Blinken në Kinë: Shenja shtensionimi
19 Qershor 2023Pavarësisht tensioneve të mëdha SHBA-Kinë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar të hënën një takim me presidentin e Kinës, Xi Jinping. Xi i tha Blinken në takim se, "Kina respekton interesat amerikane dhe nuk kërkon të sfidojë ose zhvendosë Shtetet e Bashkuara". Xi shikon "progres" në marrëdhëniet me SHBA pas vizitës së Blinkenit Bota ka nevojë për marrëdhënie të stabilizuar Kinë-SHBA, ka thënë Xi. Blinken në takim me Xi ka shprehur qëndrimin e presidentit Biden, i cili beson se Uashingtoni dhe Pekini kanë detyrimin të menaxhojnë marrëdhënien e tyre dhe se SHBA është e gatshme për këtë.
Po ashtu zyrtari më i lartë i politikës së jashtme të Kinës, Wang Yi dhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken u takuan në Pekin mëngjesin e së hënës, në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës zyrtare të Blinken në Kinë. Wang renditet mbi ministrin e Jashtëm kinez Qin Gang në hierarkinë e pushtetit. Nga ky takim pritet tejkalimi i mosmarrëveshjeve të grumbulluara kohët e fundit.
Blinken është sekretari i parë i shtetit i SHBA-së që viziton Kinën që nga viti 2018, duke mbërritur në mes të tensioneve të rritura midis fuqive rivale.
Të dielën, Blinken foli me Chin për shtatë orë e gjysmë - shumë më gjatë sesa ishte planifikuar. Gjatë takimit të tyre, Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjekin "një vizion të një bote që është e lirë, e hapur dhe mbështetëse e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
Sekretari amerikan i shtetit Blinken ftoi ministrin e Jashtëm kinez për vizitë në Uashington dhe të dyja palët thanë se bisedimet ishin të sinqerta dhe konstruktive.
Gjatë vizitës së tij t parë në Kinë si kryediplomati amerikan, Blinken trajtoi një sërë çështjesh të diskutueshme. Është biseduar edhe për fusha në të cilat Pekini dhe Uashingtoni mund të bashkëpunojnë, kumtoi Departamenti i Shtetit i SHBA.
Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës konsiderohen si një nga marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë. Këto lidhje janë tendosur rëndë nga një sërë çështjesh, të tilla si mbështetja e Kinës për luftën e Rusisë në Ukrainë, kërcënimet e Pekinit ndaj Tajvanit dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme tregtare në fusha të tilla si çipat e avancuar kompjuterik.