1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlinale 2010: një kineast nga Kosova në "Talent Campus"

20 Shkurt 2010

"Në Kosovë mungojnë fondet por jo frymëzimi", thotë Visa Krusha. Kineasti i ri nga Kosova, ishte njëri nga dy shqiptarët që merrnin pjesë në programin shoqërues të Berlinales "Talent Campus".

https://p.dw.com/p/M6aU
Visar Krusha, kineast nga Kosova.
Visar Krusha, kineast nga Kosova.Fotografi: Visar Krusha

“Dorëzova një skenar të shkurtër, jetëshkrimin dhe një letër motivuese", thotë Visar Krusha. Ai është njëri nga 350 pjesëmarrësit e programit Talent Campus të Berlinales 2010. Aktivitetet e akademisë njëjavore janë të ngjeshura plot takime, filma e seminare. Qëllimi është që talentet e kinematografisë të kenë mundësi të njihen me personalitete të ndryshme, producentë dhe regjisorë, të prezantojnë punimet e tyre dhe të lidhin kontakte për bashkëpunim në të ardhmen. "Ne të gjithë kemi të njëjtat probleme: si t'i gjejmë fondet për realizimin e projekteve tona", thotë Krusha tek këmben numrat e telefonit me një regjisore të re gjermane.

Talent Campus, Berlinale 2010
Talent Campus, Berlinale 2010Fotografi: DW

Financimi i kinematografisë në Kosovë i vështirë

Për kineastët e rinj nga Kosova, siç është 36 vjeçari i lindur në Kaçanik, Visar Krusha, kontaktet janë mëse të nevojshme: "Tek ne nuk ka industri, nuk ka distribuim të filmave dhe njerëzit që e duan këtë punë e bëjnë filma, detyrohen të gjejnë mundësi të tjera për financimin e tyre", thotë Krusha më tej. "Por shpresojmë se në të ardhmen do të ketë më shumë fonde publike e më shumë mundësi edhe për koproduksione."

Visar Krusha ka përfunduar dramaturgjinë në fakultetin e arteve në Prishtinë dhe punon si skenarist serialesh televizivë dhe dramaturg. Publiku gjerman ka pasur rastin ta njohë atë nëpërmjet filmit të shkurtër "3 minuta vetmi", shfaqur në festivalin e filmit në Hamburg si dhe në projektin kulturor "Hotel Prishtina" që u prezantua vitin e kaluar në Berlin.

Nga flimi "Tre minuta vetmi" i Visar Krushtës.
Nga flimi "Tre minuta vetmi" i Visar Krushtës.Fotografi: Visar Krusha

Tema shoqërore që nuk trajtohen shpesh

Filmi është i veçantë, sepse ai trajton një temë thuajse të paprekur nga shoqëria e sotme shqiptare, atë të homoseksualizmit. “Shoqëria aktuale është shumë konservatore ndaj homoseksualizmit dhe për mua ka qenë interesante të pasqyroja një pjesë të jetës së një homoseksuali, që për shumë njerëz është e panjohur dhe tabu.”

Ngjarje rrëqethëse dhe të përshtatshme për t'u treguar në pëlhurën e kinemasë ka plot në Kosovë: "Në Kosovë mungojnë fondet por jo frymëzimi", thotë Krusha. Edhe dy skenarët për të cilët ai po punon aktualisht janë "rrëfime kosovare", siç i quan ai pa dashur të kallëzojë më shumë për temën.

Në festivalin e sivjetmë të filmit në Berlin, mungonin sërish kineastët shqiptarë në programet kryesore. Kjo gjë shpresojmë të ndryshojë vitet e ardhshme, sepse të paktën që prej disa vjetësh talentet e kinematografisë nga Kosova dhe Shqipëria marrin pjesë rregullisht në "Talent Campus".

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani