1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat i nxehtë për një dalje eventuale të Greqisë nga Eurozona

Auron Dodi (kle/gri,rtr, afp, dpa)5 Janar 2015

A duhet të largohet Greqia nga Eurozona pas një fitoreje në zgjedhje të Syrizas? A e mbështet qeveria gjermane këtë? Në politikën gjermane është ndezur një debat për këtë.

https://p.dw.com/p/1EEwO
Krise Griechenland Symbolbild Euro Austritt
Fotografi: picture-alliance/dpa/Panagiotou

Qeveria e Gjermanisë do ta mbajë Greqinë në Eurozonë, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në fund të janarit. Por njëkohësisht qysh tani Berlini tërheq vëmendjen për respektimin e kursit të kursimeve dhe të marrëveshjeve me donatorët. Qeveria i hedh poshtë njoftimet e shtypit, sipas të cilave ajo ka ndryshuar kursin e saj ndaj Greqisë. "Qysh në fillim politika e qeverisë federale ka qenë, që Eurozona të stabilizohet dhe të forochet me të gjithë antëarët e saj duke përfshirë edhe Greqinë", tha zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert në Berlin. "Në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë."

Debati pro dhe kundër një daljeje të Greqisë nga Eurozona u ndez nga një informacion i revistës "Der Spiegel". Në bazë të tij, një dalje e Greqisë nga Eurozona, e quajtur shkurt edhe Grexit, është një skenar që i frikëson tani më pak kancelaren Angela Merkel dhe ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble. Të dy politikanët sipas informacionit janë optimistë se Euro do ta mbijetojë një dalje të vendit të përfshirë nga kriza nga Eurozona. Spiegel-i u referohet burimeve qeveritare dhe shkruan se nëse një qeveri e re greke nën Syrizan do të ndërmerrte një ndryshim radikal kursi, atëherë një skenari i tillë do të ishte thuajse i pashmangshëm.

Shkak për këto vlerësime janë përparimet në Eurozonë që prej kulmit të krizës në vitin 2012. Këtu bën pjesë Mekanizmi i Stabilitetit i Euros, përmes të cilit shtetet mund të shpëtohen në rast emergjence me deri 500 miliardë Euro. Edhe rreziku për vende me probleme si Irlanda dhe Portugalia nuk është më kaq i madh.

Asnjë ndryshim kursi

Qeveria gjermane e kundërshtoi të dielën (4.01) përshtypjen se e ka ndryshuar qendrimin për një dalje të Greqisë nga Eurozona. "Nuk ka ndryshim kursi", tha zëvëndëszëdhënësi i qeverisë Georg Streiter. Greqia i ka plotësuar detyrimet në të shkuarën. Besohet se kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, tha Georg Streiter.

Një zëdhënës i Ministrisë së Financave tërhoqi vëmendjen në një pozicionim të ministrit Wolfgang Schäuble të fundit të vitit të kaluar. Ai e pati paralajmëruar Greqinë për rrezikun që sjell heqja dorë nga kursi i reformave: "Nëse Greqia ndjek një rrugë tjetër, atëherë do të kemi vështirësi." Një qeveri e re duhet t'u përmbahet premtimeve të një qeverie të mëparshme. Vetëm duke respektuar kursin e reformave dhe të kursimeve do të ketë edhe më tej ndihmë për Greqinë për të ndihmuar vetveten.

Kritika të rënda

Duke iu referuar informacionit të Spiegel-it, shefi i Partisë "E Majta", Bernd Riexinger e akuzoi qeverinë se ndez me qëllim "një bombë" me mendimet e saj. Kjo mund ta përshkallëzojë krizën në Greqi, tha ai. Riexinger foli për një "shantazh publik" me synim për ta destabilizuar Greqinë para zgjedhjeve të 25 janarit. Lajme të tilla mund të provokonin një dyndje në bankat e Greqisë.

Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Carsten Schneider tha se një dalje e grekëve nga Eurozona do të ishte "aventureske". Nga kjo do të rrezikoheshin kredi shtetërore prej 80 miliardë Eurosh të Greqisë. Më parë, kryetari i Grupit Parlamentar socialdemokrat, Thomas Oppermann e pati paralajmëruar Greqinë: "Nuk ka shërbim pa pasur kthim". Një ndryshim i kursit në Greqi do ta ndryshonte bazën e biznesit për ndihma. Por shumica e grekëve "nuk do t'i futet një aventure të tillë."

Krejt ndryshe u shpreh kryetari i partisë kritike ndaj Euros, Alternativa për Gjermaninë (AfD), Bernd Lucke. Ai e përshëndeti "konkluzionin e vonuar të zonjës Merkel dhe të Schäuble-s, se një dalje e Greqisë nga Eurouona është e përballueshme. Një hap i tillë do të ishte "një zgjidhje e mirë për Greqinë dhe për Eurozonën".