Bajrami për myslimanët - një festë familjare
20 Dhjetor 2007Festa e Kurban Bajramit përputhet me muajin e fundit të kalendarit Islamik Zul-Hidxhe, në të cilin besimtarët myslimanë fillojne respektimin e riteve të Kurban Bajramit. Në këtë ditë në botën Islame zbatohet zakoni i flijimit duke e sakrifikuar nga një kurban.
Imami i xhamisë së Dortmundit, hoxhë Vahid Shabani sqaron se: 'Prerja e Kurbanit është një obligim per çdo mysliman e myslimane, që ka mbërrirë nisabin (minimumi i nevojshëm) me pasuri. Këta persona e kanë për obligim me pre kurban. Kurbani është një akt human i cili tregon për besimtarët që kjo ditë feste është ditë e sakrificës, ditë e ndihmës, dita e tolerancës dhe paqes'.
Në këtë festë kurbanin e falur për zotin besimtarët myslimanë e ndajnë në tre pjesë: Kurbani pasi të pritet duhet të ndahet një pjesë për të varfërit, një pjesë për fqinjët dhe një pjesë mbahet për veten, sqaron hoxha Vahid. "Nga kjo shihet se islami ka shikim shumë të largët në bazën e humanitetit, në bazën e solidaritetit dhe në bazën e organizimit të ndihmimit të besimtarëve mes vete".
Festohet Kurban Bajrami në Gjermani njësoj si në Shqipëri apo Kosovë?
Hoxhe Vahidi sqaron se Kurban Bajrami festohet sot edhe në Gjermani. Dallimi është më tepër tek organizimi. Sa i përket normave fetare islame kurbani është i njëjtë dhe i ka kushtet e njëjta si në vendlindje ashtu dhe në diasporë.
"Këtu në diasporë organizimet nuk mund të bëhen si në vendlindje dhe këtu kemi disa vështirësi. Ka besimtar që duhet të udhëtojne deri në 100 km për të marrë një kurban".
Bajrami për myslimanët është sikurse krishtlindjet në Gjermani - një festë familjare. Familja bëhet bashkë dhe vizitohen të afërmit. Dhe për fëmijët ka dhurata:
"Çdo besimtar në këtë festë, shkojnë dhe vizitojnë familjet, miqët, shoqërinë, dhe shfaqin simbolin e dashurisë mes vete. Kjo festë ka edhe obligimin që besimtarët të kenë një dashuri dhe të shtojnë sinqeritetin dhe bashkëpunimin mes tyre", sqaron imami Vahid Shabani.