Dhuna në Siri vazhdon megjithë marrëveshjen për armëpushim
24 Prill 2012Shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut në Siri sipas informacioneve të Kombeve të Bashkuara vazhdon edhe më tej, pavarësisht marrëveshjes për një armëpushim. Edhe armëpushimi vetë nuk është i plotë, tha nënsekretari i Kombeve të Bashkuara, Lynn Pascoe, në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork. Regjimi ende nuk i ka tërhequr armët e tij të rënda nga zonat e banimit, tha Pascoe.
Njoftime për vazhdimin e dhunës
Ndërkohë aktivistët sirianë njoftuan për ushtrimin në vazhdim të dhunës nga forcat qeveritare. Një ditë pas vizitës së vëzhguesve të OKB-së, forcat ushtarake të presidentit Bashar al-Assad kishin vrarë në qytetin Hama 33 njerëz, njofton zyra vëzhguese siriane për të drejtat e njeriut me qendër në Londër. Shumica e viktimave ishin civilë dhe vdiqën nga granatimi dhe sulmet me armë zjarrri në këtë qytet. Por numri i viktimave të sulmit nuk mund të konfirmohej nga burime të pavarura.
Vëzhguesit të zhgënjyer
Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kishin inspektuar të hënën rrethinat e kryeqytetit sirian, Damask. Ata qëndruan edhe në qytetin sirian Sabadini. Aktivistët u shprehën të zhgënjyer për situatën. Ekipi i Kombeve të Bashkuara qëndroi për rreth 30 minuta në këtë qytet, pak para se tanket të ishin tëhequr nga qendra. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka konfirmuar për një rritje të misionit të helmetkaltërve. "Vendet anëtare kanë rënë dakord njëzëri që të dërgohen 300 vëzhgues të OKB-së për misionin në Siri", theksoi Ban. Vëzhguesit do të takohen javën e ardhshme. Deri tani OKB vlerëson se janë vrarë rreth 9 mijë vetë në Siri.