Arrihet marrëveshja për mbikqyrjen bankare në zonën e euros
13 Dhjetor 2012Pas bisedimesh të ashpra ministrat e financave të BE-së ranë dakord mëngjesi e së enjtes (13.12.2012) në takimin e zhvilluar në Bruksel për arkitekturën e mbikqyrjes bankare në zonën e euros. Të gjitha bankat e mëdha dhe institucionet publike monetare do t`i nënshtrohen në të ardhmen një kontrolli unik të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), tha ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble. Një komision ndërmjetësimi duhet të zgjidhë rastet e konflikteve, në mënyrë që Këshilli i BQE-së të mos jetë institucioni që thotë fjalën e fundit. Komisari i financace Michel Barnier foli për "një marrëveshje historike". Sipas fjalëve të tij kontrolli bankar duhet të jetë gati më 1 mars 2014.
"Një kontribut i mirë për samitin e BE-së"
Të gjitha bankat, shuma e bilancit të të cilave është mbi 30 miliardë euro ose më shumë se 20 përqind e prodhimit të brendshëm bruto të vendit, do t`i nënshtrohen kontrollit. Deri në pranverë duhet të përgatitet kuadri ligjor i cili duhet të aprovohet edhe nga parlamentet. Kontrolli bankar është një nga gurët e rëndësishëm themeltar në zonën e euros. Sa kohë që ai punon në mënyrë efektive, mundëson ndihmat direkte bankare për shpëtimin e euros
Schäuble deklaroi se rezultati tregon, se "Ne u përmbahemi vendimeve, për të cilat kemi rënë dakord, për ta çuar Evropën hap pas hapi përpara." Sipas Schäubles, ekziston një ndarje e qartë midis kontrollit evropian dhe atij kombëtar, por është garantuar edhe pavarësia e BQE. Ndaj ai është i mendimit, se u miratuan pikat kyçe, për krijimin e një kontrolli bankar evropian. Schäuble shtoi: "Ky është një kontribut i mirë për takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, që nis punimet në Bruksel."
Projekt prestigjoz për forcimin e besimit
Marrëveshja u arrit pas mbledhjes maratonë. Gjermania dhe Franca i hapën rrugë këtij projekti përmes një dokumenti kompromisi të përpiluar së bashku. Ato ranë dakord lidhur me dy çështje – numrin e bankave që do të mbikqyren dhe ndarjen strikte të vendimeve të plotikës monetare nga mbikqyrja bankare në Bankën Qendrore Evropiane. Deri në fund ishte e diskutueshme pjesëmarrja e vendeve jashtë zonës së euros, të cilat duan t'i bashkohen kësaj mbikqyrjeje si dhe roli i institucionit ekszitues të mbikqyrjes, Autoriteti Bankar Evropian.
Kontrolli qendror i më shumë se 6000 bankave në eurozonë konsiderohet si projekt presigji dhe ka për qëllim të rikthejë besimin tek bankat në kushtet e krizës së borxheve.