Abazoviq: Do të bëj gjithçka për pajtimin në Mal të Zi
9 Shkurt 2022Shoqëria malazeze është ende e polarizuar, thotë në një intervistë për DW, Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministër në mandatin e qeverisë së kaluar dhe kandidati kryesor për kryeministër të ardhshëm malazez. Ai do të dëshironte që Mali i Zi të jetë plotësisht i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025.
Abazoviq vlerëson se në 14 muajt e qeverisjes së Zdravko Krivokapiqit janë iniciuar shumë gjëra pozitive, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se aty janë arritur rezultate konkrete. Ai thekson se ndryshimet në administratën publike janë një proces gradual dhe pohon se tashmë është shfaqur një "valë e re njerëzish”. "Ne jemi këtu për të treguar se kohezioni social është i mundur", thotë Abazoviq, duke theksuar se do të bënte gjithçka për të parandaluar ekzistencën e "dy shteteve paralele në Mal të Zi".
"Ne e mposhtim DPS-në më 30 gusht”
Akuzave se ai po punon në shërbim të disa faktorëve të huaj, "si për shembull, për Serbinë apo të tjerë”, Abazoviq u përgjigjet se kjo është retorikë e atyre që pëlqejnë përçarjet në Mal të Zi. Ai e sheh veten si një politikan që "doli nga klishetë e deritanishme”. "E mposhtëm Partinë Demokratike Socialiste (DPS) më 30 gusht” dhe tani "duhet të ndërtojmë institucionet e sistemit”. DPS e ka "kopjuar" mënyrën e qeverisjes së saj në shumë institucione dhe kompani, e kjo tani është kapërcyer.
Qeveria e re e Malit të Zi duhet të ketë 7-8 detyra të qarta, ndër të cilat më kryesoret janë "zhbllokimi i rrugës europiane”dhe përgatitjet për sezonin e ri turistik. Abazoviq i quan këto si detyra "kryesore" dhe beson se ato janë shumë specifike, të diferencuara qartë dhe të zgjidhshme. Sidomos nëse Mali i Zi "gjen veten në një kuptim pozitiv" - bashkohet dhe çon përpara çështjet që janë në interes të "shumicës dërmuese të qytetarëve".
Qeverisë së kaluar i mungonte mbështetja e një parlamenti funksional dhe një shumicë funksionale parlamentare. Kjo duhet të zhbllokohet tani. Por jo duke bërë zgjedhje të reja pa reformë zgjedhore. Është koha për të dalë nga një "perceptim primitiv i realitetit politik”, thotë Abazoviq, duke theksuar vazhdimisht nevojën për "pajtimin e Malit të Zi”.
Nacionalizmi dhe korrupsioni
Mendime të tilla si ajo se malazezët dhe serbët nuk mund të funksionojnë së bashku në vend janë pjesë e mendimeve të vjetra: "Unë qëndroj pas tezës se korrupsioni dhe krimi i organizuar fshihen pas çdo nacionalizmi në Ballkan".
Abazoviq kujton gjithashtu se deri më tani ka pasur shumë kontakte me"bashkësinë ndërkombëtare”. Ai i kërkon asaj mbështetje, por jo në kuptimin që bashkësia ndërkombëtare të rregullojë marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi. "Kjo është detyrë ekskluzive e përfaqësuesve legjitimë të popullit," thotë Abazoviq, i cili nga bashkësia ndërkombëtare pret që "të mbështesë përpjekjet e Malit të Zi për t'u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së dhe që Mali i Zi të ruajë kursin e tij politik properëndimor."