1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bergner: Sinjal shprese për vendet e tjera të rajonit

26 Shtator 2024

Pas ndarjes së procesit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për Shqipërinë nis pjesa më e vështirë, shqyrtimi i kapitujve për zbatimin e ligjit dhe korrupsionin.

https://p.dw.com/p/4l7nq
Ambasadori gjerman nnë Shqipëri, Klaus Bergner, në përurimin e linjës së tensionit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Ambasadori gjerman nnë Shqipëri, Karl Bergner, në përurimin e linjës së tensionit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së VeriutFotografi: Deutsche Botschaft in Tirana

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të vijojë veçmas nga Maqedonia e Veriut. Përmes një vote unanime, ambasadorët e Bashkimit Europian vendosën për ndarjen e procesit të anëtarësimit për të dyja shtetet e Ballkanit Perëndimor, "fati” i të cilave u bashkua dy vite më parë, me fillimin e negociatave zyrtare me Unionin, por që ngeli në vendnumëro për shkak të mosmarrëveshjeve historike mes Sofjes dhe Shkupit.

Por duket se tashmë për Shqipërinë nis pjesa më e vështirë: hapja e kapitujve që lidhen me temat më problematike, nga të cilat vendi ka lënguar gjatë të gjithë viteve të demokracisë, siç janë mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni.

Pjesa më e vështirë

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, tha në një prononcim për Deutsche Welle se ndarja me Maqedoninë e Veriut ishte vendosur kohë më parë por u finalizua gjatë votimit të 25 shtatorit.

"Është një sinjal i mirë, sepse na lejon që të angazhohemi më në brendësi me qeverinë shqiptare, për të diskutuar çështje me rëndësi. Dhe të parat çështje të rëndësishme për t'u diskutuar janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit. Këto janë çështje të ndërlidhura, të cilat kërkojnë bashkëpunimin e shumë institucioneve dhe prekin të gjitha fushat e tjera si zhvillimi ekonomik, zhvillimi mjedisor etj. Kështu që ky është grupi i kapitujve që zakonisht hapet i pari, por mbyllet i fundit” – tha Bergner.

Ursula von der Leyen dhe Edi Rama
Për Shqipërinë tani nis pjesa më e vështirë: hapja e kapitujve që lidhen me temat më problematike, si mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni.Fotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

Sipas diplomatit gjerman qëllimi kryesor i gjithë këtij procesi është përmirësimi i kushteve të jetesës për shqiptarët, duke mbështetur një proces transformues që mund ta çojë Shqipërinë drejt Evropës. "Ashtu siç kërkonin studentët shqiptarë në demonstratat e tyre në vitet '90: Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. - tha Berger.

Sinjal shprese për vendet e tjera të rajonit

Ambasadori gjerman theksoi se hapja e negociatave me Shqipërinë është një sinjal shprese për vendet e tjera të rajonit, se Bashkimi Europian dhe shtete anëtare të tij e marrin seriozisht procesin e anëtarësimit, edhe nëse jo të gjithë përfitojnë në të njëjtën kohë.

Gjatë dy viteve të fundit, kryeministri Edi Rama fajësonte Bullgarinë për bllokimin e vendit, duke i kërkuar në mënyrë diplomatike por edhe me batuta në takimet me ndërkombëtarët, pengimin e padrejtë që po i bëhej sipas tij, Shqipërisë.

Në Shqipëri, pakica bullgare u njoh me ligj në vitin 2017. Në censin e vitit 2023, i pari pas njohjes së bullgarëve si pakicë, bullgarët përgjysmuan numrin e banorëve të vetëdeklaruar maqedonas në territorin shqiptar.

Më 18 tetor të këtij viti do të mbahet Konferenca e dytë Ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, konferencë e thirrur nga presidenca hungareze.

Elona Elezi, portret, shikon drejt e në kamera.
Elona Elezi Korrespondente nga Shqipëria dhe Ballkani