Mbrojtja nga refugjatët: Bullgaria ndërton një mur në kufirin me Turqinë
11 Nëntor 2013"Refugjat", një term, që në Bullgari është kthyer në fjalë shqetësuese. muajt e fundit rreth 10.000 njerëz kanë kërkuar strehim në Bullgari. Ata vijnë kryesisht nga Siria dhe duan të ikin nga lufta. Por edhe nga vendet e Magrebit, nga Afrika Qendrore, apo Lindja e Mesme vijnë refugjatë. Shumë bullgarë e shohin këtë zhvillim me shqetësim, ai zgjon frikëra. Eshtë reagimi i një shoqërie, që deri tani nuk e njihte problemin e refugjatëve. Autoritetet bullgare janë të mbingarkuar nga kjo dyndje. Agjencia për refugjatë ka strehuar deri tani vetëm rreth 4000 refugjatë në qendrat e pritjes. Thuhet se shteti nuk ka të holla të mjaftueshme për ushqimin dhe kujdesin mjekësor.
Ndjenja ksenofobe
Në të njëjtën kohë rritet presioni i opinionit publik. Në media është vënë shpesh në dukje se Bullgaria, që pas protestave anti-qeveritare disamujore karakterizohet nga paqëndrueshmëri politike dhe pasiguri, të mos mbingarkohet me problemin e refugjatëve.
Tensionin në rritje në mesin e popullatës hulumtuesi i opinionit Kolev Kolev e shpjegon në rradhë të parë me frikën nga kriminaliteti i refugjatëve. Me të vërtetë së fundi një azilkërkues plagosi me thikë një shitëse në një dyqan ushqimesh. Dhe në media njoftohet edhe për refugjatët sirianë, të cilët vjedhin ushqime në dyqane. Ata janë raste të izoluara, por autoritetet nuk janë në gjendje të qetësojnë popullsinë me masa bindëse, shpjegon sociologu, Tzvetozar Tomov.
Forcat nacionaliste dhe ksenofobe në Bullgari ndjejnë se u ka ardhur një shans. Të dielën (03.11.2013) qindra pasues të partive nacionaliste demonstruan duke shprehur ndjenjat kundër refugjatëve nga Siria dhe vendeve të tjera në krizë. Volen Siderov, shefi i partisë Ataka, parti kundër BE, ka paraqitur tashmë njö nismë parlamentare, gjë që e rrit reputacionin e tij publik.
Fortesa Evropë
Qeveria bullgare e pa vetën të detyruar, që të veprojë. Refugjatët, që qëndrojnë ilegalisht në Bullgari, duhet të dëbohen më shpejt. Këtë e parashikon një plan për përballimin e krizës së refugjatëve në Bullgari, të cilin e prezantoi ministri i Brendshëm Zvetlin Jovtschev, në fillim të kësaj jave (04.11.2013) në Sofje.
Për të zvogëluar numrin e refugjatëve, që vijnë në vend ilegalisht, në kufirin me Turqinë do të ngrihet një gardh i lartë 37 kilometër i gjatë dhe tre meter i lartë. Me 8 nëntor ai do të jetë i përfunduar plotësisht. Janë kryesisht refugjatët sirianë, që kalojnë kufirin me Turqinë dhe arrijnë në vendin e BE, Bullgari.
Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznieks, e kritikoi këtë masë. Bullgaria ka nënshkruar Konventën e Refugjatëve dhe nuk mund ta mbyllë thjesht kufirin, tha komisioneri. Dhe autoritetet janë të obliguara, të shqyrtojnë secilën kërkesë për azil, thekson Muiznieks. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme bullgare sjell argumentin kundërshtues se çdo vend ka të drejtën legjitime për të mbrojtur kufijtë e tij. Madje edhe pala turke ka treguar mirëkuptim për këtë, tha ai.
Për t'i dëbuar apo ndihmuar?
Zëvendësministri i Brendshëm, Vassil Marinov, e relativizoi qëllimin e gardhit rrethues. Synimi nuk është për të dëbuar refugjatët, por për t'i bërë ata që të mbërrijnë në pikën zyrtare kufitare Svilengrad. Entscho Gospodinov, një zëdhënës i komisares bullgare të BE për Ndihmën Humanitare dhe Mbrojtjen nga Katastrofa, Kristalina Georgieva, u përpoq ta shpjegonte këtë thënie. Për DW Gospodinov tha se, nëse gardhi është një përpjekje për t'i çuar refugjatët më parë te punonjësit e organizatave humanitare, "atëherë kjo masë është e justifikuar ky është pozicioni i komisares". Por në qoftë se refugjatët duan të bien në duart e kontrabandistëve të njerëzve, atëherë gardhi rrethues është i pakuptimtë "Këta njerëz të dëshpëruar mund të kërkojnë edhe hyrje të tjera", për shembull përmes kufirit në Detin e Zi dhe atëherë do të kishim në Bullgari një situatë si në Lampedusa."
Komisionerja e BE Georgieva vetë raportoi lidhur me ndihmën e deritanishme për Bullgarinë. Mbështetja financiare deri tani ka ardhur nga Sllovakia, Sllovenia, Hungaria dhe Austria, ndihmë do të japë edhe BE dhe FRONTEX-i, tha ajo. Dhe në Bullgari punojnë qindra ekspertë të BE, që kujdesen për shqyrtimin e aplikimeve për azil. Në të njëjtën kohë Kryqi i Kuq bullgar ka nisur një aksion ndihme përmes mesazheve në celularë dhe autoritetet shëndetësore kujdesen për vaksinimet e atyre, që janë nën 15 vjeç. Qeveria në Sofje është duke zhvilluar një plan emergjence, sepse ditë pas dite rreth 100 refugjatë mbërrijnë në vendin e BE, Bullgari.