1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgari: Një koalicion katërpalësh në qeveri

15 Dhjetor 2021

Menaxherë të diplomuar në Harvard, konservatorë, socialistë dhe populistë krijojnë së bashku qeverinë bullgare. Çfarë duan ata? Dhe a do të funksionojë ky kombinim?

https://p.dw.com/p/44H1r
Bulgarien | neue bulgarische Regierung
Fotografi: BGNES

Që prej 3 prillit 2021, ose më saktë, prej 254 ditësh Bullgaria ka qenë pa një qeveri të zgjedhur. Më 13 dhjetor 2021 parlamenti në Sofje konfirmoi më në fund një qeveri të legjitimuar me zgjedhje. Ajo u krijua nga një koalicion katërpartiak me shumë ngjyra.

Përveç fituesve të papritur të zgjedhjeve nga partia e re "Ne vazhdojmë ndryshimin" (PP), aty përfshihen populistët nga "Ka një popull të tillë" (ITN), "Partia Socialiste Bullgare" (BSP) dhe "Partia Konservatore-Liberale Demokratike e Bullgarisë" (DB).  "Sot është një ditë e rëndësishme për të vijuar transformimin e mendësisë”, e ka komentuar zgjedhjen e tij kryeministri i ri, Kiril Petkov.

Ekspertët shohin një tjetër faktor fuqie në qeverinë e re: Presidentin e sapozgjedhur, Rumen Radev. "Në fakt, është më e saktë të flitet për një koalicion pesëpalësh," i tha Parvan Simeonov, drejtor i Institutit të sondazheve "Gallup International Balkans," portalit bullgar në internet, Mediapool. Dëshmi e rëndësisë së Radevit është fakti se Petkov (Kryeministri), Assen Vasilev (financat), Boyko Rashkov (I brendshëm) dhe Stefan Janev (Mbrojtja), katër anëtarë të qeverisë kalimtare të emëruar nga Presidenti në prill, kanë poste të rëndësishme edhe në koalicionin e ri.

Kiril Petkov dhe Rumen Radev
Presidenti Rumen Radev (r.) i dorëzon kryeministrit, Kiril Petkov, (l.) certifikatën e emërimitFotografi: BGNES

"Ju dhe partitë tuaja partnere në koalicion keni përgjegjësinë për të reformuar modelin e mbrapshtë të pushtetit që keni trashëguar nga një qeveri autoritare dymbëdhjetëvjeçare," kishte komentuar më parë presidenti Radev propozimin e kabinetit të Kiril Petkovit. Synimi i formuluar në marrëveshjen e koalicionit është ambicioz. Bullgaria synon të bëhet model për shtetet e tjera në luftën kundër korrupsionit.

Ndryshime të mëdha priten edhe në stilin e politikës. Ndërsa ish-kryeministri Borisov vlerësohej nga mbështetësit e tij për gjuhë të thjeshtë dhe popullore, Petkovi dhe Vasilevi janë teknokratë. Dy të diplomuarit në Harvard janë specialistë të ekonomisë dhe financave. Shumë të tjerë nga partia e Petkovit, po ashtu kanë studiuar në universitetin elitar, në SHBA. Kryeministri i ri dëshiron t'i vendosë këta specialistë aty ku sheh problemet më të mëdha: ai dëshiron të zëvendësojë zyrtarët e zgjedhur e të korruptuar me ekspertët e tij, si edhe të krijojë grupe ekspertësh në të gjitha departamentet për të ndihmuar reformimin e aparatit.

Transparencë dhe disiplinim

Transparenca pritet të bëhet një tjetër shenjë dalluese e qeverisë Petkov. Edhe negociatat e koalicionit u transmetuan drejtpërdrejt në internet. Kjo pati edhe një efekt disiplinues: "Askush nuk i ra tryezës me grusht, nuk pati mosmarrëveshje dhe provokime, sikur kishte ndodhur ne negociatat e mëparshme për koalicione," i tha DW-së analisti Jassen Bojaxhiev.

