Pse zgjat kaq gjatë forcimi i industrisë së armatimit?
26 Shkurt 2024Qëllimi i BE ishte mjaft ambicioz. 1 milion predha artilerie donte të ofronte Europa deri në mars për Ukrainën në mënyrë që të zmbrapste superfuqinë ushtarake të Rusisë në luftë. Por premtimi nuk mund të mbahet dy vjet pas fillimit të luftës në Ukrainë më 24 Shkurt. Këtë u desh ta pranonin pak ditë më parë edhe ekspertët në Konferencën e Sigurisë në Mynih (16-18.02.) Arsyeja qëndron në strukturën dhe funksionimin e industrisë së luftës. Megjithatë ka shenja shprese. Industria e armatimit po i rrit kapacitetet prodhuese. Edhe bashkëpunime të reja mund t'i vijnë në ndihmë Ukrainës.
Si me koncernin gjerman, Rheinmetall. Koncerni prodhon ndër të tjera tanke për Bundeswehrin, por edhe municione për tanket kundërajrorë, Gepard që përdoren edhe në Ukrainë. Kursi i aksioneve të Rheinmetall që nga fillimi i luftës në Ukrainë është katërfishuar. Rheinmetall punon ndërkohë në disa fabrika me tre turne dhe planifikon ndërtimin e fabrikave të reja. Ndërkohë që politika, me në krye ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, SPD kërkon që ushtria gjermane të "jetë e aftësuar në rast lufte", për të trembur Rusinë në rast të një sulmi të mundshëm kundër një vendi të NATO-s. Por kjo po zgjat shumë më tepër se e kanë pritur edhe ekspertët për një vend si Gjermania që renditet tek 5 eksportuesit kryesorë të armatimit në botë, sipas Institutit të Stokholmit, SIPRI, (Stockholm International Peace Research Institute).
Kompanitë e nivelit të mesëm kanë probleme të mëdha
Në një kohë që Rheinmetall mund të financojë shpejt nga rezervat e veta investimet në prodhimin e armatimeve, kompani më të vogla e kanë shumë më të vështirë, thotë drejtori ekzekutiv i Shoqatës Federale të Industrisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes, BDSV, Hans Christoph Atzpodien në bisedë me DW. Atzpodien bën fjalë për 200 kompani në sektorin e industrisë së armatimit. Prej tyre më shumë 80% nuk kanë më shumë se 300 punonjës. "Mes tyre shumë janë tejet të specializuara", thekson Atzpodien, pra ato prodhojnë produkte me të cilat furnizohen të tjerët, pra është një nivel klasik i kompanisë së mesme gjermane.
Qeveria gjermane bëri të ditur së fundmi, se do të arrijë këtë vit objektivin e investimit 2% të prodhimit të brendshëm bruto për NATO-n. Gjermania e arrin këtë objektiv, vetëm sepse krijoi fondin e posaçëm 100 miliardë euro për mbrojtjen, të cilin kancelari gjerman, Olaf Scholz e bëri të ditur pas fillimit të luftës në Ukrainë. Me këto fonde do të financohen ndër të tjera edhe avionë luftarakë amerikanë, F35.
Kurse buxheti i rregullt i ushtrisë gjermane mbetet pak a shumë i pandryshuar. Por pikërisht tek ky buxhet i kanë sytë kompanitë e vogla të industrisë së armatimit, thekson eksperti, Jürgen Fischer për DW. Fischer është kryeredaktor i Revistës Europiane për Sigurinë dhe Teknikën. "Ne kemi nevojë për porosi prodhimi", u shpreh një përfaqësues i industrisë së armatimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih (16.-18.02.) në takimin "Boshllëqet europiane të prodhimit të mbrojtjes".
Më shumë bashkëpunim në industrinë e armatimit
Ministri ukrainas për industritë strategjike, Aleksander Kamyshin, pjesëmarrës në këtë takim në Mynih tha se "po ecet përpara". Dy vite pas pushtimit rus, Kamyshin u takua me përfaqësues të industrisë gjermane të armatimit për të diskutuar bashkëpunime të ndryshme. Në janar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski kishte bërë të ditur bashkëpunime të tilla të industrisë së armatimit në Ukrainë me kompani të BE. Ukraina vetë po përpiqet të prodhojë më shumë municion dhe armatime luftarake me mbështetjen e know-how europian.
Por problemet e prodhimit të armavë që ekzistojnë në Europë po përzihen gjithnjë e më shumë me problemet që ka Ukraina. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tërhoqi vëmendjen për një problem tjetër. Granatat europiane 155 milimetërshe të vendeve mbështetëse europiane kanë problemin, se përshtaten shpesh vetëm për disa lloje të caktuara të sistemeve të artilerive. "Në terren ky është problem i madh", tha Kuleba. "Ne nuk mund ta përdorim të njëjtin municion për sisteme të tjera armatimi." Edhe NATO e ka identifikuar këtë problem. Predhat kanë vërtet të njëjtën madhësi, por teknika e funksionimit për goditje është e ndryshme. Përafrimi i predhave ka dështuar deri tani për shkak të burokracisë ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s.
Municion çek për Ukrainën
Kështu BE nuk e realizoi dot premtimin e saj të furnizojë shpejt dhe më mirë me municion Ukrainën. Por shpresa vjen nga presidenti çek, Petr Pavel, i cili ka premtuar ndihma. Ministria e Mbrojtjes në Pragë dhe prodhuesit në vend kanë gjetur një zgjidhje për të furnizuar Ukrainën me granata të caktuara. "Me sa di unë kompanitë tona kanë identifikuar 500.000 predha të kalibrit të NATO-s 155 milimetra, dhe 300.000 predha të kalibrit 122 milimetra", tha Pavel. Mbetet të zgjidhet çështja e financimit.
Edhe Gjermania do të përshpejtojë ndihmat. Me qëllim që të rritet prodhimi në fabrikat e armatimit, do të ketë në të ardhmen më shumë garanci nga qeveria gjermane. Këtë e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, duke shprehur optimizmin, se një hap i tillë do të ndihmojë si ushtrinë gjermane edhe Ukrainën.