Kroaci.

Presidenti kroat Ivo Josipovic, majtas, takon homologun serb Boris Tadic, në Vukovar, Kroaci, 4 nëntor 2010.
Presidenti kroat Ivo Josipovic, majtas, takon homologun serb Boris Tadic, në Vukovar, Kroaci, 4 nëntor 2010.Fotografi: AP

„Problemi qëndron në faktin se asnjë faktor serioz nuk ka bërë përpjekje të depërtojë në këtë treg, ndërkohë që nuk nuk ka pasur ndonjë sinjal se kapitali serb nuk është i mirëseardhur. Ka pasur vetëm disa përpjekje individuale për futje në këtë treg, por pa mbështetjen e qeverisë. E megjithatë në tregun kroat mund të gjesh mjaft prodhime nga Serbia", pohon Rajiç.

E ardhmja është në firma rajonale

Eksperti për investime, Mahmut Bushatlija angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të rajonit. Ai nuk e beson që në Kroaci të ketë ndonjë vendim politik kundër futjes atje të kapitalit serb.

„Ndoshta kanë ekzistuar barriera të politikës ditore, por vendimet e tilla s'kanë logjikë ekonomike. Investitorët tanë janë vetë fajtorë për mungesë prezence atje. Më kujtohen vetëm përpjekjet e Delta-s dhe grupit MK për t'u futur në tregun kroat, por këto nuk janë kompani me të cilat me dëshirë do të bashkëpunonte një vend, që është afër futjes në Bashkimin Evropian. Udhëheqësit e tyre kanë një imazh të keq. Me përmirësimin e imazhit edhe investitorët do ta kenë më lehtë të futen në tregjet e tjera", vlerëson Bushatlija.

Ndërsa Dragolub Rajiç mendon se investimet në rajon mund të përmirësohen, por në vendet e Evropës Juglindore një problem i madh është mungesa e likuiditetit.

„E ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit është në krijimin e partneritetit mes shumë firmave të rajonit. Do të thotë: firmat e vendeve të ndryshme duhet të investojnë së bashku dhe të bashkohen me qëllim që të ngrejnë nivelin e likuiditetit", propozon Rajiç.

Bushatlija është më skeptik përsa i përket mundësisë së investimeve serbe në rajon.

„Me investime nuk i kemi punët mirë as në vend, prandaj nuk mendoj se është në interesin tonë që të investojnë në vendet tjera", pohon ai.

Autor: Vesna Rajkoviç/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi