Detroit: makinat luksoze gjermane në shtegun e suksesit
15 Janar 2014"Germany to Michigan, Solidarity is gonna win", kumbon nga salla e panairit në veshët e përfaqësuesve të shtypit. Një grusht qytetarësh nga Detroiti thërrasin për solidaritet dhe duan që qyteti i tyre, ta kapërcejë krizën e thellë sipas modelit të Berlinit: "Berlini u rimëkëmb, por Detroiti jo", thotë e indinjuar një nga demonstrueset. "Këtu na duhen dy gjëra të rëndësishme: vende pune dhe që njerëzit të mund të qëndrojnë në banesat e tyre e të mos flaken jashtë nga bankat."
Kush do të dijë se si duket luksi dhe tepria në kohët e emergjencës komunale, në një qytet i cili falimentoi pas një rrënimi të pashembullt, duhet të shkojë në panairin e automobilëve në qytetin e makinave Detroit, NAIAS (North American International Autoshow).
Rrugës nga aeroporti për në panair, Cobo Center, kalon nëpër segmente rrugësh në gjendje të keqe dhe rrënoja fabrikash. Njerëzit zhvendosen, çmimet rriten. Një bllok i tërë shtëpish ofrohet për 150.000 dollarë. Jo shumë larg nga kjo shkretëtirë urbane prodhojnë tashmë me fitim tre prodhuesit e mëdhenj amerikanë General Motors, Ford dhe Chrysler.
"Përparësi përmes teknikës"
Por kur amerikanët ëndërrojnë për makina, vendi i adhurimit të tyre është Gjermania. Një në tetë makina të reja të shitura në SHBA vjen nga Gjermania. Në një treg me aktualisht 15,6 milionë makina të shitura dhe një rritje prej së fundi 8 për qind, kjo premton një biznes gjigant. Para së gjithash kur tregu evropian është në gjendje paralize, siç ka ndodhur vitet e kaluara. Për këtë arsye Mercedes, BMW, Audi, VW dhe Porsche e marrin seriozisht edhe këtë vit panairin e automobilëve në Detroit: nga Klasa C deri tek Porsche 911 Targa, nga Golfi sportiv deri te Mini, të gjithë duan të fitojnë këtu pikë me premiera spektakolare.
Bruce Belzowski nga Transportation Research Institute në Universitetin e Michiganit, i sheh prodhuesit gjermanë në pozicione të mira edhe për tregun amerikan të rëndësishëm për ta. Para së gjithash markat në segmentin e makinave luksoze - Mercedes Benz, BMW, Porsche dhe Audi - kanë qenë të suksesshme vitin e kaluar. Mercedes Benz arriti të pozicionohet përpara konkurrentëve nga Mynihu dhe Ingolstadt. "Unë besoj se është hera e parë që Mercedes ia kalon BMW", thotë Belzowski. "Distanca është e ngushtë si në një garë me kuaj. Klientët amerikanë janë shumë të interesuar dhe blejnë shumë produkte nga Mercedes dhe BMW."
Shefi i bordit drejtues të Daimler, Dieter Zetsche, synon ta ruajë ritmin edhe gjatë vitit 2014 dhe madje ta shtojë atë. Produkti kryesor duhet të jetë Klasa C e re e Mercedesit, e cila në Detroit feston premierën e saj botërore. "Tregu amerikan ka qenë edhe në të kaluarën më i rëndësishmi për Klasën C", tha Zetsche për Deutsche Welle. "Ajo ka karakteristika të reja shumë të rëndësishme, që e bëjnë edhe më tërheqëse. Për këtë arsye shpresojmë nga ajo një kontribut të madh në suksesin tonë". Zetsche i sheh faktorët e suksesit në dizajn, teknologjinë e avancuar, peshën e ulët dhe më shumë eficencë në përdorimin e karburantit.
Gabime të bëra vetë
Ndërsa VW vitin e kaluar ka pasur vështirësi, jo vetëm në krahasim me importuesit e tjerë gjermanë por edhe me prodhuesit amerikanë dhe japonezë të produkteve të masës si Fordi, GM, Toyota apo Honda. Ndërkohë që konkurrenca gëzohej për shifra shitjeje në rritje, prodhuesit e automobilëve nga Wolfsburgu shitën gati 7 për qind automjete më pak se një vit më parë. Shefi i VW Martin Winterkorn, iu referua në Detroit suksesit total të të gjitha markave të koncernit Volkswagen, nga Audi tek Porsche, por është i vendosur që gjatë këtij viti ta korrigjojë gabimin. "Mund të jeni të sigurtë se gjatë 2014 do të rikuperojmë me produkte të reja, me golfin e ri në SHBA, me variantin e Golfit, me variantet e Beetle dhe Passat", tha ai për Deutsche Welle. "Por nuk duhet të harrojmë se në total marka Vollkswagen e ka dyfishuar volumin e saj në SHBA gjatë pesë viteve të fundit." Shtatë miliardë dollarë do të mobilizojë VW për të çuar përpara biznesin në SHBA.
Bruce Belzowski mendon se VW e ka pasur vetë fajin: marka ka "gjithçka përveç Pickup Trucks. Por segmenti i Pickup është një segment aq i madh në SHBA sa është disavantazh të mos ofrosh asgjë në këtë drejtim." Fordi jep shembullin si duhet vepruar: për herën e 32-të radhazi seria F e Fordit Pickup me 763402 ekzemplarë të shitur, është automobili më i suksesshëm në SHBA. Dhe modeli i ri i prezantuar për herë të parë në Detroit duhet ta vazhdojë këtë histori suksesi. Brenda këtij viti makina mund të blihet edhe në Evropë.
Shefi i VW Winterkorn, nuk u shfaq i impresionuar nga shifra të tilla dhe konfirmoi në Detriot në mënyrë të papritur prodhimin e një "SUV Midsize" të ri për tregun amerikan. Makina me shtatë vende do të jetë në treg në 2016. Ai mund të shihej vitin e kaluar në panairin e Detroitit në formën e një studimi me emrin "Cross Blue". Kështu Winterkorn u përgjigjet pritshmërive të klientëve. SUV dhe Pickup përbëjnë gati gjysmën e tregut amerikan.
Rritja e tij do të vazhdojë sipas pjesës më të madhe të parashikimeve edhe gjatë 2014 edhe pse jo aq fort sa deri tani. Kështu do të arrihej përsëri niveli i prodhimit para krizës të vitit 2008.
Tendencat predominuese këtë vit nuk është aq e lehtë të dallohen. Pas shifrave zhgënjyese të shitjeve, makinat elektrike dhe hibride nuk luajnë ndonjë rol të dorës së parë. Eksperti i automjeteve Belzowski sheh më shumë tendencën drejt një makine sportive "funauto" që ofron vërtet kënaqësi në drejtim por mban parasysh edhe kursimin në konsumin e karburantit. Kjo vlen si për prodhuesit amerikanë ashtu edhe ata gjermanë.
Shefi i Audit Rupert Stadler ka evidentuar edhe një tjetër tendencë. Me markën e tij ai synon të tregojë se "sa i përhapur mund të jetë funksioni digjital tek automobilët: drejtim i telekomanduar, inovacione në makinë, kombi digjitalë. Besoj se këtu do të kemi shumë, shumë lëvizje. E gjithë lidhja digjitale në rrjet e automobilit për momentin është në zhvillim të fortë."