Alarm për terror në Bruksel
21 Qershor 2017Atentatori i dyshuar për sulmin në stacionin qendror të trenit në Bruksel që u qëllua nga ushtarët të martën në mbrëmje, ka gjetur vdekjen. Kjo u njoftua nga zyra e prokurorit në kryeqytetin belg duke u gdhirë dita e sotme (21.06).
Ushtarët qëlluan me armë ndaj personit të dyshuari, pasi në stacionin hekurudhor ndodhi nga ora 20:30 një shpërthim. Sipas dëshmitarëve okularë, personi i dyshnuar kishte thirrur "Allahu Ekber".
Zyra e prokurorit e klasifikoi incidentin si "sulm terrorist". Fillimisht u tha se ishte e paqartë nëse i dyshuari është ende gjallë apo jo.
Aksion i madh evakuimi
Pas shpërthimit të lëndës eksplozive stacioni i trenit u përfshi në panik dhe pasagjerët u evakuuan. Policia rrethoi edhe sheshin Grand Place në qendër të Brukselit. Qendra e Krizave në Bruksel tha se situata tani është nën kontroll.
Kryetari i komunës së Brukselit, Philippe Close, shkroi në Twitter, se qendra e qytetit është "e qetë". Kryeministri belg Charles Michel vlerësoi "guximin" e forcave të sigurimit. Ai njoftoi mbledhjen e Këshillit belg të Sigurimit për ditën e sotme.
Kërcënimi terrorist në kryeqytetin belg vlerësohet si i lartë që nga sulmet në aeroport dhe në metronë e qytetit në mars të vitit 2016. Në këto sulme që i mori përsipër IS-i gjetën vdekjen 32 vetë.
Patrulla nëpër qytet
Në Bruksel ka nosur patrullimi i ushtarëve në shumë zona të qytetit. Gjurmët e atentatorëve të Parisit, që vranë në nëntor 2015 130 vetë, çuan në kryeqytetin belg.
Të enjten dhe të premten mbahet në Bruksel samiti i BE-së.