1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atmosferë anti-izraelite në Gjermani

Jeanette Seiffert/Vilma Filaj-Ballvora23 Korrik 2014

Në demonstratat pro Gazës në qytetet europiane po shtohen incidentet antisemitiste. Në Gjermani është ndezur debati: Ku kalon vija e kufirit, që ndan kritikën ndaj Izraelit me urrejtjen kundër hebrenjve?

https://p.dw.com/p/1Cgv2
Fotografi: picture alliance/Martin Lejeune

"Policia e Berlinit dorëzohet para urrejtësve të hebrenjve", kështu titullohet një artikull i "Berliner Tagespiegel", që shpërndahet me shpejtësi nëpër rrjete sociale. Në demonstratën e Berlinit arabët kanë bërë thirrje si "çifut, çifut, ti derr frikacak dil dhe lufto vetëm në ta mban" dhe policët nuk kanë ndërhyrë. Ato që në shumë qytete europiane kanë filluar si demonstrata paqësore për Lindjen e Mesme kanë përfunduar shpesh në skena trazire të shoqëruar nga kore parullash kundër hebrenjve. Situata u shkallëzua në Francë, kur në fundjavë të rinjtë u përleshën me policinë para një sinagoge. Edhe autoritetet e Berlinit po hetojnë kundër një predikuesi mysliman nga xhamija Al-Nur e distriktit Neukëlln të Berlinit, i cili në një video në internet ka bërë thirrje për vrasjen e hebrenjve.

Eksceset antiizraelite të papranueshme
Eksceset antiizraelite të papranueshmeFotografi: Adam Berry/Getty Images

Yakov Hadas-Handelsmann nga viti 2012 ambasador i Izraelit në Gjermani shprehet me zemërim për incidente të tilla. "Ne nuk kemi gjë kundër demonstratave dhe lirisë së shprehjes, ky është thelbi i demokracisë, por kur tregohet dhunë kundër policisë apo demonstratave pro-izraelite, është e palejueshme. Mendoj se kjo duhet të shqetësojë edhe gjermanët. Sepse aty dëgjohen edhe shprehje të tilla, çifutët në gaz, të dëgjohet një gjë e tillë në Gjermani?"

Ndërkohë politikanët e të gjitha partive i kanë dënuar shprehjet antihebraike. Ende qeveria gjermane nuk sheh rrezikun e një gjendjeje të shtuar gatishmërie, por po bëhet gjithçka për të mbrojtur institucionet e hebrenjve, tha një zëdhënëse e qeverisë.

Islamistët ndezin atmosferën kundër hebrenjve

Në këtë mënyrë konflikti në Gazë ka ardhur në zemër të Europës, analizon politologu Stephan Grigat, madje edhe shprehja direkte e urrejtjes kundër Izraelit në Gjermani. "Nuk duhet të bësh ndonjë diferencim të madh për të parë se ky është antisemitizëm i pastër, si ndoshta në këtë vend e kemi dëgjuar për herë të fundit para 70 vjetësh." Për ekspertin Grigat, nga Instituti i Judaistikës në Universitetin e Vjenës, atmosfera anti-izraelite në vend nuk vjen papritur.

Protesta në Francë: "Agresivitet i jashtëzakonshëm"
Protesta në Francë: "Agresivitet i jashtëzakonshëm"Fotografi: picture-alliance/dpa

Që në konfrontimin e fundit të Izraelit me Hamasin në vitin 2012 ka pasur demonstrata me mijëra pjesëmarrës. Asokohe ishin më shumë grupe të majta që shpesh formulonin një kritikë të ekzagjeruar kundër Izraelit, thotë Grigat, por tani demonstratat dominohetn nga grupet islamiste. "Shumë pjesëmarrës e pranojnë Hamasin hapur, apo Hizbollahët e xhihadin islamik." Sipas eskpertit Grigat pas tyre fshihet një taktikë intrigante. "Ata i përdorin pamjet e civilëve të vrarë në Gazë në fushatën e tyre propagandistike me qëllim të proklamimit të një traditë antisemitiste të 'Izraelit fëmijëvrasës'." E re në këto demonstrata është edhe "agresiviteti i qartë" dhe fakti që brenda një kohe të shkurtër janë mobilizuar mijëra vetë.

Stephan Grigan ka konstatuar në shumicën gjermane një rritje të qëndrimit armiqësor kundrejt Izraelit. "Duhet shtruar pyetja se pse mjaftojnë 200 palestinezë të vrarë për të mobilizuar mijëra vetë dhe askujt nuk i intereson, kur në Siri humbasin jetën qindra mijëra vetë.

Kritika ndaj Izraelit

Se sa të ndershme janë shqetësimet për palestinezët e vrarë dhe të plagosur, kjo debatohet me shumë zell aktualisht në rrjetet sociale. Shumë shprehin shqetësimin se kriza e Gazës po instrumentalizohet. "Kur unë isha kundër luftës në Irak, ngrita zërin "ndaloni luftën në Irak", shkruan një përdoruese e twitter, "por kur ju jeni kundër luftës në Lindjen e Mesme, pse thërrisni atëherë "poshtë Izraeli?"

Demonstratë pro Gazës në Vjenë: Mijëra për palestinezët, askush për Sirinë?
Demonstratë pro Gazës në Vjenë: Mijëra për palestinezët, askush për Sirinë?Fotografi: Reuters

Ndërsa një tjetër pyet - "kur mund të cilësohet kjo që po ndodh tani gjenocid, pa u parë si antisemitizëm?" Rolf Verleger, vetë me origjinë hebreje dhe ish-anëtar i direktoriumit të Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, i jep përgjegjësi edhe qeverisë izraelite. "Kush na e solli këtë gjendje?", pyet ai në një intervistë për radion gjermane, Deutschlandfunk, dhe shton se Rripi i Gazës është kthyer në një burg të madh. Kritika ndaj politikës së Izraelit në Gazë duhet të jetë e mundur, pa u vendosur në këndin antisemitist. "Po qe se politikanët dhe mediat tona, thonë, po është në rregull çdo gjë që bën Izraeli, po qe se përfaqësuesit e hebrenjve në Gjermani dhe Francë thonë: Çfarë bën Izraeli është gjithmonë e duhura - atëherë kështu ne i nxisim vërtet parullat antisemitiste."