Diga europiane kundër vërshimit të borxheve
8 Tetor 2012Nuk është e qartë nëse ditën e hënë, ditën e themelimit të Mekanizmit për stabilitetin evropian (ESM), do të vendoset ndonjë shenjë simbolike në derën e ndërtesës së zyrave në Kirshbergun luksemburgas, thotë zëdhënësi i ri Wolfgang Proissl. Në fakt nga jashtë nuk dallohet asgjë. ESM, fondi permanent për shpëtimin e euros, i cili duhet të mbledhë brenda pak muajsh rreth 700 miliardë euro, ndodhet aktualisht në zyra me qera në ndërtesën, ku deri tani ka qendruar programi paraprak për shpëtimin e euros (EFSF). Ky ka qëndruar dy vjet me radhë në një kat, me zyra krah një supermarketi dhe jo larg autoriteteve evropiane të statistikave. Rreth 40 punonjësit e EFSF-së do të ngrenë tani ESM. Maksimumi deri në verë të 2013-ës, duhet të ngrihet si institucion i pavarur evropian fondi permanent ESM prej nga do të ndërmerren aksionet e shpëtimit për vendet e dobta të eurozonës.
Gjermani Klaus Regling, shefi i EFSF, do të jetë drejtor ekzekutiv i ESM-së, duke dashur të bëjë punë pioniere. "Ne kemi bërë gjithë përgatitjet, në mënyrë që ESM të mund të funksionojë që në ditën e parë si mekanizëm permanent i stabilizimit të zonës së euros," thotë Regling në një konferencë shtypit. "Kalimi do të bëhet pa fërkime në një institucion të ri". Në fund 100 vetë do të punojnë në Luksemburg për shpëtimin e vendeve të sëmura të zonës së euros dhe bankave të sëmura.
ESM mund të japë hua 500 miliardë euro
17 vendet anëtare të zonës së euros do të paguajnë në dorë 80 miliardë kapital fillestar për ESM. 620 miliardat e tjera do të vihen në dispozicion si garanci. Me këtë garanci ESM do të jetë në gjendje të blejë bono në tregun ndërkombëtar të kapitaleve, siç ka bërë deri tani edhe EFSF. Paratë e marra do i jepen hua shteteve që kanë nevojë. "Ne do të fillojmë të nxjerrim ESM në treg për investorët. Kështu që të gjithë investorët do të informohen për ESM, si pjesëmarrës i ri në treg", thotë Klaus Regling. Investorët duhet t`i blejnë bonot ESM-së, në mënyrë që sistemi të funksionojë. Nga 700 miliardë eurot, hua do të merren vetëm 500 miliardë. Pjesa tjetër do të mbahet për të ashtuquajtur "supergarancinë", për t´i dhënë sigurinë investorëve se në rastin më të keq, ESM do të jetë në gjendje të paguajë borxhet e veta. Gjermania, si vendi më i madh në zonën e euros, ka pjesën më të madhe me 27 përqind e shoqëruar nga Franca dhe Italia.
Më shumë para do të jepen vetëm me aprovimin gjerman
Rreziku teorik financiar është për ministrin federal të Financave Wolfgang Schäuble tek 27 përqind e 700 miliardshit, pra tek 190 miliardë euro. Kjo shumë është aprovuar nga parlamenti gjerman. Wolfgang Schäuble bën pjesë si përfaqësues gjerman në "Këshillin e guvernatorëve" të ESM. Së bashku me bashkë 16 ministrat e tjerë të financave të zonës së euros, Schäuble do të vendosë në Këshillin e Guvernatorëve cili vend do të marrë sa para, dhe me cilat kushte. Në rast nevoje Këshilli i Guvernatorëve do të vendosë edhe për rritjen e kapitalit.
Klienti i parë: Spanja?
Klienti i parë i paketës permanente për shpëtimin e euros do të jetë Spanja. Qeveria e Madridit pati njoftuar se do të kërkojë 40 miliardë euro për të siguruar kapital për bankat vendase të falimentuara. ESM, ndryshe nga EFSF mund t´i japë ndihmë direkte bankave, pa ia llogaritur këto kredi si borxhe të reja vendit të origjinës së bankës. Po ashtu ESM ka licencë bankare, pra mund të marrë para hua nga tregu i kapitaleve. Fondi i ri i shpëtimit mund t´i blejë shteteve direkt borxhe shtetërore, deri tani kjo ka qenë e mundur vetëm me tregjet dytësore, pra tek bankat dhe investorët që për shembull si në rastin e Greqisë, zotërojnë bono shtetërore greke dhe duan t`i shesin ato. Kërkesë për ndihmë ka parashtruar edhe Qiproja. Mbi nivelin dhe kushtet nuk njihen shumë të dhëna.