1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irlandezët në referendum për paktin fiskal

Joanna Impey/Angelina Verbica30 Maj 2012

Të enjten irlandezët votojnë për paktin fiskal të BE. Në Bruksel shpresojnë për rezultat pozitiv të referendumit.

https://p.dw.com/p/1548F
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nga gjithsej 25 vendet, që kanë nënshkruar paktin fiskal të BE-së, ose që do ta nënshkruajnë, vetëm në Irlandë zhvillohet një referendum. Britania dhe Çekia janë shprehur kundër paktit, i cili përmban rregulla të rrepta për disiplinën buxhetore dhe udhëzime për freninim e borxhit kombëtar. Kryeministri irlandez Enda Kenny shpreson për "një po shumë të fortë" të irlandezëve, siç u shpreh ai tre muaj më parë. Megjithatë atmosfera në qarqet qeveritare ka ndryshuar që atëherë. "Do të ketë një po, por ajo do të jetë shumë më e ulët se sa mendohet", thotë Brian Hayes, i cili punon në Ministrinë e Financave dhe bën pjesë në partinë Fine Gael të Kenny-t. Sondazhet e fundit tregojnë një shumicë për paktin, por shumë njerëz nuk kanë vendosur ende, se si do të votojnë.

Masat e kursimit gjithnjë e më të padëshiruara

Fakti që qeveria irlandeze është e kujdesshme, kur shprehet për këtë temë, ka të bëjë shumë me pasigurinë në rritje në pjesën tjetër të Evropës. Presidenti i ri francez, Francois Hollande, ia detyron fitoren e tij zgjedhore, edhe premtimit të tij për ndryshimin e paktit. Dhe situata politike në Greqi është shumë e pasigurtë, pasi në zgjedhjet e fundit, dolën më mirë ato parti, të cilat u shprehen kundër masave të kursimeve. "Momentalisht po zhvillohet një debat i gjallë, se si do të ecin punët tani në nivel evropian, sidomos që pas fitores zgjedhor të Hollande", thotë Siobhan O'Donoghue i "Better Evropë", që angazhohet për "Jo-në" e irlandezëve në lidhje me paktin fiskal.

Kancelarja gjermane nga ana tjetër Angela Merkel këmbëngul se nuk do të ketë ndryshim në traktat me Gjermaninë, as para dhe as pas referendumit irlandez. "Në këtë fazë nuk është e mundur një negociim i mëvonshëm apo i ri," tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.

Pakti hyn në fuqi, kur 12 vende e kanë ratifikuar atë. Irlanda nuk e ka të drejtën e vetos, por sikur votuesit irlandezë të votojnë me jo, Irlanda do të ishte e përjashtuar nga kushtet e marrëveshjes. Vendi nuk do të kishte për shembull qasje në kreditë Mekanizmit të Stabilitet Evropian (ESM), pasuesit të e fondit aktual të shpëtimit të BE-së.

Irlanda në nëntor 2010 mori 85 miliardë euro ndihma nga BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të vënë nën kontroll malin e madh të borxhit. Ithtarët e paktit fiskal theksojnë, se Irlanda mund të ketë nevojë për injeksion të dytë me të holla.

Ekonomia për paktin

Dy partitë qeveritare, Fine Gael dhe Labour, mund të mbështeten tek partia opozitare, Fianna Fail. "Mundësia për të marrë ndihma nga ESM është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne sigurisht duhet të jemi në gjendje të themi se nuk kemi nevojë për ndihma të tjera, por për këtë nuk mund të jemi të sigurt", thotë kreu i grupit parlamentar dhe zëdhënës për çështje të politikës së jashtme në Fianna Fail, Sean O'Fearghail, në një intervistë me DW.

"Miratimi i këtij pakti do të forcojë besimin tek euro dhe te ekonomia irlandeze, do të nxisë rritjen ekonomike dhe shpresojmë, se do të çojë në më shumë vende pune", shtoi ai. Mbështetje për paktin ka edhe në ekonomi. Sean O'Driscoll nga Dimplex Glen, një firmë inxhinierike elektrike, beson se nuk është "e sinqertë" të besosh se Irlanda mund të mbetet në zonën e euros, në qoftë se zgjedhësit votojnë me jo."Ka vetëm një mënyrë për të votuar me po", tha ai javën e kaluar në Dublin.

Belgien EU Finanzpakt unterzeichnet
Pakti financiar i BE-së nënshkruar në samitin në Bruksel më 02.02.2012 me qëllim parandalimin e rrezikut të efektit domino nga kriza monetare në eurozonëFotografi: dapd

Kohë të vështira

Të gjithë e dinë, se referendumi mund të përfundojë edhe ndryshe. Irlandezët i ndjekin me skepticizëm të madh masat e rrepta të kursimeve dhe gazeta "Irish Indipendent" njofton se përqindja e emigracionit është aq e lartë sa në fundin e shekullit të 19-të. Rreth 3 000 irlandezë largohen cdo muaj nga vendlindja, për të kërkuar fatin e tyre jashtë vendit. Shkalla e papunësisë është 14.4 për qind, ndërsa papunësia e të rinjve është edhe më e lartë.

Sinn Fein, Aleanca e Bashkuara e majtë, dhe disa parti të tjera të të gjitha ngjyrave janë kundër paktit. "Ne mendojmë se Europa është në udhëkryq dhe se ne nxitohemi, nëse biem dakord për një marrëveshje, që është jo vetëm e papjekur, por edhe jo e kohës. Kjo do të ketë pasoja sociale dhe ekonomike," tha O'Donoghue i "Better Europë".

"Ne duhet të presim, se çfarë po diskutohet në nivel evropian, por e rëndësishme është gjithashtu, që ne të tregojmë solidaritetin tonë me grupe në Evropë, që mbështetësin rritjen ekonomike dhe masat koniunkturore, për të dalë nga kjo krizë," shton O'Donoghue.

Declan Ganley, biznesmeni, i cili votoi në vitin 2008 votoi kundër traktatit të Lisbonës, është ndoshta përfaqësuesi më i njohur i lëvizjes JO. Dobësia më e madhe e kundërshtarëve të paktit fiskal, mendojnë vëzhguesit, është se ata nuk tregojnë alternativa, në rast se Irlanda ka nevojë për një injeksion të dytë financiar.

Në 40 vitet e fundit irlandezët kanë votuar për më shumë se tetë marrëveshje të BE-së, dy prej të cilave dështuan në vitin 2001 dhe 2008, në raundin e dytë. Këtë herë, në referendumin e nëntë, nuk do të ketë shans të dytë, tha kryeministri Kenny.