1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestimi i Eva Kaili: Korrupsioni në Bruskel

12 Dhjetor 2022

Arrestimi i zëvendëspresidentes Kaili është një gotitje e fuqishme për PE. Korrupsioni në Bruksel ka shqetësuar edhe shumë të tjerë.

https://p.dw.com/p/4KoQo
Eva Kaili, eurodeputete e PASOK-ut grek. Kaili ka qenë një nga 14 nënkryetarët e deritanishëm të Parlamentit Europian
Eva Kaili, eurodeputete e PASOK-ut grek. Kaili ka qenë një nga 14 nënkryetarët e deritanishëm të Parlamentit EuropianFotografi: Petros Giannakouris/AP/picture alliance

Zëvendëspresidentes greke të Parlamentit Evropian, Eva Kaili, e arrestuar për korrupsion, i janë hequr të gjitha kompetencat zyrtare. Kështu ka vendosur kryetarja e Parlamentit, Roberta Metsola. Ndërsa Parlamenti Evropian duhet të vendosë tani për fatin e saj politik brenda këtij institucioni. Metsola caktoi për të hënën pasdite një takim me krerët e grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian, ku u trajtua kjo çështje.

Kaili ka qenë një nga 14 nënkryetarët e deritanishëm të PE. Ajo, si edhe personat e tjerë të arrestuar, dyshohet se ka marrë para nga Katari për të ndihmuar në marrjen e vendimeve politike në favor të këtij vendi, ku po mbahet Kampionati Botëror i Futbollit. Dyshohet se ajo ka marrë pjesë edhe gjatë një votimi për vizat ndaj këtij vendi, ndonëse nuk e ka pasur këtë të drejtë.

Gjenden qindra euro gjatë kontrolleve

Eva Kaili
Eva KailiFotografi: Christoph Hardt/Panama Pictures/picture alliance

Ish-moderatorja televizive dhe anëtarja e Pasok-ut grek, Evdokia Eva Kaili(44), u ndalua të premten (09.12) me pesë të dyshuar të tjerë. Sipas raportimeve të mediave, katër janë arrestuar dhe po mbahen nën masa arresti, mes tyre edhe Kaili. Thuhet se gjatë kontrolleve në Bruksel u gjetën çanta plot me para – gjithsej 600 mijë euro, e janë sekuestruar edhe telefona celularë.

Gazeta belge "Le Soar” shkruan se paratë janë gjetur edhe në banesën e Kailit. Përveç saj, u arrestua edhe ish-deputeti socialdemokrat i Parlamentit Europian nga Italia, Antonio Panceri, si dhe partneri i Kailës, gjithashtu italian, i cili punonte në Parlament si këshilltar për politikën e jashtme dhe të drejtat e njeriut.

Të shtunën në mbrëmje (10.12) u kontrollua shtëpia e një tjetër eurodeputeti. Sipas mediave bëhet fjalë për socialdemokratin belg Marc Tarabella.

Marc Tarabella
Marc TarabellaFotografi: Dirk Waem/BELGA/picture alliance

Hetimi duhet të tregojë nëse Kaili dhe të tjerët përfaqësonin ilegalisht interesat e Katarit. Kaili tërhoqi vëmendjen në nëntor kur Parlamenti Evropian debatoi një rezolutë për të kritikuar organizimin e Kampionatit Botëror në Katar.

Ajo deklaroi gjatë debatit se Katari është një vend lider sa i përket të drejtave të punëtorëve. Sipas saj, Kampionati është një provë tjetër se "diplomacia sportive mund të sjellë një ndryshim historik në një vend, reformat e të cilit frymëzuan botën arabe".

Vendi organizator i Kampionatit është kritikuar prej vitesh për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut dhe kushteve për punëtorët e huaj. Anëtarë të shumtë të ish-Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që i dha Katarit të drejtën e organizimit të Kampionatit në vitin 2010, janë dënuar për korrupsion. Katari gjithmonë i ka mohuar akuzat për ryshfet.

Në Bruksel ka rreth 25.000 lobiistë

Skandali me arrestimin e Kailës dhe të tjerëve kërcënon t'i japë një goditje të madhe imazhit të Parlamentit Evropian, i cili prezantohet si lider në luftën kundër korrupsionit.

Deputetja nga radhët e SPD-së gjermane dhe nënkryetarja e Kuvendit, Katarina Barley, është e zemëruar dhe e zhgënjyer për këtë: "Nuk e tolerojmë korrupsionin. Korrupsioni është helm për demokracinë," tha Barley. Ajo kujtoi gjithashtu se Parlamenti Evropian në fakt ka rregulla strikte kur bëhet fjalë për punën e lobiistëve, shumë më të rrepta se shumica e parlamenteve kombëtare.

Parlamenti Evropian
Parlamenti EvropianFotografi: Dwi Anoraganingrum/Geisler-Fotopress/picture alliance

"Parlamenti Evropian është në fakt një nga më transparentët në Evropë”, thekson Daniel Freund, bashkëkryetar i grupit të punës kundër korrupsionit të Parlamentit Europian. Edhe deputeti ekologjist është i shokuar nga hetimi dhe kërkon zbardhjen e plotë të akuzave.

Megjithatë, siç thekson në komentin e tij Klaus Remme, korrespondent i radios gjermane Deutschlandfunk nga Brukseli, shumë nga rregullat e transparencës të Parlamentit Evropian janë "vullnetare, mbikqyrja e tyre është e pamjaftueshme dhe fakti që vendet e treta janë të përjashtuara nga kërkesat për publikimin e të dhënave, krijon një hendek të madh”.

"Rreth 25,000 lobistë bredhin në Bruksel”, thekson ai dhe shton: "Rregullat për transparencën duhet të rishikohen dhe përmirësohen për të mbrojtur shumicën dërrmuese të deputetëve që përpiqen çdo ditë për ta bërë Parlamentin Evropian me të vërtetë zërin e besueshëm të të gjithë europianëve”.

bc (dpa,ard,dlf)