Gjendje e rëndë në Siri
18 Shkurt 2012"Dështimi i KS të OKB për të marrë një pozitë të përbashkët dhe unike ndaj Sirisë e ka trimëruar regjimin e Assadit për të shtuar dhunën ndaj kryengritësve."
Dëshpërimi dhe zemërimi i shprehur me një gjuhë jodiplomatike ndaj bashkësisë ndërkombëtare është shtuar tek komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay. Ndërkohë që përgjegjësi kryesor për dhunë dhe vrasje, përgjigjet me cinizëm: "Kush po thotë se Kombet e Bashkuara janë një institucion i besueshëm."
Assadi tallë botën
Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad po e përqesh paaftësinë e botës për të vepruar, për të ndërprerë vrasjen e qindra dhe mijëra njerëzve në vendin e tij. Të prekurin në qytetin Homs, i cili konsiderohet si një nga fortifikatat më të mëdha të kundërshtarëve të Assadit, thonë se nuk do të dorëzohen. Ndonëse e kanë të qartë se pozita e tyre është shumë e vështirë.
"Nuk e kam idenë se kur do të na prek edhe neve. Kur të qëllojnë me armë ne ikim."
"Bandat e Assadit gjithmonë bërtasin 'Bashari dhe asnjë tjetër'. Nëse askush tjetër nuk është më i mirë se Assadi ne do të zgjedhim pra këtë askushin!"
Realiteti në Homs dhe humbja e realitetit në Damask
Assadi nuk është askushi për grupet e sirianëve të cilët ende e respektojnë. Por të tjerët nuk e duan Assadin, e ata për presidentin janë terroristë.
"Shumica e sirianëve duan reforma. Por ata nuk dalin në rrugë, nuk i shkelin ligjet dhe nuk e vrasin askend. Të tillë janë shumica", pohon Assad.
Përfaqësuesit e shumë vendeve janë të zhgënyer dhe të dëshpëruar me qëndrimin e tij, sipas motos: mua askush s'mund të më bëjë asgjë!. Sanksionet, apelet dhe denimet e regjimit të Assadit duket se nuk po japin rezultatet e pritura. Përfaqësuesit e regjimit në Siri thonë se ndërrimi i regjimit do të sillte një gjendje kaosi si në Irak, pas rrëzimit të Sadam Huseinit. Ndërkohë që, sipas tyre, ndërhyrja ushtarake në Siri, si në rastin e Libisë do të shkaktonte një luftë të përgjithshme në Lindjen e Mesme. Kështu shprehet edhe Ekmeleddin Ihsanolu, shefi i Organizatës së Vendeve Islamike.
Qëndrimet pro dhe kundër ndërhyrjes
"Ne jemi shumë të prerë kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri. Shikoni Irakun, Libinë, Somalinë dhe Afganistanin: ndërhyrjet në këto vende vetëm sa i ka nxitur konfliktet dhe nuk i kanë zgjidhur problemet."
Po çfarë duhet bërë, në qoftë se ndërhyrja ushtarake nuk është zgjidhje e mirë, ndërsa mjetet diplomatike kanë dështuar? Eksperti për Lindjen e Mesme Rami Khoury pohon se nuk duhet hequr dorë nga përpjekjet për të bindur regjimin e Sirisë që të heqë dorë nga dhuna.
Po si qëndron puna me viktimat e dhunës? Ata mbeten me zemrimin e tyre, pamundësinë për të vepruar dhe luftën pa alternativë, duke lutur botën që të ndihmojë: "Ju lutem, ndaloni vrasjet në Siri!"
Autor: Ulrich Leidholdt/Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama