Bashkëjetesa fetare
19 Nëntor 2012"Feja islame është pjesë e Gjermanisë"- kjo fjali e ish-Presidentit Federal gjerman, Christian Wulff solli debate të ashpra në Gjermani. Nga njëra anë ajo i solli kryetarit të shtetit simpatitë e shumicës së myslimanëve që jetojnë në Gjermani, por në pjesë të tjera të popullit dhe në radhët e politikës ajo solli kundërshti. Edhe pasardhësi i Wulffit, Joachim Gauck, vetë famullitar evangjelist, nuk qe i gatshëm ta bënte të tijën një fjali të tillë. Në vend të kësaj, ai tha që jo feja islame, po myslimanët janë pjesë e Gjermanisë.
Myslimanë pa fe islame?
Për teologen evangjeliste Petra Bahr ky dallim është vetëm dallim semantik, ose, siç thotë vetë ajo, marrje me vogëlsira. Në një diskutim që u bë pak ditë më parë në Muzeun Hebre në Berlin, e Ngarkuara me Çështjet e kulturës e Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani (EKD) , iu përgjigj kështu pyetjes se cila fe është tani pjesë e Gjermanisë:
"Kjo është një pyetje shumë e thjeshtë për të marrë përgjigje: fetë e të gjithë gjermanëve. Myslimanët janë pjesë e Gjermanisë dhe për këtë arsye edhe feja islame. Këtë dallim unë e quaj marrje me vogëlsira, që unë nuk e kuptoj as në pozitën e një filozofeje të fesë. Çfarë janë myslimanët pa fenë islame, kush mund të ma shpjegojë këtë?" Midis myslimanëve dhe fesë islame nuk mund të bësh dallim.
Ka mundësi që këtu kemi të bëjmë me një dëshirë të përhapur gjerësisht në Gjermani, që këtu të ketë myslimanë pa fenë islame, tha duke shkelur syrin Aiman Mazyek, Kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani. Edhe për të është e qartë: si myslimanët, ashtu edhe feja islame janë pjesë e Gjermanisë.
"Ne e dimë të gjithë, që të tria fetë monoteiste nuk vijnë nga Brandenburgu, por nga Orienti. Identiteti ynë perëndimor qëndron mbi këmbë orientale. Identiteti gjerman përbëhet nga një shumëllojshmëri traditash, pikërisht nga ajo hebreje, kristjane, myslimane."
Shumëllojshmëria e feve në Gjermani
Në Gjermani, pesë përqind e popullsisë janë myslimanë. Nga pikëpamja e përqindjes, kjo shifër është më e lartë se ajo në SHBA, ku vetëm 2,5 përqind e popullsisë deklarohen si pjesë e fesë islame. Më shumë se gjysma e gjermanëve u përkasin dy kishave të mëdha të krishtera. Një e treta e qytetarëve nuk i përket asnjë feje.
Vetëm një gjysmë shekulli më parë, situata ishte krejt e ndryshme. Në vitet '50 të shekullit të kaluar, thotë studiuesi i shkencave sociale, Detlef Pollack nga Universiteti i Mynsterit, 90 përqind e gjermanëve ishin të krishterë.
Sot, rreth 70 përqind e gjermanëve vazhdojnë ta shohin krishtërimin si themelin e kulturës gjermane. Feja islame refuzohet nga shumica si e huaj. Kështu, ndërtimi i xhamive ndesh shpesh në rezistencë të ashpër të qytetarëve. Dy të tretat e qytetarëve nuk duan ta pranojnë ndërtimin e xhamive në Gjermani.
"Është e qartë se qëndrimet pozitive të gjermanëve ndaj myslimanëve janë shumë më të pakta se në të gjitha vendet e tjera. Vetëm 34 përqind e gjermanoperëndimorëve ose vetëm 25 deri 26% e gjermanolindorëve thonë që kanë një qëndrim pozitiv ndaj myslimanëve. Qëndrimi i gjermanëve ndaj komuniteteve të tjera fetare është shumë më i mirë".
Por edhe hebraizmin e shohin gjermanët me shumë rezerva. Tek një e pesta e popullit gjerman janë të rrënjosura pikëpamje antisemite, konstatoi në fillim të vitit një forum ekspertësh, që i ngarkuar nga Bundestagu ndërmorri një studim për antisemitizmin.
Debati për bërjen synet të të rinjve muajt e fundit ka nxjerrë shumë paragjykime në sipërfaqe, për këtë qenë të një mendimi përfaqësuesit e të tria feve. Kjo mund të përballohet vetëm me informim.