1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexiti dhe Ballkani Perëndimor

28 Janar 2020

Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE do të ndryshojnë shumë gjëra. Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth thotë se shumë gjëra duhet të rregullohen ndryshe. Po cila është perspektiva e BP?

https://p.dw.com/p/3WuuH
Deutschland Staatssekretär im Aussenministerium Michael Roth
Fotografi: picture-alliance/AA/O. Marques

"Pas Brexitit do të ndryshojë edhe statika e Bashkimit Evropian - gjë që deri tani nuk ka ndodhur", pohon ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, në një intervistë për agjensinë e lajmeve Reuters. Për Gjermaninë do të thotë kjo një ngritje e përgjegjësisë për zhvillimet në Bashkimin Evropian - sepse disa vende të vogla e shohin tani Berlinin si një nga përfaqësuesit kryesor të interesave të tyre. "Britania e madhe ka qenë për Danimarkën, Suedinë apo Holandën një partner shumë i rëndësishëm. Këto vende kanë tani interes për një partneritet më të ngushtë me Gjermaninë", thotë Roth duke shtuar se Gjermania duhet t'u përgjigjet këtyre këreksave.

Raportet mes Francës dhe Gjermanisë

Roth ka hedhur poshtë pohimet se raporti i Gjermanisë me vendet lindore apo baltike mund të ndryshojë. "Me Poloninë apo vendet baltike ne kemi pasur gjithmonë raporte të ngushta", tha ai. Debatet për Brexitin e kanë larguar pak Britaninë e Madhe nga vendet e tjera, sepse britanikët kanë kundërshtuar hapjen e tregut për fuqinë punëtore nga vendet e tjera. Ndaj shumë vende kanë qenë gjatë negociatave për Brexit të afërta me pozicionet e Gjermanisë. Roth kundërshton edhe pohimet se pas Brexitit mund të ndryshojnë edhe raportet mes Gjermanisë dhe Francës. "Disa vende kanë dyshuar se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ahenit në fillim të vitit 2019, mund të ketë një afrim të tepërt mes Gjermanisë dhe Francë. Por raportet e Berlinit me Parisin janë të ngushta pavarësisht Brexitit". Roth kundërshton edhe pohimet se Gjermania dhe Franca pas Brexitit do të detyrohen të kenë qëndrime të ndryshme dhe mund të shndërrohen në dy pole të ndryshme.

Zgjerimi i BE

Treffen Michael Roth Gent Cakaj Deutschland EU Albanien
Fotografi: MPJ e Shqipërisë

Sa i përket zgjerimit të BE, Gjermania është e mendimit se kjo është një çështje e veçantë. Gjermania angazhohet për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Ndërkohë që Franca ka qenë kundër. "Shpresoj se së shpejti do të ketë lëvizje në këtë temë. Komisioni i BE do të paraqesë së shpejti një propozim me të cilin shpresojmë se do të dakordohen të gjitha vendet anëtare."

Britania e Madhe do të dalë nga BE me 31 janar. Parlamenti Evropian duhet më parë me 29 janar, të miratojë marrëveshjen për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Pritet që BE deri në fund të vitit t'i ofrojë Londrës një marrëveshje për rregullimin e raporteve mes tyre në të ardhmen.