Ditë historike: Filluan bisedimet për decentralizimin në Vjenë
20 Shkurt 2006Me bisedimet për decentralizmin e pushtetit sot në Vjenë filluan, pas më shumë se gjashtë vjetësh, bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.
Takimin po e kryeson zëvendësi i të ngarkuarit të posaçëm për procesin e statusit të Kosovës, Albert Rohan. Ndërkohë që të pranishëm janë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA.
Para fillimit të takimit delegacionet kanë pasur takime te ndara me Marti Ahtissarin. Udhëheqësi i delegacionit kosovar, Lutfi Haziri para 50 gazetareve deklaroi se: Ne jemi të gatshëm për bisedime. Ahtisarit i kemi deklaruar sot në mëngjes bashkëpunim të plotë. Sot do të fokusohemi në temat për të drejtat e komunave, dhe pushtetit lokal. Pavarësia po vjen dhe ne shpresojmë se në këtë rrugë do të luajmë një rol shumë konstruktiv, theksoi Lutfik Haziri.
Në delegacionin kosovar janë edhe bashkëkryetari, Fehmi Mujota, ndër të tjerë, edhe Ylber Hysa, Blerim Shala, Enver Hoxhaj, Ardian Gjini dhe Skënder Hyseni.
Delegacionin serb e udhëheqin këshilltarët e presidentit dhe kryeministrit të Serbisë, Leon Kojen dhe Sllobodan Samarxhiç.
Delegacioni serb u shpreh i zemëruar për deklarimet e Ahtisarit në revistën gjermane "Der Spiegel", ku ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e pavarësisë së Kosovës.
Këshilltari i kryeministrit të Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, nuk përjashtoi edhe mundësinë për paraqitje të kërkesës për dorëheqje të Marti Ahtisarit.