Agjencitë e vlerësimit në kritikë
19 Gusht 2014Kur Manfred Gärtner, profesor për ekonominë në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër flet për Standard & Poor 's (S & P), ai nuk thotë asnjë fjalë të mirë për këtë agjenci vlerësimi. S & P nuk është në gjendje për asnjë dialog konstruktiv, nuk kupton koncepte elementare ekonomike dhe përhap "gënjeshtra". Moritz Krämer-in, shefin e sektorit për vlerësimet në Evropë të agjencisë S & P, ai e sulmon madje personalisht: Krämer ka një "problem me seriozitetin".
Në vitin 2012 Manfred Gärtner dhe kolegu i tij Bjërn Griesbach botuan një studim ku i akuzojnë rëndë tri agjencitë më të mëdha të vlerësimit: Standard & Poor's, Moodys dhe Fitch. Klasifikimi i ulët i vendeve si Irlanda apo Greqia për shkak të krizës financiare, shkonte sipas studimit përtej asaj që do të ishte e justifikuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike dhe financiare të këtyre vendeve.
Kjo shkaktoi një rreth vicioz: klasifikimi i gabuar shkatoi rënien e besimit të tregut tek boniteti i vendit, kjo çoi në rritjen e normave të interesit në një masë të mjaftueshme për të justifikuar më vonë degradimin e gabuar ose duke shkaktuar madje një degradim të mëtejshëm dhe ekzagjerimin e normave të interesit. "Në fund të një spirale të tillë mund të vijë falimentimi i një shteti fillimisht në fakt ekonomikisht dhe financiarisht mjaft të fortë" thekson Gärtner.
Gabimet e politikës?
"Politika ka fjetur gjumë për një kohë tepër të gjatë", mendon profesor Gärtner. Tani që ekonomitë evropiane duket se e kanë kapur përsëri veten, përpjekjet për t'iu kundërvënë me diçka pushtetit të agjencive të vlerësimit po humbasin përsëri në erë.
Rreth këtyre akuzave agjencia e vlerësimit: Standard & Poor's nuk pranoi të shprehej për Deutsche Welle-n. Megjithatë nëse do të ishte në dorën e Gärtner dhe të kolegëve të tij vlerësimi i shteteve në formën e tij aktuale duhet të ndaluara: "Unë mendoj se është e papërgjegjshme për të zvogëluar aftësinë kreditore të vendeve në një shkronjë të vetme Dhe sigurisht, nëse klasifikime të tilla që i ngjajnë leximit të filxhanit bëhen pastaj prej diletantësh, që ndonjëherë nuk i marrin gjërat me seriozitetin e duhur, atëherë e gjitha bëhet shumë kritike."