1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini dënon "provokimin" e Ben-Gvir-it në Al-Aksa

15 Gusht 2024

Qeveria gjermane e ka akuzuar ministrin izraelit Itamar Ben-Gvir se "luan me zjarrin", pasi ai udhëhoqi qindra hebrenj izraelitë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.

https://p.dw.com/p/4jVGe
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir viziton kompleksin Al-Aksa, i njohur për hebrenjtë edhe si Mali i Tempullit.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir viziton kompleksin Al-Aksa, i njohur për hebrenjtë edhe si Mali i Tempullit.Fotografi: Temple Mount Administration/REUTERS

Gjermania iu bashkua një kori të mosmiratimeve ndërkombëtare për veprimet e ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, pasi ai udhëhoqi qindra ultra-nacionalistë fetarë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.

Kompleksi është vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe më i shenjti në Judaizëm, pasi aty u ngritën dy tempuj hebrenj.

Ben-Gviri, i cili e kishte vizituar këtë vend edhe në të kaluarën, ka kritikuar më parë marrëveshjen me autoritetet myslimane që e administrojnë atë si "raciste" dhe anti-hebreje. Në mënyrë tipike, hebrenjtë dhe jomyslimanët e tjerë lejohen të vizitojnë vendin vetëm në kohë të caktuara dhe pa shfaqur simbole fetare apo duke u lutur atje.

Palestinezët druhen se Izraeli, përgjegjës për sigurinë e vendit të shenjtë, planifikon të zgjerojë kontrollin e tij atje.

Gjatë vizitës së tij të martën në vendin, të cilit hebrenjtë i referohen si Mali i Tempullit, Ben-Gvir kishte kërkuar që hebrenjtë të lejoheshin të luteshin atje. I shoqëruar nga qindra hebrenj, kryesisht fetarë dhe ultranacionalistë, Ben-Gvir u shpreh sërish kundër negociatave me Hamasin për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur ende në territorin palestinez.

Cila ishte përgjigja?

Vizita e politikanit të ekstremit të djathtë - në mes të luftës 10 mujore të Izraelit kundërHamasit - solli dënime të ashpra jo vetëm nga vendet me shumicë myslimane, por edhe nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Gjermania deklaroi se veprimet e Ben-Gvir-it përfaqësojnë një provokim në një situatë tashmë të tensionuar.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir viziton kompleksin Al-Aksa, i njohur për hebrenjtë edhe si Mali i Tempullit.
Fotografi: Ohad Zwigenberg/AP/dpa/picture alliance

"Ne shpresojmë që qeveria izraelite do t'i japë fund këtij lloji të provokimeve të qëllimshme. "Sidomos në situatën aktuale, loja me zjarrin është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe më tej rrezikon sigurinë në Jeruzalem, Bregun Perëndimor dhe Izrael”, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane në një konferencë shtypi të mërkurën.

Kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkroi në platformën X se BE "dënon me forcë provokimet".

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Francës ka nxjerr një deklaratë, me fjalët: "Ky provokim i ri është i papranueshëm”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Ben Gvir tregoi "mospërfillje të hapur" për status quo-në në vend.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik, një grup ombrellë për vendet me shumicë myslimane, tha se incidenti ishte një "provokim ndaj ndjenjave të muslimanëve në mbarë botën".

Trajtimi i Izraelit ndaj të burgosurve palestinezë nën vëzhgim

"Sulmi ndaj xhamisë Al Aksa nga qindra izraelitë radikalë, përfshirë ministra, nën mbrojtjen e policisë është një provokim që cenon statusin historik të Jeruzalemit dhe do të rrisë më tej tensionin në rajonin tonë”, deklaroi Ministria e Jashtme turke.

Farhan Haq, zëvendëszëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, tha se OKB-ja kundërshton "çdo përpjekje për të ndryshuar status quo-në brenda vendeve të shenjta".

"Kjo lloj sjelljeje është e padobishme dhe provokuese e tepërt," shtoi ai.

aud (rc/AFP, AP, dpa, Reuters)