Vesela Çernewa, Drejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në Sofje
Vesela Çernewa, Drejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në SofjeFotografi: BGNES


Qeveria e re do të matet edhe sipas "Parimit të unitetit dhe bashkëpunimit” të përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit. PP e botoi dokumentin, në mënyrë që askush të mos i shmangej përgjegjësisë. "Partitë kanë rënë dakord për një marrëveshje prej më shumë se 140 faqesh, e cila duhet të garantojë se në të ardhmen do të përqendrohemi te temat. Mbetet të shihet se sa serioze janë partitë e koalicionit”, thotë Vesela Çerneva, drejtore e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Sofje. "Matematikisht, kjo aleancë qeveritare ishte i vetmi kombinim pa GERB (partia e ish-kryeministrit Boyko Borissow) dhe DPS (partia e pakicës turke), të cilat përfaqësojnë politikën e mëparshme. Një koalicion heterogjen, por për çështjet më të rëndësishme – korrupsionin, drejtësinë, buxhetin dhe menaxhimin e koronës – partitë nuk duken aq larg njëra-tjetrës”, shton Çerneva.

Sa e qëndrueshme është qeveria e re?

Tensionet mes katër palëve megjithatë nuk mund të mos vihen re. "GNP nuk mund të jetë fytyra e besueshme e ndryshimit," thotë për DW analisti Georgi Angelov. Politikania kryesore socialiste dhe ministrja e ardhshme për Çështje Ekonomike, Kornelia Ninova, është "një skeptike e shpallur ndaj COVID-it, nacionaliste, konspiracioniste dhe kundër diversitetit gjinor. Kjo është arsyeja pse Bullgaria Demokratike, për shembull, për vite me radhë e kishte refuzuar bashkëpunimin me socialistët. Dhe as tani katër partitë e koalicionit të ri qeveritar nuk e kanë lidhur marrëveshjen me njëra-tjetrën, por secila parti individualisht ka nënshkruar marrëveshje me PP-në.

Kornelia Ninova, ministrja e re e ekonomisë, nga Partia Socialiste e Bullgarisë
Kornelia Ninova, ministrja e re e ekonomisë, nga Partia Socialiste e Bullgarisë Fotografi: BGNES

Për të shmangur tensionet e mëtejshme, marrëveshja e koalicionit parashikon nga një zëvendëskryeministër për çdo partner koalicioni.  Veç kësaj, secila palë dërgon nga një këshilltar në ato departamente që nuk drejtohen prej saj.  "Kjo synon të kundërbalancojë feudalizimin e ministrive nga partitë," thotë Hristo Ivanov, bashkëkryetar i Bullgarisë Demokratike, në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare BNR.  Besimi te partnerët e rinj duket ndryshe.

 Çfarë e mban të bashkuar qeverinë?

 "E përbashkëta e katër partive është bindja se GERB dhe DPS duhet t'i rrijë larg qeverisë," thotë Georgi Angelov për DW. Ngjitësi që supozohet të mbajë të bashkuar qeverinë e re është mbi të gjitha një refuzim i qartë i ish-kryeministrit Borisov.  Partia e tij, GERB, është ende e përfaqësuar fuqishëm në aparate, qytete dhe komuna. Ndonëse qeveria e re thekson se dëshiron të qeverisë plot katër vjet, me sa duket ajo po planifikon deri në zgjedhjet rajonale të vitit 2023.

 Zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari 2021 Hristo Ivanov
Hristo Ivanov, bashkëkryetar i partisë konservatore-liberale Demokratike të BullgarisëFotografi: BGNES

 "Kjo qeveri është një urë lidhëse midis epokës së Borisovit dhe një stili të ri qeverisjeje," thotë Hristo Ivanov. "E mundshme është që të vonojë deri në zgjedhjet rajonale derisa ky konstrukt politik të bëhet i qëndrueshëm."  Ish-kryeministri Bojko Borisov e komentoi të shtunën në mënyrën e tij kabinetin e ri: "Pas kësaj qeverie do të vijë katrahura".