1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMbretëria e Bashkuar

"Britanisë së Madhe po i mbarojnë rezervat"

26 Qershor 2023

Para 7 vitesh britanikët vendosën të largohen nga BE me një shumicë të ngushtë. Që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra në vend, jo vetëm nga ana ekonomike.

https://p.dw.com/p/4T2Kh
Pallati Westminster, Londër
Pallati Westminster, LondërFotografi: Claudio Divizia/alimdi/IMAGO

Brexiti nuk është ende histori e mbyllur. Ditët e fundit u debatua në Dhomën e Ulët të parlamentit britanik për pasojat e Brexitit në Mbretërinë e Bashkuar. Kreu i grupit parlamentar të partisë kombëtare skoceze, SNP, Stephen Flynn e kritikoi ashpër kryeministrin britanik, Rishi Sunak. "Më duket se ai nuk e kupton se si është realiteti ekonomik në vend dhe se me çfarë kostosh duhet të luftojnë konsumatorët. Dhe gjendja nuk kishte pse të ishte kështu. Normat e interesit për kreditë e imobiljeve në Irlandë nuk janë mbi 6%, por rreth 4%. Inflacioni në BE nuk është 8,7%, por rreth 6%. Britanisë së Madhe po i mbarojnë rezervat e fundit. A do ta pranojë më në fund kryeministri, shtatë vite më pas, se Brexiti është fajtor?"

Në një kohë që përkrahësit e Brexit përpiqen të paraqesin një imazh pozitiv të largimit nga BE, të dhënat studimore flasin një gjuhë tërësisht tjetër. Studiuesi Jun Du nga Universiteti i Birminghamit është marrë me pasojat e Brexitit. "Efektet në tregti janë shumë të ndjeshme. Ne kemi bërë disa llogaritje me metoda të ndryshme. Për fazën nga janari 2021 në shtator 2022, analiza të le të kuptosh se për shkak të Brexitit tregtia në Britaninë e Madhe në tërësi ka rënë."

Si partnere tregtare Britania e Madhe ka humbur rëndësinë

Eksportet e Britanisë së Madhe në BE sipas analistit janë 23% më të ulta dhe importet nga BE 13% më të ulta se para Brexitit. Edhe sipas palës gjermane bilanci është negativ. Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë e quan Brexitin "një katastrofë ekonomike për të dyja anët e Kanalit". Dikur Britania e Madhe ishte në tregti partneri i pestë më i rëndësishëm i Gjermanisë, sot ky vend nuk renditet më as në dhjetë vendet e para.

Pasojat e Brexit - inflacion dhe shpesh rafte bosh në supermarkete
Fotografi: JUSTIN TALLIS/AFP

Edhe perspektiva e së ardhmes nuk është e mirë: Autoriteti i pavarur britanik i mbikqyrjes, OBR pret që produktiviteti në vend të jetë 4% më i ulët. OBR nuk pret shumë nga marrëveshjet e reja tregtare që ka nënshkruar qeveria britanike me vendet jo anëtare të BE.

Jo vetëm pasoja ekonomike

Brexiti nuk ka pasur vetëm pasoja ekonomike për britanikët. Dalja nga BE e ka ndryshuar vendin edhe politikisht. Sipas politologut Tim Bale, profesor në Universitetin Queen Mary në Londër, i cili ka shkruar edhe librin "The Conservative Party After Brexit", ka atakime të institucioneve demokratike. Duke iu referuar partisë konservatore, Bale thekson se "ajo është bërë vërtet më populiste. Partia konservatore gjithmonë e hidhte një sy nga populizmi, por pas Brexitit e ka përvetësuar atë."

Eksperti Tim Bale nuk beson, se Tory-t do të kthehen në një stil konservator serioz pas largimit të Boris Johnsonit. "Djalli ka dalë nga shishja, dhe konservatorët nuk do t'ia dalin ta kapin më. Për shkak se qeveria ka vështirësi të mëdha të fitojë me këtë gjendje ekonomike, ajo do të ketë tendencës të nxisë një luftë kultuore, ashtu si e bënte Boris Johnson."