Armiku i dashur - "Bethlehem"
11 Janar 2014I riu palestinez Sanfur është vetëm 15 vjeç kur rekrutohet si informator nga Razi, oficeri shumë më i vjetër i shërbimit të fshehtë izraelit. Jo rastësisht, vëllai i Sanfur-it është një luftëtar palestinez në ilegalitet të cilin Razi e kërkon për ta vrarë. Me kalimin e kohës, gjatë dy viteve në vazhdim mes Sanfur dhe Razi lind një miqësi e ngushtë: Sanfur, i cili këtë pjesë të jetës së tij e kaluar nën hijen e vëllait të tij të vjetër, gjen te Razi figurën e të atit. Razi, nga ana tjetër, ofron dashurinë reciproke por përdor djalin e ri edhe për qëllimet e tij.
Jeta e rrezikshme e dyfishtë
Sanfur përpiqet jashtëzakonisht për të përmbushur kërkesat e agjentit dhe në të njëjtën kohë t'i qëndroj besnik vëllaut të tij. Gjithashtu edhe për Razi gjithnjë e më shumë turbullohen kufinjtë. Në fund, të dy bëjnë një zgjedhje që do të ndryshoi jetën e tyre përgjithmonë.
Duhet të tregoheshin të dyja anët
"Bethlehem" hidhet në mes të perspektivave të ndryshme poshtë e përpjetë. Gjithmonë vlen mendimi i karakterit që shoqërohet nga kamera dhe kjo është ajo që e bën filmin kaq autentik.
Për regjisorin izraelit Yuval Adler ishte e qartë që në fillim se ai mund të shkruaj skenarin për një film të tillë vetëm me një palestinez së bashku: "Unë doja të tregoja se një bashkëpunim i tillë është i mundur". Dhe kështu ai morri në bordin e tij gazetarin arab Ali Waked.
Dy botë - një film
Adler dhe Waked vijnë nga mjedise tepër të ndryshme. Adler është një hebre izraelit dhe ka punuar për shërbimin e inteligjencës ushtarake. Waked është musliman dhe për shumë vite ka punuar si gazetar dhe aktivist në Ramallah dhe Gaza.
Gjatë hulumtimeve të bëra për filmin, Adler dhe Waked kanë intervistuar ndër të tjera edhe pjestarë të Brigadave Al-Aqsa dhe Hamasit. "Ishte e ndërlikuar, por jo e rrezikshme, për të bindur ata që të zbulojnë diçka për veten", theksojnë ata në intervistë me DW. Por e vështirë ishte për të marrë informacion mbi metodat e shërbimit sekret izraelit Shin Beth.
"Ne para së gjithash kemi marrë informata nga ish agjentët", thotë Waked. "Ata të cilët aktualisht punojnë për shërbimin sekret, shpesh nuk guxojnë të flasin." Kjo është arsyeja kryesore përse hulumtimet për këtë film kanë zgjatur mbi katër vjet. Rezultati i këtyre hulumtimeve është një film pa zbukurim të gjërave me mprehtësinë e gati një dokumentari. Adler dhe Waked tregojnë se si shërbimi inteligjent rekruton informatorët e tij. Ai nuk punon me forcë apo shantazh. Truku qëndron në ndërtimin e një marrdhënie të ngushtë, një marrdhënie të vërtetë. Me këtë rast u turbullohen kufinjët edhe agjentëve sidomos atyre "të mirëve".
As drejt e as gabim
"Bethlehem" tregon historinë e joshjes dhe varësisë reciproke, urrejtjes, dashurisë dhe zhgënjimit. Publiku nuk është në gjendje që të pëlqejë personazhet karizmatike. Në të njëjtën kohë ai nuk është në gjendje as t'i urrejë ata. Është ky dualitet i ndjenjave, paaftësia për të dalluar të mirën nga e keqja, ato që Waked dhe Adler donin të prezantonin përmes figurave të Sanfur dhe Razi.
"Ne nuk kemi dashur të fusim simbolikë në film. Nuk ka drejt ose gabim, por vetëm ndjenja të vërteta", thotë Yuval Adler. Në fund publiku mbetet i hutuar, vetëm me veten e tij. Pikërisht kjo është ajo që ka dashur të arrijnë autorët Waked dhe Adler. Nuk ka zgjidhje të gatshme të parapërgatitura, kjo nuk është puna e regjisorit, shpjegon Adler.
Shpresë për të ardhmen
Megjithatë, të dy kineastët shikojnë me shpresë nga e ardhmja dhe besojnë në dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme. "Sidomos filmi ynë tregon se ne duhet t'i japim fund kësaj situate të tensionuar", thotë Yuval Adler. "Bethlehem" ishte në Izrael filmi më i shikuar në vitin 2013. Vepra e Adler dhe Waked ka fituar disa çmime, duke përfshirë Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 2013.
Në territoret palestineze filmi "Bethlehem" nuk është shfaqur ende.Edhe pse shumë prej aktorëve janë palestinezë. Organizimi i shfaqjes së filmave izraelitë është tepër i vështirë, thotë Waked. Sidomos kur për prodhimin e tyre ndahen para izraelite.