Lagarde emërohet në krye të Bankës Qendrore Europiane
3 Korrik 2019Christine Lagarde ka lindur në Paris, dhe që në moshë të re ka qenë afër qarqeve me pushtet, kur si nxënëse 18 vjeçare e një shkollë private në afërsi të Uashingtonit, ka bërë praktikën në zyrën e republikanit William Cohen, i cili më vonë u bë ministër i Mbrojtjes. Me kthimin në Francë, Lagarde, vajza e një profesori të anglistikës dhe një mësueseje të gjuhëve të vjetra, u fut për studime në universitetin elitar të shkencave Po in Aix-en-Provence dhe në Universitetin Paris-Nanterre. Lagarde përfundoi studimet në të drejtën ekonomike dhe anglistikë dhe ka një diplomë edhe në të drejtën sociale.
Vitet si avokate për çështjet ekonomike
Në fillim të vitete 1980, ajo u specializua në zyrën avokatore për çështjet ekonomike Baker & McKenzie, nga Çikago për të drejtën e konkurrencës dhe të drejtën e punës. Në vitin 1987 ajo u bë bashkëpronare e firmës dhe drejtoi mbas 1991-t, filialin e Parisit. Mbas vitit 1995, ajo mbërriti në krye të zyrës së kthyer në një nga më të mëdhatë në botë në çështjet e të drejtës ekonomike, dhe u zhvendos në Çikago. Ajo ishte gruaja e parë që drejtoi firmën, me një volum prej 2 miliardë dollarësh në vitin 2002. Në vitin 2004 Lagarde u bë drejtuese e Komitetit Strategjik Global. Paralelisht nga viti 1995 deri në 2002-n, ajo ka qenë anëtare e një qendre strategjike për studimet ndërkombëtare, një "think tank" në Uashington.
Menaxhuese krizash në arenën botërore
Gjatë pjesëmarrjes në politikën franceze, duke filluar që nga 2005 ndër të tjera si ministre Financash dhe e Ekonomisë nën presidentët Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy - ajo bëri emër si menaxhere krizash gjatë krizës financiare botërore dhe gjatë shpëtimit të Greqisë prej falimentimit. Në takimet e nivelit të lartë të G8-s dhe G20-s, ajo ka qenë gruaja e vetme mes ministrave të tjerë të gjithë burra. Së bashku me ministrin e atëhershëm gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble ajo krijoi në maj të vitit 2010 fondin e parë provizor për kapërcimin e krizës, i cili u krijua me garancinë e vendeve të euros. Deri më sot ajo është mes trojkës së kreditorëve, një nga figurat më të urryera nga popullsia greke.
Në fund të qershorit 2011, Lagarde u bë drejtuese e FMN, duke qenë gruaja e parë që ulej në këtë post. Që me ngjitjen në pushtet të Donald Trumpit, shefja e FMN nuk ka lenë asnjëherë rastin t'i shkojë pa folur për tregtinë e lirë botërore dhe pa paralajmëruar për rreziqet e proteksionizmit. Që prej kohës që ka qenë në qeverinë franceze, Lagarde shihet edhe si mbrojtëse e zjarrtë e interesave të Francës. Kritikët e akuzojnë se gjatë përpilimit të paketës së ndihmës për Greqinë, ajo ka pasur parasysh vetëm interesat e bankave franceze. Sepse bankat e mëdha nga Franca kishin në rezervat e tyre shumë obligacione greke. Falimentimin e Athinës këto banka do e kishin përballuar me shumë vështirësi, nëse do e përballonin në përgjithësi.
Afera "Tapie" dhe procesi gjyqësor
Në Francë emrin e saj shumë njerëz e lidhin me të ashtuquajturën afera "Tapie". Duke qenë ministre, ajo ka qenë përgjegjësja kryesore që shoku i ngushtë i ish-presidentit Sarkozy, Bernard Tapie, të merrte në vitin 2008 një dëmshpërblim prej rreth 400 milionë eurosh, të paguara nga taksapaguesit francezë. Argumentimi për dhënien e dëmshpërblimit ka qenë, se gjatë shitjes në vitin 1993 të firmës me artikuj sportiv, Addidas, Tapie është mashtruar nga banka shtetërore franceze, Crédit Lyonnais. Lagarde mezi i shpëtoi akuzës për inkurajimin e keqpërdorimit të parave publike. Megjithatë në vitin 2016, ajo u shpall fajtore për "pakujdesi në detyrë", por nuk u dënua nga gjykatësi për shkak të "reputacionit ndërkombëtar."
Vegjetariane sportive
Christine Lagarde është vegjetariane, ushtron yoga, noton dhe zhytet me pasion. Revista gjermane "Stern" e pati quajtur vite më parë "Prusjania e veshur në Chanel". Ajo është nënë e dy djemve, flet anglisht njësoj si frëngjishten, gjuhën e nënës dhe është e lidhur shumë me vendimmarrësit në politikën amerikane dhe Wall Street, karakteristikë shumë e veçantë për një europiane.