CeBIT 2012 dhe siguria
2 Mars 2012Asnjë CeBit nuk ka qenë pa ndonjë temë të madhe. Disa vjet më parë, temë kryesore ka qenë Green IT, që mendohej të sillte revolucion në botën e teknologjisë së informacionit. Më vonë u fut Cloud (= re) sipërmarrjet dhe konsumentët duhet të vendosnin të dhënat e tyre në internet, dhe t'i përdornin ato nga interneti, pra nga Cloud.
Por kjo has rezistencë, sepse duhet ndryshuar mënyra e të gjykuarit që t'i bësh firmat t'ia besojnë të dhënat dhe proceset e biznesit një reje anonime. Kështu që sektori i teknologjisë së informacionit ka gjetur tani një temë të re për të arritur rritjen e besimit: "Managing Trust" është tema kryesore e CeBIT-it të sivjetshëm, i cili do të hapë portat të martën e ardhshme (06.03.2012) në Hanover.
"Pa arritur besimin e klientëve, modelet tona të biznesit sidomos ato që kanë të bëjnë me teknologjinë e rrjeteve nuk do të jenë të qëndrueshme," thotë Dieter Kempf, president i Shoqatës së këtij sektori, asaj Bitkom. Dhe në fakt pas shumë avarive të shkaktuara në mbrojtjen e të dhënave, sektorit i duhet shumë punë për të vënë besimin në vend. "Managing Trust" do të jetë linja që do të shoqërojë të gjithë ofertat në CeBIT.
Lojë shifrash
Menaxherët e panairit presin që në panair të marrin pjesë 4200 firma prezantuese nga 70 vende. Ky volum është më i madh se një vit më parë. Firmat që nuk kanë marrë pjesë në panairet e fundit janë kthyer sërish, si përshembull gjigandi i elektronikës koreane Samsung, ose koncerni japonez i elektronikës, Sharp.
Por numrat e firmave që prezantohen, vizitorët dhe sipërfaqet e panairit nuk thonë shumë. "Nëse panairi do të jetë i sukseshëm apo jo nuk e vendosin këto shifra, por e vendosin kontaktet e biznesit," thotë shefi i panairit, Ernst Raue.
Megjithatë CeBIT-i nuk është më panair biznesi. Në vitin 2011 panairi prezantoi një koncept të ri, i cili mbështetet në katër shtylla. "Pro" është fusha e sipërmarrjeve, "Gov" është për Government, pra zgjidhje IT-je për sektorin publik, "Lab" është për fushën kërkimore dhe "Life" duhet t`i përgjigjet gjithë përdoruesve privatë, pasi vitet e kaluara u është kushtuar më shumë vëmendje ndaj vizitorëve të specializuar.
Kongresi
Por edhe vizitorët e specializuar vijnë në Hanover me kostot e tyre. Zgjidhjet në sektorin e teknologjisë së informacionit bëhen gjithnjë e më shumë komplekse dhe me nevojë për shpjegime. Prandaj në CeBIT vijnë qindra prezantues të specializuar, ku ekspertët mund të marrin mendime. Në fakt CeBIT është zhvilluar si Kongresi më i madh i teknologjisë së informacionit, me folës të profileve të larta, si përshembull Kevin Turner, nga CEO i Microsoft-it, ose Eric Schmidt, kryetar i Këshillit Administrativ të Google.
E gjithë kjo josh edhe prominencën politike. Rreth130 delegacione nga politika dhe ekonomia shkojnë në Hanover, mes të tjeras Neelie Kroes, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe Komisare për "Axhendën digjitale", dhe Viviane Reding, Komisare për Drejtësinë dhe ish- Komisare e TI.
Veç kancelares gjermane Angela Merkel, CeBIT-i do të hapet edhe nga presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff. Brazili është këtë vit vend partner i CeBIT-it.
Autor: Rolf Wenkel/ Aida Cama
Redakoi: Auron Dodi