Biden: Demokracia amerikane rrezikohet nga Trumpi
2 Shtator 2022"Për një kohë të gjatë ne kemi qenë të sigurt se demokracia amerikane është e garantuar. Por nuk është kështu. Ne duhet ta mbrojmë atë. Mbrojeni atë. Duhet të angazhohemi për atë. Secili prej nesh", theksoi Biden në një tubim gjatë fushatës elektorale në Filadelfia, në shtetin Pensilvania.
Paralajmërim nga forcat "MAGA”
Presidenti Biden sulmoi drejtpërdrejt mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump. "Forcat MAGA janë të vendosura ta kthejnë këtë mbrapa, në të kaluarën", tha Biden. Ai nënvizoi se mund të ketë një Amerikë pa zgjedhje të lira, pa privatësi dhe pa kontraceptivë. MAGA është shkurtesa për fushatën e mëparshme të ish-presidentit Trump, "Make America Great Again".
Në fjalimin e tij në qytetin historik të Filadelfias, ku u miratuan Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e SHBA-së, Biden vazhdoi: "Donald Trump dhe republikanët MAGA përfaqësonin një ekstremizëm që kërcënon vetë themelet e republikës sonë”. Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, ka refuzuar të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Republikani pretendon se atij iu grabit fitorja nga mashtrimi masiv i votuesve, por kurrë nuk ka ofruar asnjë provë për këto pohime.
Zgjedhjet për Kongres me 8 nëntor
Biden ka fituar në zgjedhjet e kaluara presidenciale 81 milionë vota, që është një shumicë e qartë e elektoratit amerikan. Në atë kohë, 74 milionë amerikanë votuan për Trumpin. Në zgjedhjet e Kongresit të 8 nëntorit - në mes të mandatit të Bidenit - do të votohet për të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së si dhe për rreth një të tretën e vendeve në Senat. Këtë ditë do të mbahen edhe zgjedhje për guvernatorë në shumë shtete federale. Trumpi i cili vazhdon të dominojë Partinë Republikane, ka emëruar për poste të shumta të besuarit dhe mbështetësit e gënjeshtrës së tij për mashtrimin e zgjedhjeve të kaluara.
Partia Demokratike e Bidenit mund të humbasë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit në vjeshtë. Kohët e fundit, megjithatë, shpresat e demokratëve janë shtuar se ata ende mund të shmangin dështimin e parashikuar prej kohësh. Ndër të tjera, Partia Demokratike beson se kandidatët besnikë ndaj Trumpit do të fitojnë më pak vota sesa pritet në kampin e ish-presidentit.
bc/haz/mak (dpa, afp, rtr)