Disinformim dhe lajme të rreme në luftën e Lindjes së Mesme
31 Tetor 2023A zbarkuan duzina luftëtarësh të Hamasit me parashutë në Izrael, siç paraqitet në një video që qarkullon në TikTok? Dhe a ka ngritur lart ylli i futbollit një flamur palestinez, siç tregohet në një video tjetër?
Këto janë vetëm dy nga shumë video që janë shpërndarë në mediat sociale që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, pas sulmit terrorist të Hamasit me 7 tetor. Një analizë e DW tregon, se të dyja videot janë të manipuluara.
Ato janë pjesë e një sfide më të madhe: Faktet manipulohen dhe shpërndaren, në një kohë që numër i madh përdoruesish kërkon online për informacione të besueshme, që u ndihmojnë të kuptojnë më mirë konfliktin në Lindjen e Mesme. „Përmasat e disinformimit, informimit të gabuar, propagandës dhe paqartësisë janë më të mëdha se kurrë më parë në këtë konflikt", thotë Andy Carvin, drejtues i qendrës digjitale Digital Forensic Research Lab të Këshillit Atlantik për DW.
Falsfikimet ndezin zemërimin
Sidomos në kohë lufte informacionet që shpërndahen mund të jenë shokuese, të konstestueshme apo trazuese. Kështu në internet qarkullon një video, që Deutsche Welle e ka klasifikuar si manipulim dhe me gjasë tregon, se si ushtarët izraelitë rrëmbejnë dy vajza të vogla izraelite.
Një video e tillë shkakton zemërim, hidhërim dhe ndjenja të tjera. Kjo mund të çojë aty që dikush mbështet njërën ose palën tjetër në konflikt. Lajmet e rreme kanë efekt më të madh, kur vihen në lëvizje emocione të forta.
Psikologu konjitiv Stephan Lewandowsky tha në një bisedë të mëparshme me DW, se „lajmet e rreme tentojnë të krijojë zemërim tek marrësi i tyre." Sipas studiuesit, "ne e dimë, se pavarësisht, nëse ju e pëlqeni apo jo, ju merreni me këtë informacion provokues zemërues." Pikërisht kjo rrit probabilitetin që ato të bëhen virale.
Ka disa përgjigje ndaj pyetjeve si më poshtë që mund të ndihmojë që të krijohet një distancë e logjikshme para se të shkosh më tej me informimin:
- Si ndjehesh tek kjo video?
- A është një temë që ndez emocione të forta, sepse përforcon qëndrimet që ke?
- Kush ka interes të përhapë histori të tilla dhe pse?
- Ka të dhëna që të bëjnë të mendosh për origjinë të dyshimtë?
- Çfarë thotë ndjesia jote e brendshme për këtë?
Verifiko gjithmonë burimin
Shumë përdorues nuk i marrin më lajmet mbi zhvillimet, edhe ato në kohë lufte në faqet e internetit të lajmeve apo aplikacionet e tyre, por në platformat e mediave sociale, makineritë e kërkimit. Kjo ka dobësuar në disa raste lidhjen e përdoruesve me emrat e njohur të ofrimit të lajmit, që normalisht publikojnë informacione të besueshme. Përveç kësaj është bërë më e vështirë që të përcaktosh në mediat sociale, se nga vijnë informacionet.
Njohja e burimit ndihmon që të kuptosh nëse një video, foto apo një artikull është i besueshëm. Edhe nëse informacionet janë të vërteta, dhënia e burimit të informacionit ndihmon të kuptosh axhendën e ofruesit dhe të dallosh nëse ka tendencë paragjykimi.
Nëse kjo është e lidhur me profilin e një personi, verifiko, se çfarë është publikuar në të shkuarën nga ky person dhe ku. Shikoni në platforma të tjera, nëse një person shënon se punon për një media. Nëse profili të çon në një faqe interneti atëherë verifikoni në menu pjesën ku jepen të dhëna, "Mbi ne” apo impresum që ju jep të dhëna për të përcaktuar, se cilat informacine publikohen, si financohet dhe nëse ka partnerë shtetërorë apo komercialë.
Në rast të fotove apo videove që mund të jenë të manipuliuara mund të ndihmojë një kërkim praptas për të gjetur origjinën e fotos. Për të kryer këtë nevojitet një foto ose një screenshot, i cili ngarkohet në makinerinë e kërkimit Google images apo Tin Eye.
Edhe përmbajtja e një deklarate mund të verifikohet
Në fillim të tetorit u pretendua në një video, se Egjipti ka hyrë në luftë dhe ka dërguar qindra tanke në Rripin e Gazës. Verifikimi e nxjerr qartë, që nuk ka asnjë provë për pohime të tilla. Në rast të një pjesëmarrjeje të drejtërdrejtë të Egjiptit në luftë do të ishte raportuar shumë më gjerësisht.