Berlinale: Filmi "Stuhia" - mes drejtësisë dhe politikës
13 Shkurt 2009Edhe në edicionin e këtij viti nuk mungojnë filmat që kritikojnë fenomene të ndryshme politike dhe shoqërore. I tillë është edhe filmi "Sturm" (Stuhia) i regjisorit gjerman Hans-Christian Schmid, i cili trajton problematikën e përndjekjeve të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi.
Hanah Meynhardt punon për Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Detyra e saj është të zbardhë krimet e një gjenerali serb në një fshat të Bosnjës. Dhjetë vjet mbas arrestimit të tij mungojnë dëshmitarët bindës dhe procesi rrezikon të dështojë, kur Hannah rastësisht takon Mirën. Ajo është njëra nga gratë e ish-kampit të përdhunimit dhe tashmë jeton në Berlin, ku ka krijuar familje dhe punon si mësuese muzike.
Mira heziton të dalë dëshmitare në Hagë, por Tribunali nuk ka shumë kohë, mandati që i ka dhënë atij OKB-ja është i kufizuar. Prokurorja është në dilemë mes presionit kohor dhe gatishmërisë së politikanëve të Brukselit për një kompromis për të sakrifikuar Gjykatën e Hagës kundrejt anëtarësimit të vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian.
"Historia që tregohet në "Sturm" është sajuar mbi bazën e shumë investigimeve të bëra më parë," rrëfen regjisori në një intervistë për televizionin e Deutsche Welle-s. Nëpër konferenca, seanca hetuesie dhe procesesh gjyqësore pasqyrohet makineria e rregullave dhe instrumenteve, me të cilat Evropa mundohet të zgjidhë konfliktet politike. Filmi në fillim kërkon nga shikuesi pak durim, por pastaj ai shndërrohet në një thrillër politik shumë tërheqës, për shkak të dy personazheve kryesore: Hannah (Kerry Fox) dhe Mira (Anamarra Marinca).
Kujdes i veçantë në zgjedhjen e aktorëve
Schmid ka xhiruar në Kroaci, Serbi dhe Sarajevë: "Duhet të kujdeseshim kur zgjodhëm aktorët, se cili aktor do të luajë rolin e një serbi dhe cili të një boshnjaku. Sepse ne nuk donim t'u ofronim njerëzve një skenar, me të cilin të prekurit nuk ishin dakord. Pra na u desh të kujdeseshim, sepse ka ende njerëz që preken", rrëfen ai.
Hans-Christian Schmid ka përfunduar shkollën e lartë për filma dokumentarë në Mynih dhe hyn në brezin e kineastëve gjermanë të viteve të fundit, që po i japin një karakter të vetin kinematografisë gjermane. Ajo po fiton më shumë vetëbesim me një seri filmash kritikë ndaj fenomeneve politiko-shoqërore. Festivali i filmit në Berlin duket se është bërë enkas për ta. Schmid: "Berlinale për mua është platforma më e mirë për të prezantuar një film. Sepse publiku është një përzierje e mirë mes profesionistëve dhe filmdashësve. Në Berlinale mund të fitosh një përshtypje shumë të mirë për vendin që do të zërë filmi më vonë në treg."
Filmi u prit nga publiku me duartrokitje të gjata dhe ai konsiderohet si kandidat për ndonjë çmim të festivalit. Se a do të jetë ai filmi fitues, kjo është pak e vështirë që të besohet, sepse në vitin 2006 "Ariun e Artë" e pat fituar pikërisht një film me temë nga lufta e Bosnjës, "Grbavica" e regjisores Jasmila Zbaniç, bashkëproducente e filmit "Sturm".