Palästina Staat
24 Shtator 2011Rrallë ka patur mbledhje të tilla emocionuese në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Deri në momentin e fundit nuk dihej nëse palestinezët, të vendosur nën presion nga SHBA dhe aleatët evropianë nuk do të trembeshin nga kurajo e tyre dhe do të hiqnin dorë nga paraqitja e kërkesës për anëtarësim të plotë në KB, për të cilën patën njoftuar prej kohësh.
Por presidenti palestinez Mahmud Abas do të ketë thënë me vete: Nëse jo tani, atëherë kur? Pas më shumë se gjashtë dekadash nga dëbimi i tyre, dy dekadash bisedime të pasuksesshme me Izraelin dhe revolucioneve të fundit në botën arabe, ka ardhur koha për krijimin e një shteti sovran palestinez. Por, a mund të krijohet një shtet që të ekzistojë edhe nga pikëpamja ekonomike nëpërmjet një kërkese në Kombet e Bashkuara? Vështirë.
Ëndrra e palestinezëve për shtetin e tyre
Megjithatë palestinezët nuk mund të pengohen në projektin e tyre të shumëpritur. Ata ndiejnë momentin historik, që i jep impuls çështjes së tyre. Një zgjidhje paqësore në Lindjen e Afërme duhet të jetë rezultat i bisedimeve midis Izraelit dhe palestinezëve. Por edhe tërthorazi, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, çështja e palestinezëve do të marrë shtysa të reja.
Izraeli i irrituar refuzon çdo lloj bisedimesh efektive. Diplomacia e komunitetit ndërkombëtar ka rënë prej vitesh në qorrsokak. Amerika ka qenë e zënë me luftën kundër terrorizmit dhe merret kryesisht me veten e vet. Evropa kërkon në koncertin e fuqive të gjejë një zë të pavarur dhe unik, por deri tani nuk e ka gjetur në çështjen e Lindjes së Mesme.
Çfarë qëndrimi mban Gjermania?
Gjermania ka dalë në prapaskenë, për të shmangur konfrontimet. Shanset ekzistojnë ende, nëse shfrytëzohet koha e trajtimit të këkesës palestineze në Këshillin e Sigurimit, për të ushtruar presion mbi Izraelin. Qeveria e Netanjahut duhet të ndalojë ndërtimin e ngulimeve në Bregun Lindor të Lumit Jordan dhe të kthehet në tavolinën e bisedimeve. Kuarteti i Lindjes së Mesme ka prezantuar një plan të ri.
Palestinezët nuk do të bien në qetësi. Nëse kërkesa e tyre për anëtarësim të plotë nuk pranohet në Këshillin e Sigurimit, ata do t'i drejtohen Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Aty ata marrin përkrahje nga shumica e 193 vendeve. Moralisht, palestinezët mund të ndihen që tani fitimtarë edhe nëse kërkesa e tyre nuk do të pranohet në Këshillin e Sigurimit, nga vetoja e SHBA-së.
Autor: Daniel Scheschkewitz/ Aida Cama
Redaktoi: Lindita Arapi