Sportwetten Wirtschaft
24 Nëntor 2009Gjermania ka monopol shtetëror për bastet sportive
Bastet më të mëdha vihen për futbollin dhe numri i atyre që vënë baste përmes internetit po shtohet gjithnjë e më tepër. Gjemanët kanë mundësi të vënë baste në mbi 3000 faqe interneti. Se sa para janë në qarkullim për baste nuk e di njeri me siguri. Eksperti për ekonominë ilegale, prof. Friedrich Schneider, nga Universiteti i Linz-it mendon se gjermanët shpenzojnë vit për vit rreth tre miliardë euro për baste, që i vënë përmes internetit. Nga kjo shumë mendohet se rreth 1,5 miliardë janë baste për ndeshjet e futbollit. Bastet e zakonshme janë pesë deri në dhjetë euro për kombinim, por kufiri për lart është i hapur.
Në fakt në Gjermani bastet përmes internetit nuk lejohen. Dhe Gjermania është i vetmi vend i BE-së, ku ekziston një monopol shtetëror për bastet sportive. Për këtë arsye firmat që ofrojnë baste përmes internetit i kanë selitë e tyre jashtë Gjermanisë. Shumica në Angli, por edhe në disa të ashtuquajtura oaze fiskale si Malta apo Gjibraltari. Në portalet e basteve në internet nuk janë të ralla edhe baste që shkojnë deri në 50 mijë euro për ndeshje.
Hetuesit: tregu aziatik i basteve kontrollohet nga banda kriminale
Ka kohë që tregu i basteve është shndërruar në një biznes global. Ekspertët mendojnë se në botë fitimet prej basteve shkojnë në qindra apo mijra miliarda. Paratë më të shumta nga bastet nxirren në vendet e Lindjes së Largët. Aty ofrohen baste pa limit shume parash. Sipas vlerësimeve për ndeshjet e futbollit në Kinë vihen në bast 50 miliardë euro në vit.
Hetuesit mendojnë se tregu aziatik i basteve është një rrjet i errët i përbërë nga qendra ilegale bastesh, ndërmjetësuesish dhe ofertash, që kontrollohen nga banda kriminale. Në baste live në Bangkok, Hanoi apo Shangai zhduken me miliarda dollarë.
Sipas të dhënave të UEFA-s nëntë nga dhjetë përpjekjet për të manipuluar ndeshjet bëhen nga Azia. Edhe gjatë hetimeve të tanishme gjurmët shkojnë në Malajzi dhe Hongong, ku sekserë dhe ndërmjetëses kanë pastruar paratë e nxjerra prej basteve.
Autor: Claudia Hennen/ Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi