Debate dhe shqetësim për euron
7 Gusht 2012Kryeministri italian Mario Monti ia doli mbanë. Me një citat të vetëm ai nxiti shqetësimin e të gjitha kampeve politike, për të mbrojtur plot fjalë sulmin mbi të drejtat e tyre parlamentare. Në një intervistë me revistën politike informative gjermane "Spiegel" ish Komisari i BE-së tha: "Nëse qeveritë varen krejtësisht nga vendimet e parlamenteve, pa pasur hapësirën e vetë të veprimit, atëherë shpërbërja e Evropës do të jetë shumë më e mundshme se sa integrimi edhe më i madh."
Në kohën e krizës së euros nuk duhet shumë për të shkaktuar histeri. Kristiandemokrati Michael Meister i tha gazetës së Berlinit "Tagesspiegel": "Në Evropë ne nuk kemi nevojë për më pak por për më shumë demokraci." Socialdemokrati Joachim Poß theksoi për "Rheinischen Post" se: Në Itali me sa duket mënyra se si është parë parlamenti ka vuajtur nga vitet e Berluskonit."
Qeveria gjermane distancohet nga Monti
Vetë qeveria gjermane u distancua qartë. "Mendimi i kancelares federale është se në Gjermani ka pasur eksperienca të mira me masën e duhur të pjesëmarrjes së parlamentit," tha zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë Georg Streiter duke përmendur vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese gjermane, për rritjen edhe më shumë të kësaj pjesëmarrjeje. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle plotësoi: "Kontrolli parlamentar i politikës evropiane është i padiskutueshëm."
Monti e patë lëshuar fjalinë në lidhje me paralajmërimet për shpërbërjen e Bashkimit Evropian. "Tensionet që kanë shoqëruar vitet e fundit zonën e euros, tregojnë për shenjat e një shpërbërjeje psikologjike të Evropës", tha Monti. Me shqetësimin e tij për kthimin e Evropës sërish në shtete të ndara, Monti nuk është i vetëm, edhe politikanë gjermane janë shprehur kohët e fundit për këtë.
Tone të ashpra nga Bavaria
Edhe politikanë gjermanë kanë kontribuar për ashpërsimin e tonit në Evropë. Si përshembull sekretari i përgjithshëm i Partisë Kristiansociale CSU, Alexander Dobrindt me replikën jo diplomatike: "Lakmia për paratë e taksapaguesve gjermanë e kanë cuar Montin në preferenca jodemokratike." Më parë ministri bavarez i Financave Markus Söde pati kërkuar nxjerrjen e Greqisë nga zona e euros. Ai pasoi thëniet e ministrit bavarez të Ekonomisë Martin Zeil nga partia e demokratëve liberalë FDP: "Kush nuk është në gjendej të përmbushë kushtet e vendosura, duhet të largohet nga zona e euros."
Motive të politikës së brendshme
Fakti që tone të tilla të ashpëra kundër vendeve evropianë në krizë vijnë nga Bavaria, ka të bëjë me politikën e brendëshme atje. Gjatë zgjedhjeve të landit një vit më parë, Partia Kristiansociale CSU u rrezikua për herë të parë në gjysmëshekullin e fundit të humbiste pushtetin, kurse liberalët FDP, të futeshin në parlament. Të dy partitë shihen të rrezikuara nga Zgjedhësit e Lirë, të cilët u futën për herë të parë në parlamentin e landit katër vjet më parë dhe me kursin e theksuar euroskeptik duket se kanë dalë për gjuetinë e votave.
Rreziku për partitë në pushtet në Bavari nuk ka ardhur kurrë nga e majta, por nga e djathta dhe nga kampi liberla- konservator. Partia e Kristianëve Socialë i ka shpëtuar këtij rreziku duke iu afruar sfiduesve me politikën e tyre. Në këtë mënyrë arriti CSU të fitonte në vitet pesëdhjetë kundër Partisë Fshatare, parti separatiste- liberale, dhe në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të pengonte futjen në parlamentin e landit të nacionaldemokratëve ekstremistë të djathtë dhe republikanëve.