Bruksel: Kazermat e xhandarmërisë kthehen në godina strehimi
19 Tetor 2024Kur në vitin 1906 në Bruksel, në bulevardin "Générale Jacques” u ndërtuan 27 kazerma për xhandarmërinë – ku përgatiteshin dhe vepronin punonjësit policorë të kohës - muret e larta dhe rrethimi nuk lejonin askënd nga banorët e qytetit as të shihnin se çfarë ndodhte atyre brenda. Një shekull më vonë, pakkush do ta kishte menduar se në këto godina do të mund të jetoje apo të kaloje vitet e universitetit.
Rreth 56 mijë metër katrorë që dikur i shërbenin xhandarmërisë e më vonë policisë belge, kanë kaluar krejtësisht tek rezidentët dhe studentët e Brukselit, të cilët përballen në të shumtën e kohës me qira të shtrenjta ose me ‘luftën' e përditshme për gjetjen e një shtëpie.
Nga kazerma, në apartamente dhe konvikte
Të gjendur në këtë situatë dhe para ndryshimeve të shpejta sociale, ekonomike dhe mjedisore, rajoni i Brukselit mori nën administrim këtë pronë në vitin 2018. Por transformimi erdhi nga bashkëpunimi i dy universiteteve prestigjoze belge: "Université Libre de Bruxelles” dhe "Vrije Universiteit Brussel”, të cilët të mbështetur nga një grant prej rreth 12 milionë eurosh nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal (EFRD), mundën që ta shndërrojnë kompleksin "Usquare” në një ndërthurje tepër të efektshme mes botës akademike dhe hapësirës urbane.
"Programi ka mbështetur nismat që kontribuojnë tek përmirësimi i ‘metabolizmit urban', në linjë me strategjinë e Bashkimit Europian mbi zhvillimin e qëndrueshëm urban” – thotë Quentin Richard, përfaqësues i EFRD-së.
Investimi kryesor i projektit u përmbyll në shkurtin e këtij viti, por në kompleks punohet ende dhe banorët e rinj do të "pushtojnë” apartamentet aq shumë të dëshiruara. 70% e familjeve që do të strehohen në këtë kompleks do të përfitojnë nga shërbimi i banesave sociale dhe 30% do të mund të marrin me qira mjediset e tjera. Ndërsa rreth 460 dhoma janë planifikuar për studentët.
Bruno Allardin, urbanist dhe arkitekt, drejtuesi i projektit nga Koorporata e Zhvillimit Urban, shpjegon se "Usquare” shërben si kompleks banesash sociale dhe apartamentesh, qendër edukimi dhe qendër kërkimore për autizmin, sipërmarrjen dhe inovacionin, krahas hapësirës akademike. "Usquare po i risjell gjallërinë dhe ngrohtësinë kësaj lagjeje. Ai përmirësoi sitet e trashëgimisë si dhe forcoi strategjinë e energjisë qarkulluese” – shprehet Allardin.
"Kemi ricikluar tullat, dritaret, dyert... Pjesa më e madhe është riciklim” – thotë gjeografi Benjamin Wayens, njëkohësisht koordinatori shkencor për "Usquare” nga "Université Libre de Bruxelles”, i cili thekson se e gjithë kjo punë ka marrë kohë dhe nuk është përmbyllur ende, pikërisht se "është dashur më shumë kohë dhe mund për të ricikluar se sa do të duhej për të shembur muret dhe për t'ia nisur nga e para”. Gjithashtu, përshtatja me ndryshimet klimatike ka bërë që transformimi të përfshijë edhe vendosjen e paneleve diellore, sistemin qëndror ftohës dhe një rrjet të ri për ngrohje.
Biznese që ndihmojnë fermerët
Francois Viellevoye ishte pjesë e një rrjeti produktesh organike, para se të hapte biznesin e saj plot ngjyra dhe aromëra të mrekullueshme të stinës së vjeshtës në kompleksin e "Usquare”. Asaj nuk i pëlqente që supermarketet e mëdha "mbysnin” prodhuesit lokale të pakicës. Dhe një ditë, teksa e gjithë bota përballej me pandeminë dhe izolimin, ajo vendosi që të ideonte e një vit më pas të hapte biznesin e saj të vogël "Pedaló” në Bruksel dhe t'u vinte në ndihmë fermerëve të zonave përreth. Ish-barrakat e xhandarmërisë iu dukën vendi ideal për t'ia nisur nga e para.
"Ideja fillestare ishte të paturit e një zgjedhjeje tjetër, përveç supermarketeve të mëdha, dhe të paturit e frutave dhe perimeve të freskëta direkt nga prodhuesit. Ne nuk e negociojmë çmimin me ta, sepse nuk duam që t'u krijojmë atyre presion dhe duam që ata të marrin mbrapsht mundin” – thotë Francoise.
Ajo është vetëm një nga sipërmarrësit e vegjël që po luan një rol thelbësor në transformimin e kësaj qendre të re urbane. Pak metra më tutje, punëtorët po bëjnë gati një treg tjetër që do të plotësojë nevojat e rezidentëve të rinj, i cili po ngrihet pikërisht aty ku një shekuj më parë ishte arena e stërvitjes së kuajve të xhandarmërisë.
Sepse ashtu si ruajtja e trashëgimisë dhe ekonomia qarkulluese, ushqimi i qëndrueshëm dhe pakësimi i mbetjeve ushqimore është një tjetër ambicie e shëndetshme e kompleksit më të ri të Brukselit.