1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Baerbock: "Ne jemi në anën tuaj"

7 Tetor 2024

Në përvjetorin e masakrës së Hamasit në Izrael më 7 tetor, ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock ritheksoi solidaritetin gjerman. Këshilli Qendror i Hebrenjve paralajmëroi nga urrejtja e rrënjosur ndaj hebrenjve.

https://p.dw.com/p/4lSAK
Annalena Baerbock duke folur në Bundestag
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena BaerbockFotografi: dts-Agentur/picture alliance

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e përshkroi masakrën e Hamasit një vit më parë më 7 tetor si një pikë kthese në historinë e hebrenjve dhe atë gjermane. 7 tetori 2023 mbetet një pikë kthese për hebrenjtë, pas së cilës ka vetëm një "para" dhe "pas", shkroi politikanja e Gjelbër në një artikull të ftuar për gazetën gjermane "Bild am Sonntag". "7 Tetori është gjithashtu një pikë kthese edhe për ne në Gjermani", ka shkruar Baerbock, duke theksuar, se i vjen turp që prej atëherë hebrenjtë janë ndjerë më pak të sigurt në Gjermani dhe se sulmet antisemite janë shtuar – dhe raketat iraniane kundër shtetit të Izraelit festohen në rrugët gjermane. "Ne e kundërshtojmë këtë me fuqinë e plotë të ligjit”, theksoi Baerbock.

Duke iu drejtuar popullit të Izraelit, ajo tha: "Ne qëndrojmë në krahun tuaj. Siguria juaj është pjesë e kauzës sonë shtetërore. Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Kundër dhunës së Hamasit, si dhe kundër terrorit me raketa të Iranit dhe Hezbollahut”. Më 7 tetor 2023 organizata e Hamasit, që kategorizohet si terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera kreu një sulm të pashembullt në Izrael, ku u vranë më shumë së 1200 vetë dhe u morën më shumë se 250 pengje. Ky ishte shkas për luftën e Gazës, në të cilën rreth 42,000 palestinezë janë vrarë deri më tani, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi.

"Një pikë e re e ulët e humanitetit"

Duke pasur parasysh protestat e paralajmëruara anti-izraelite përpara përvjetorit të masakrës së Hamasit më 7 tetor, Këshilli Qendror i Hebrenjve ka bërë thirrje për një vështrim realist të urrejtjes së rrënjosur ndaj hebrenjve në Gjermani. "Skenat ngazëllyese në rrugët gjermane pas sulmit me raketa të Iranit ndaj Izraelit, si dhe thirrjet për protesta të hapura të urrejtjes ndaj Izraelit rreth përvjetorit të terrorit të Hamasit më 7 tetor janë brenda shoqërisë tonë," tha presidenti i Këshillit Qendror Josef Schuster për "Rrjetin Redaksional Gjermania".

Josef Schuster, president i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani
Josef Schuster, president i Këshillit Qendror të Hebrenjve në GjermaniFotografi: RALF HIRSCHBERGER/AFP

"Kushdo që, në këtë përvjetor të këtij sulmi mizor, nuk është në gjendje të ndjejë të paktën pak ndjeshmëri për hebrenjtë, për popullin e Izraelit, ai nuk do ta bëjë kurrë këtë dhe ka një problem të madh”, theksoi presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve. "Nëse ne në Gjermani nuk e dallojmë dhe emërtojmë qartë se këta njerëz ekzistojnë mes nesh, atëherë të gjithë kemi një problem të madh”, tha Schuster. "Atëherë shoqëria jonë e hapur, në të cilën dinjiteti njerëzor është mbi gjithçka tjetër, rrezikon të shembet.

Shumë tubime në përvjetorin e masakrës së Hamasit

Në Gjermani në disa mitingje do të kujtohet masakra e organizatës tërroriste të Hamasit në Izrael më 7 tetor vitin e kaluar. Nga ana tjetër është bërë thirrje për demonstrata të tjera për të protestuar kundër luftës së Gazës - ku veçanërisht në Berlin priten mesazhe antisemite në këto demonstrata. Policia po përgatitet për të siguruar zhvillimin e demonstratave në përvjetorin e 7-tetorit me rreth 2000 policë.

Miting proizraelit në Berlin, lexohen parulla me mbishkrime "Lufto antisemitizmin"
Miting proizraelit në Berlin, 5 tetor 2024Fotografi: Christian Mang/REUTERS

Që të shtunën, qindra njerëz në Berlin përkujtuan masakrën e Hamasit në Izrael dhe luftën e Gazës me mitingje dhe demonstrata. Sipas policisë, mbi 1000 njerëz morën pjesë në një marshim proteste pro-palestineze dhe rreth 650 erdhën në një tubim pro-izraelit.  Një zëdhënës i policisë i përshkroi demonstratat në përgjithësi si "kryesisht pa probleme".

Miting propalestinez në Berlin, 5 tetor 2024, një grua lexon tekste të shkrimtarëve palestinezë
Miting propalestinez në Berlin, lexohen tekste të shkrimtarëve palestinezëFotografi: Jörg Carstensen/dpa/picture alliance

Edhe në Izrael para përvjetorit të parë të masakrës së Hamasit më 7 tetor, mijëra njerëz demonstruan sërish për një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve të mbetura. Shumë pjesëmarrës në demonstrata kanë frikë se fati i pengjeve do të harrohet për shkak të luftimeve në Liban. Tubimet nuk ishin aq të mëdha si zakonisht, sepse në shumë vende ka kufizime në tubime për shkak të situatës së sigurisë.

la/ag