Bisedimet për Sirinë: parimi shpresë
1 Shkurt 2016Deutsche Welle: Përfaqësues të opozitës siriane do të shkojnë sot në Gjenevë. Çfarë synohet të arrihet në Gjenevë?
Günter Meyer: Rezoluta e miratuar njëzëri në dhjetor nga KS të OKB-së parashikon një plan kohor 18-mujor për qetësimin e krizës në Siri. Në gjashtë muajt e parë do të krijohet, pas pushimit të menjëhershëm të sulmeve ndaj objekteve civile një qeveri tranzitore e besueshme, që t'i përfshijë të gjitha palët dhe e cila nuk do të jetë e ndërtuar në bazë të parimeve fetare. Në fund të procesit politik do të zhvillohen zgjedhje të lira, nën mbikqyrjen e OKB-së.
A është realiste kjo?
Për qeveritë e huaja, të cilat e mbështesin regjimin e Assadit ose e luftojnë atë, ndërkohë është bërë e qartë se nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake të konfliktit. Njëkohësisht kriza e refugjatëve ka arritur një dimension të tillë, sa presioni ndaj të gjitha palëve, që t'i japin fund luftës është më i madh se kurrë më parë. Megjithatë është tepër e dyshimtë, nëse aktorët brenda Sirisë, ashtu edhe fuqitë e huaja që i mbështesin ata jashtë, do të jenë të gatshme që t'i lënë mënjanë interesat e tyre në dobi të një zgjidhje paqësore.
A ka në këtë luftë ende palë, të cilat besojnë se nuk duhet të zhvillojnë negociata, sepse kanë përparësi ushtarake?
Regjimi i Assadit besohet se ka pak interes për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve. Kjo pasi ushtria siriane, me mbështetjen e trupave tokësore të Hizbollave dhe të Iranit, dhe para së gjithash në sajë të sulmeve ajrore ruse ka arritur javët e fundit përparime të konsiderueshme në vënien e territorit nën kontroll kundër grupeve të ndryshme kryengritëse.
Me siguri pak interes për pushimin e luftimeve kanë edhe grupet terroriste "Shteti Islamik" dhe fronti Nusra?
Organizata terroriste e Shtetit Islamik si dhe Fronti Nusra, pjesë e Al Kaidas janë gjithsesi të përjashtuar nga negociatat. Por edhe grupe të tjera si "Ahrar asch-Scham", që bën pjesë në "Ushtrinë e pushtimit" të mbështetur nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia do të kenë pak interes t'i ulin armët.
A nuk duket atëherë me pak gjasa suksesi i bisedimeve të paqes?
Pengesat në rrugën e një zgjidhjeje paqësore, tani në fillim të negociatave duken si të pakapërcyeshme. Megjithatë ekziston të paktën një shans i vogël, që palët nacionale dhe rajonale, nën ndikimin e SHBA në njërën anë dhe të Rusisë nën anën tjetër, të detyrohen të ndryshojnë qendrim. Por e sigurtë kjo nuk është në asnjë mënyrë.
Profesor Günter Meyer jep mësim në Universitetin e Mainzit. Atje ai drejton Qendrën e Studimeve për Botën Arabe.