1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aprovim në Berlin për misionin e Gazës

Mathias Bölinger /Auron Dodi8 Gusht 2014

Ministri i Jashtëm izraelit Lieberman u kërkon gjermanëve në një intervistë që të marrrin pjesë në kontrollin e kufijve në Rripin e Gazës. Në Berlin ai gjen mbështetje.

https://p.dw.com/p/1CqxD
Kalimi kufitar Rafah
Fotografi: picture-alliance/dpa

Politikanë të kampeve të ndryshme politike e quajnë të mundur një pjesëmarrje të Gjermanisë në kontrollin e kalimit kufitar Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit. "Unë personalisht mendoj që këtu ne jemi të detyruar dhe nuk duhet t'i mbyllim sytë", thotë Reinhard Robbe, kryetari i shoqatës gjermano-izraelite, i cili më parë ka qenë i Ngarkuari me Çështjet e Mbrojtjes i Bundestagut. "Gjermania ka megjithë të kaluarën e saj një përgjegjësi të veçantë".

Liebermani kërkon rol drejtues gjerman

Forca evropiane të Mbrojtjes së Kufirit e kanë kontrolluar kalimin kufitar Rafah edhe në vitet 2005-2007, pasi Izraeli i pati dhënë fund pushtimit të Rripit të Gazës. Pas fitores në zgjedhje të Hamasve në vitin 2007, BE i dha fund misionit. Ditët e fundit, ministri i Jashtëm gjerman propozoi që këto kontrolle të rifillojnë. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman e përshëndeti këtë ide në një intervistë që dha. BE duhet të "dërgojë inspektorë, të cilët të kontrollojnë tregtinë e Gazas me fqinjët e saj", tha ai. Gjermania "duhet të marrë përgjegjësi si drejtuese e një misioni të tillë". E paqartë mbetet megjithatë se çfarë qendrimi kanë Hamasët për këtë ide dhe nëse Egjipti do të lejonte një hapje të kalimit kufitar. Kairo, e cila vepron me ashpërsi në vend kundër islamistëve, dëshiron që Hamasët të izolohen në plan ndërkombëtar.

"Që Gjermania të marrë pjesë, për këtë duhet të jenë dakord të gjitha palët", thotë Niels Annen, zëdhënës i politikës së jashtme i socialdemokratëve. Edhe ai sheh megjithatë në hapjen e pikës kufitare nën kontroll ndërkombëtar një rrugë të drejtë. "Po të ruhet bllokada, do të hapen sërish tunele të reja", paralajmëron Annen. Edhe partia opozitare E Majtë, e cila si traditë i sheh me skepticizëm misionet në botën e jashtme të forcave gjermane të sigurisë, sinjalizon mbështetje. "Po të jetë në gjendje të mbështesë BE, le ta bëjë", thotë eksperti për politikën e jashtme, Stefan Liebich. Dhe nëse Gjermania do të ishte në gjendje të japë kontribut për këtë, ai do ta mbështese këtë hap, tha Liebich. Një rol më të gjerë të Gjermanisë dhe të BE propozoi kristiandemokrati Philipp Missfelder. "Një mision vëzhgues mund të ndihmonte në çarmatosjen e grupeve radikale në Rripin e Gazës", propozon ai.