1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentatori në Norvegji pranon fajin - dyshohet edhe një person tjetër

24 Korrik 2011

Është një tragjedi kombëtare, tha kryeministri i Norvegjisë Stoltenberg. Hetimet kanë vazhduar me intensitet të lartë. Çfarë fshihet vërtet prapa atentateve në Norvegji, që u kushtuan jetën më shumë se 90 vetëve?

https://p.dw.com/p/122BN
Norvegjezët nderojnë viktimatFotografi: dapd

I arrestuari Anders Behring Breivik ka pranuar fajin pë sulmet terroriste në Oslo dhe në ishullin Utöya, bëri të ditur avokati i norvegjezit 32 vjeçar. Si pasojë e sulmeve të kryera ditën e premte kanë vdekur të paktën 92 njerëz dhe janë plagosur 97, kumtoi policia. Dyshohet se numri i të vdekurve do të shtohet, pasi që ka dhe persona të zhdukur. Hetimet flasin që pas këtyre sulmeve ka gjasa të jetë edhe një bashkëpunëtor i mundshëm. Sipas të dhënave të policisë, Breivik është një i krishterë fundamentalist i lidhur me ekstremistë të krahut të djathtë.

Masakra e ktheu ishullin Utöya nga një parajsë pushimesh për të rinjtë në një ferr, deklaroi i tronditur kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg, pas gjakderdhjes në kampin e pushimeve të organizatës rinore të Partisë së tij Socialdemokrate. Në një konferencë për shtyp të shtunën (23.07.2011) ai tha se tragjedia në ishullin Utöya para brigjeve të Oslos, është katastrofa më e rëndë në Norvegji që prej Luftës së Dytë Botërore. Akti është "i pakonceptueshëm", tha Stoltenberg. Kryeministri norvegjez tha se njihte shumë prej viktimave në Utoya dhe do të vizitojë gjatë ditës të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit e masakrës. Flamujt në vend do të ulen në gjysmë-shtizë.

Ishulli norvegjez Utoya
Nga parajsë pushimesh në ferr - kampi i të rinjve në ishullin Utoya.Fotografi: dapd

Të paktën 92 vetë u vranë në atentatin e dyfishtë të premten. Pjesa më e madhe e viktimave ishin në ishullin e vogël Utöya ku një atentatori i maskuar si polic të premten në mbrëmje hapi zjarr ndaj të rinjve në kamp. Rreth 30 minuta kohë ka patur atentatori deri sa në ishull mbërriti komando speciale, e cila i dha fund gjakderdhjes dhe ndaloi vrasësin.

Pak orë para masakrës në ishull, një atentat shkatërrimtar me bombë në Oslo u mori jetën të paktën shtatë vetëve. Shumë persona të tjerë u lënduan. Fuqia e shpërthimit të premten pasdite shkatërroi shumë ndërtesa, ndër të tjera edhe zyrën e kryeministrit Stoltenberg, i cili në atë moment nuk ndodhej atje.

Shpërthimi në kryeqytetin norvegjez Oslo.
Shpërthimi në kryeqytetin norvegjez Oslo.Fotografi: dapd

Në kërkim të gjurmëve

Sfondi i dy atentateve është ende i paqartë. Stoltenberg dhe ministri i Drejtësisë Knut Storberget paralajmëruan të mos nxirren konkluzione të nxituara. Sipas të dhënave të deritanishme 32-vjeçari i arrestuar ka prirje të djathta dhe anti-islame. Mesazhet në internet të të dyshuarit flasin për "fundamentalizëm të krishterë". Policia nuk përjashton që i dyshuari të jetë pjesë e ndonjë grupi. Sipas të dhënave të policisë i dyshuari është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë.

Stoltenberg kërkon të shmangë panikun

Aktualisht nuk ka asnjë arsye për të rritur nivelin e sigurisë në Norvegji, tha kryeministri. Ushtria po bashkëpunon ngushtë me policinë. Ndërtesa e qeverisë është aktualisht jashtë funksionit dhe takimet mbahen në një tjetër vend, tha Stoltenberg.

Më parë banorëve të Oslos u ishte bërë thirrje të qendronin në shtëpitë e tyre. Por autoritetet duan ta zbusin hap pas hapi këtë masë. Norvegjia është "një shoqëri e hapur dhe karakterizohet nga toleranca, dhe këtë duam ta ruajmë edhe pas masakrës", tha Stoltenberg. Qeveria tani do të reagojë që këto vlera të mos vihen në rrezik. Sot (24.07) do të mbahet edhe një manifestim qendror përkujtimor për të gjitha viktimat.

Autor: Nicole Scherschun/E. Xhani/Agenturen

Redaktoi: Bahri Cani