Berlini druhet se eurozona nuk mund ta shpëtojë ekonominë italiane
7 Gusht 2011Në Berlin po shtohet droja se ekonomia e Italisë mund të mos shpëtohet dot nga fondi i stabilitetit evropian, për shkak të madhësisë së kësaj ekonomie, bën të ditur revista gjermane "Der Spiegel" në numrin e saj të së dielës, në botimin online.
Në bazë të një raporti të publikuar në të përjavshmen gjermane, nevojat financiare të Italisë janë kaq të mëdha sa një paketë shpëtimi ka shumë gjasa që të mos përballohet nga fondi i emergjencës, edhe nëse ai do të ishte tri herë më i madh. Italia është ekonomia e tetë në botë për nga madhësia, me një borxh publik prej 1,8 trilionë euro, që është e barabartë me afërsisht 120 përqind të prodhimit kombëtar.
Dyshime për qendrueshmërinë e ekonomisë italiane dhe asaj spanjolle u artikuluan këtë javë, pasi borxhet e këtyre vendeve arritën kuotat më të larta në 14 vitet e fundit.
Fondi i Stabilitetit Financiar Evropian, që mbështetet nga një shumë prej 440 miliardë euro u ngrit me qëllim që të shpëtojë vetëm ekonomi të vogla brenda Eurozonës. Banka Qendrore Evropiane vendosi që të mbajë të dielën (07.08.) një nga mbledhjet e saj të rralla në këtë ditë. Investuesit po shohin me frikë në drejtim të Bankës Qendrore, para se ajo të nisë të blejë bonde huash italiane dhe spanjolle të hënën për të stabilizuar çmimet, një lëvizje që e ka përçarë Këshillin Mbikqyrës të BQE.
Qeveria gjermane ka insistuar që vendet në vështirësi të Eurozonës duhet t'i zgjidhin problemet e borxheve me forcat e veta të brendshme dhe duke shkurtuar shpenzimet, në vend që t'ia besojnë veten falimentimit të kushtueshëm.
Telefonata emergjente
Kriza e borxheve në Itali dhe në pjesë të tjera të Eurozonës - njësoj si dyshimet për ekonominë e SHBA dhe aftësinë e kreditimit të saj kanë qenë në qendër të vëmendjes së tregjeve globaleve të financave këtë javë, duke shkaktuar telefonata urgjente midis udhëheqësve të ekonomisë botërore.
Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni tha pas bisedave telefonike me presidentin e Francës, Nikola Sarkozi se ministrat e Financave të vendeve kryesore të industrializuara të G 7-ës- Gjermania, Britania, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia dhe SHBA do të takohen brenda "pak ditësh".
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel telefonoi me Sarkozinë dhe presidentin e SHBA, Barak Obama në fundjavë.
Kryeministri britanik, David Kameron dhe Sarkozia gjithashtu folën në telefon për eurozonën dhe për krizën e borxheve të SHBA, tha një zëdhënës i Kameronit. "Të dy ranë dakord për rëndësinë e të punuarit bashkë, të monitorimit nga afër të situatës dhe ruajtjes së kontaktit në ditët e ardhshme."
Nevojitet më shumë kohë
Ministri gjerman i Financave, Filipp Rësler i tha revistës së përjavshme gjermane "Focus" se me aprovimin e paketës së dytë të ndihmave për Greqinë, "ne po u tregojmë tregjeve se po e mbrojmë euron". Ai shtoi se këto vendime nuk duhen vënë në pikëpyetje vetëm dy javë më vonë, siç bën presidenti i Komisionit Evropian, Jose Mannuel Barroso, që kërkoi rivlerësimin e fondit të shpëtimit të eurozonës, pasi kjo i bën tregjet të pasigurta.
Autor: David Levitz, Charlotte Chelsom-Pill/ Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama