090211 Berlinale Überblick Programm
10 Shkurt 2011Vitin e kaluar u festua në mënyrë madhështore edicioni i 60-të i Berlinales. Kjo ishte e bukur, por edhe shumë e lodhshme, prandaj këtë radhë donim kohë pak më të qetë, thotë drejtori i festivalit, Dieter Kosslick:
“Ne fillojmë njëherë nga e para dhe përpiqemi që të bëjmë një tjetër program. Përpiqemi të zbulojmë forma të reja, të zbulojmë tendenca të reja të kinematografisë botërore. Këtu bëjnë pjesë edhe filmat të formatit 3D, që janë gjithsej katër në program.”
Njëri prej tyre quhet "Pina" dhe është një film vallëzimi, të cilën e ka realizuar regjisori Wim Wenders për koreografen Pina Bausch, e cila u nda nga jeta në vitin 2009. Megjithatë ky film është jashtë konkurrencës. Ajo që është karakteristike për këtë vit është se ka më pak regjisorë yje dhe më shumë debutime filmash edhe nga regjisore të reja. Tematika e filmave rrotullohet kryesisht në dy fusha: “histori çiftesh” dhe “dhuna".
“Si mund të shpëtosh nga kjo spirale e dhunës dhe si mund ta shmangësh atë. Le t'i kthehemi historive të çifteve: këto histori në të vërtetë asnjëherë nuk përfundojnë deri tek privatja, por janë një lloj pamundësi objektive për t'u afruar me njëri tjetrin, për t'u dashuruar. Dhënia formë marrë. dhënies në çift është një temë universale."
Pra ky festival nuk ofron shumë për të qeshur kur tregohet për gjakmarrjen në Shqipëri, juntën në Argjentinë, apo për Çernobilin. Dhe në filmin që hap festivalin tregohet për ndjekje të disa vrasësve.
Në tapetin e kuq të enjten në mbrëmje do të parakalojnë duke u fotografuar yjet e kinematografisë, pjesëmarrës në këtë festival.
Por një vend do të jetë bosh, ai i regjisorit iranian Jafar Panani, i cili është anëtar zyrtar i jurisë, por që nuk mund të marrë pjesë
"Arsyeja është dënimi i Jafar Panahit dhe Mohamed Rasoulofit. Jafar Panahi u dënua me gjashtë vjet burg dhe me 20 vjet ndalim të ushtrimit të profesionit. Për këtë arsye ne kemi vendosur, që në ditën e parë të festivalit , më 11 shkurt, që është edhe Dita e Revolucionit, në orën 16:00 do të shfaqet edhe një herë, në vend të filmit të garës së festivalit, filmi i regjisorit Jafar Panahi “Offside”, i cili është nderuar me çmimin 'Ariu i Artë'", tregon drejtori i Berlinales Dieter Kosslick.
Në këtë festival do të shfaqen edhe zbulimet interesante nga Çekia, Polonia dhe Amerika Latine. Për më tepër, në Berlinale do të jetë e pranishme edhe "kinemaja e kulinarisë” në rubrikën me titull “Give Food a Chance”. Aty bëjnë pjesë filma ambiciozë për fëmijë dhe të rinj dhe promovohen talente të reja nga e gjithë bota.
Festivali i sivjetëm do të përkujtojë yje të vjetër të kinematografisë si regjisorin suedez Ingmar Bergman dhe aktorin gjerman Armin Müller-Stahl. Do të ketë filma shumë të shkurtër dhe sërish tejet të pazakontë: dokumentarin 95-minutësh “Life in a Day”, britaniku Kevin McDonald e ka krijuar duke montuar 80.000 video nga Youtube. Njerëz nga 179 vendet e botës kishin vendosur për këtë qëllim në rrjet pjesë nga jeta e tyre.
Autor: Silke Bartlick / Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Eliana Xhani