Boshllëqe në biografi
15 Korrik 2013Kim Sperling është 37 vjeç. Thuajse gjatë gjithë jetën e ka kaluar në Gjermani, por tiparet e fytyrës tregojnë se rrënjët i tij janë gjetkë. Kim Sperling lindi në dhjetor 1975 në kryeqytetin koreanojugor Seul, dhe gjashtë muajsh adoptohet nga një çift gjerman.
Foshnjet si mall eksporti
Kim Sperling është një nga gjithsej 2829 fëmijë që organizata humanitare "Terre des hommes" ka ndërmjetësuar për birësim tek çifte gjermane mes viteve 1967-1998, prej tyre 1898 ishin nga Koreja e Jugut. Organizata ishte e para në gjithë Gjermaninë që organizonte birësime nga vende në zhvillim dhe për punën e saj u njoh nga shteti si qendër ndërmjetësimi për birësime. Fillimisht në Gjermani sillen kryesisht fëmijë nga Vietnami. Nga fillimi i viteve '70 në fokus vihet gjithnjë e më shumë Koreja e Jugut. Që prej përfundimit të luftës së Koresë në 1953, jepen për birësim jashtë vendit dhjetëra mijëra foshnje jetime, ose foshnje amerikano-koreane, frut i lidhjeve me ushtarë gjatë kohës së luftës. Meqenëse prindërit e këtyre foshnjeve nuk kanë një lidhje të ligjshme dhe kanë "gjak të huaj", nuk pranohen në shoqërinë koreane me modelin familjar të Konfuciusit.
Në vazhdën e industrializimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit në vitet '60, përvijëzohet edhe një tjetër zhvillim. "Njerëzit preferonin të lëviznin drejt qyteteve. Kështu edhe shumë shumë gra të reja, që punonin në fabrika", shpjegon Michael Heuer, referent për shtypin në "Terre des hommes". "Kur gratë ngelnin shtatzënë pa dashje, fëmijët i jepnin për birësim apo i braktisnin."
Prindër të përshtatshëm për çdo fëmijë
Këtu fillon puna e "Terre des hommes". Në fillim nuk kishte një procedurë sistematike se mbi çfarë kriteresh kërkoheshin prindërit e mundshëm: "Birësimet jashtë vendit ishin një fenomen krejt i ri", tregon Michael Heuer. Në fillim mendohej se ishte krejt e mjaftueshme të gjeheshin "prindër të gatshëm për fëmijë në nevojë". Por shpejt organizata konstatoi se kjo nuk mjafton. Terres des hommes zhvilloi atëherë një procedurë të gjerë këshillimi dhe përzgjedhjeje për prindërit e mundshëm, e cila ndër të tjera parashikonte biseda me zyrën e të rinjve dhe psikologë. Në fund një komision me disa anëtarë vendoste për kandidatët e përshtatshëm.
Edhe nga ana koreane kishte pengesa burokratike që duhen kapërcyer. Kështu për shembull shtëpitë e fëmijës duhet të siguronin pranë gjykatave apo autoriteteve çertifikata lindje të fëmijëve të përzgjedhur për birësim. Veç kësaj birësimi duhet të sigurohej juridikisht edhe një nga avokat koreanojugor. Vetëm pas kryerjes së të gjitha formaliteteve mund të kryheshin me sukses birësimet.
Pas mbërritjes së fëmijëve në Gjermani, familjet shoqëroheshin edhe më tej nga "Terre des hommes". "Në fillim punonjësit tanë dhe prindërit adoptivë mendonin se fëmija mund të integrohej plotësisht në Gjermani me kalimin e kohës", thotë referenti për shtypin Michael Heuer. Por më e vonëta që prej viteve '80 u pa se kjo nuk funksionte kështu. Gjithnjë e më shumë organizata përballet me një problem krejt të ri: "Më e vonëta në moshën e pubertetit fëmijët e birësuar donin të dinë: Nga vij unë? Përse më kanë braktisur? Ku janë prindërit e mi biologjikë?" Për t'u dhënë të rinjve mundësinë të gjenin përgjigje për pyetjet e tyre dhe të njohnin vendin ku kishin lindur, "Terre des hommes" organizon në 1990 për herë të parë një udhëtim në Korenë e Jugut. Të tjerë pasojnë.
Në kërkim të identitetit
Kim Sperling thotë se është rritur në mënyrë "shumë gjermane" dhe për kohë të gjatë është ndjerë gjerman pa kufizime. Por dikur i lindi pyetja për origjinën e vet. Atëherë iu bë e qartë se duhej të shkonte në Kore. "Më duhej të krijoja një mendim timin. Problemi më i madh ishte që nuk kisha asnjë mendim të mirëfilltë për Korenë dhe origjinën time, pasi nuk e njihja aspak." Kim Sperling aplikon për një program të ngritur enkas për fëmijët e adoptuar jashtë. Ata mund të studiojnë një semestër në një universitet koreanojugor, të njihen me gjuhën dhe kulturën e vendlindjes.
Në 2006 Kim Sperling merr avionin për në Korenë e Jugut. "Nuk e kisha idenë se çfarë më priste", kujton ai. Sperling fillon kërkimet për nënën e tij biologjike, kontakton HOLT, një agjenci koreanojugore partnere, me ndihmës e së cilës "Terre des hhommes" pati ndërmjetësuar birësimin e tij. Fillimisht organizata nuk jepte informacione për identitetin e nënave me argumentimin se gratë duhet të mbroheshin nga diskriminimi i mundshëm. Por ndërkaq HOLT e kishte ndryshuar këtë politikë. Ajo i jep Sperling-ut emrin e nënës dhe një datë lindjeje. Me këto informacione Kim Sperling fillon të kërkojë, pyet në zyra të posaçme, por gjurmët zhduken si në rërë. Ai fillon punën me një projekt fotografish për diplomën. Kërkimet pezullohen.
Puna si fotograf e risjell spesh në Korenë e Jugut vitet që pasojnë. Në foto-projektet e tij ai portreton njerëz si ai vetë: fëmijë koreanojugorë të birësuar që kërkojnë gjurmët e identiteti në vendlindje. Nënën e tij deri sot nuk e ka gjetur dhe pyetja pse ajo vendosi mos ta mbajë foshnjën mbetet e hapur. "Megjithatë unë di nga miq të mi se edhe kur i gjen prindërit biologjikë në disa raste nuk merren përgjigje të plota."
Pyetjes nëse është gjerman apo korean Kim Sperling nuk mund t'i përgjigjet më qartë. "Në shumë pika do të thoja se jam korean ose të dyja bashkë." Ai është i martuar me një grua koreane dhe për këtë arsye jeta e tij e përditshme zhvillohet mes dy botëve. Koreja, thotë ai është bërë një pjesë e tij që nuk mund të largohet. "Dhe besoj se është mirë kështu."