Brok: Bosnja duhet ta vendosë vet në ç'drejtim do të shkojë
16 Shkurt 2016Deutsche Welle: Bosnje-Hercegovina dorëzoi (15.2.2015) kërkesën për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Cila është predispozita në BE për këtë kërkesë?
Elmar Brok: Ne mbetemi tek premtimet e Selanikut që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësim në BE. Në këtë kuptim, kërkesa e Bosnje-Hercegovinës për statusin e kandidatit është legjitime. Por kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga kërkesat e BE për anëtarësim dhe ky do të jetë një proces i komplikuar. Bosnje-Hercegovina duhet të plotësojë edhe kushtet politike dhe të bëjë refroma. Kjo do të thotë që Bosnje-Hercegovina duhet të zgjidhë problemet ndëretnike, sepse me problemet etnike nuk mund të anëtarësohet në BE.
A do të ndihmojë kjo kërkesë Bosnje-Hercegovinës në plotësimin e kushteve për reforma?
Unë e them në mënyrë të prerë se aplikimi për statusin e kandidatit nuk do të thotë edhe fillim i negociatave për anëtarësim. Për fillimin e këtij procesi duhet të plotësohen edhe disa kushte. Ndaj politikanët e grupeve të ndryshme atje duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara për funksionimin e shtetit, duhet të vendoset bashkëpunimi i grupeve etnike, duhet të ketë një shtet juridik të pavarur dhe të lirë.
Zoti Brok, kancelarja gjermane Angela Merkel është themeluese e Konferencës së Berlinit për Ballkanin perendimor, para gati dy vitesh. Ajo angazhohet për një perspektivë të qartë evropiane të Ballkanit. Sa reale është kjo perspektivë në Bosnje-Hercegovinë kur dihet se ky vend përballet me shumë probleme?
Siç e thashë, premtimi ynë qëndron, jo vetëm i Gjermanisë por i mbarë BE, sipas marrëveshjes së Selanikut. Ndërsa politikanët e atjeshëm duhet të plotësojinë kushtet e tyre. Dukuritë negative atje nuk do të tolerohen. Por kjo është detyrë e politikanëve në Bosnje-Hercegovinë që t'i eliminojnë ato dhe të gjitha janë në duart e tyre. Nëse politikanët në pushtet nuk janë në gjendje t'i bëjnë reformat, atëherë nuk do të ketë as anëtarësim në BE. Ndërsa populli në zgjedhje duhet të kontrollojë me votën e tij se në ç'drejtim po shkon politika e këtij vendi.
Zoti Brok, si e shikoni faktin që Rusia dhe Putini gëzojnë një mbështetje të fuqishme në Republikën Serpska, ndërsa Turqia dhe Erdogani tek boshnjakët. A mund të reflektohet konfliktit Rusi-Turqi edhe në Bosnje-Hercegovinë?
Nëse këto simpati kanë ndonjë rëndësi praktike, atëherë kjo me siguri që nuk është në përputhje me politikën e BE. Nëse këto simpati janë kundërproduktive, as kjo nuk është në përputhje me politikën e BE dhe nuk ndihmojnë fare për zgjidhjen e problemeve atje. Ne nuk duam që përmes këtij vendi të fusim edhe problemet e Rusisë dhe Turqisë në BE. Bosnje-Hercegovina duhet të vendosë vet se në ç'drejtim duhet të shkojë.